(Mbi mistikën gjuhësore të poezisë së Rudian Zekthit)
Agron TUFA
Është shumë e vështirë të flasësh për poezinë në përgjithësi, por për poezinë e Rudian Zekthit kjo bëhet thuajse e pamundur. Kjo – ngase lypset një gjuhë tjetër, e cila të komentojë të pakomentueshmen, proceset e ndërlikuara që shkaktojnë ndërmendjet, aludimet dhe referencat e dendura nga kultura dhe gjenealogjia e saj: lypset të shpiket, siç e dimë, një mbigjuhë, e cila të jetë në gjendje të shpjegojë një gjuhë që nuk është gjuha jonë e përditshme, që është dhe s’është ajo gjuhë që njohim. Pra lypset një metagjuhë për poezinë, e cila për rastin e poezisë së Zekthit, prapë nuk është ngushëlluese. Kjo vjen ngase tekstet e tij poetike janë të mbështjella me një rrjet të dendur domethëniesh, përftesash, luhatjesh e hijezimesh të holla kuptimore, saqë depërtimi në thelbin e poezisë së tij ka mbetur ende (e mbase kështu do të mbesë) një sfidë, tentativë vetëm për esnafët e asaj poezie që të josh me misteret e thellësive.
Që nga viti 1990 kur botoi ciklin e parë në “Zëri i Rinisë”, kohë që përkon edhe me libërthin e tij të parë – “Poezi” (Elbasan, 1990) – gjer në përmbledhjen prej 26 poezish-poemtha “Poezi” (“Marin Barleti”, 1995), sikundërse edhe në prozat e tij të shkurtra ose novelëzat, qe Rudi i quante paradoksalisht didaktike – poezia e Zekthit vetëmse e ka dendësuar atmosferën e mistikës gjuhësore. Them e mistikës, jo e hermetikës, që shpesh e kam parë tek disa imitues apo të ndikuar prej tij, ta shesin si ndërlikueshmëri imazhi, gjuhe e mendimi. Për Rudin kjo ishte gjuha-normë e poezisë: stil individual të menduari, gjykuari, vegimi, sikundërse gjithë pasionet e tjera, deri tek natyrshmëria e prekjes dhe mahnisë që gjeti ai në besimin islam. Por ama ka qenë ai vetë me përvojat e tij shpirtërore të natyrshme dhe jo modat që t’i imponoheshin. Meqë ra fjala tek moda, unë kam njohur kënd tjetër që të ishte aq alergjik e përjashtues për modat apo gjërat që vinin së jashtmi. Prandaj kur them “mistikë gjuhësore” kam parasysh imazhet e [liruara instinktivisht prej brendësisë së tij, zhburgosjen, verbalizimin e tyre, të cilat krijojnë një atmosferë që i përjashton lexuesit e sipërfaqshëm, duke ua lënë këtë privilegj vetëm një numri të kufizuar lexuesish, kryesisht poetëve. A nuk është ky një ndër tiparet që i kanë shoqëruar avangardistët në krye të çdo lloj lëvizjeje apo rryme? Pagëzori i simbolizmit rus, poeti Vjaçesllav Ivanov qe shprehur për kubofuturistin Velimir Hljebnikov: “Poezia e tij do të fillojë të kuptohet përafërsisht pas 250 vjetësh”. Rudian Zekthi ka qenë avanguardisti më ekstremal në grupimin e poetëve “E për-7-shme”. Avangardizmi i tij përqendrohet kryesisht në procedetë e tij me gjuhën, duke e radikalizuar procedimin në tre sfera të shprehjes poetike: në formë (sintaksë), përmbajtje (semantikë) dhe pragmatikë (demonstrimi i risisë si gjest). Kjo e vështirëson komunikimin, po të marrim parasysh se lexuesi ynë vjen prej përvojash leximore të sipërfaqshme. Prandaj edhe në gazetën avangardiste “E për-7-shme” (1992), në rubrikën “O popoll, popull, popull”, Zekthi shkruan: “Ndër kërkesat e shumta që nisen si dallëndyshe nga parlamenti shqiptar drejt Komunitetit europian, kemi dhe ne një kërkesë modeste: të na sjellin nja katër mijë lexues të kualifikuar për gazetën tonë”. Nisur nga këto cilësi të poetikës së tij, më pëlqen ta quaj “Rudiani
Si një nga poetët më të spikatur të avanguardës së viteve nëntëdhjetë, krijimtaria e Zekthit dallon qysh në fillimet e saj për metaforën e zgjatur, ambivalente dhe asketike, e cila shpesh herë kalon në alegori. Por gjithë kjo trajektore e metamorfozës së gjuhës tek Rudi nuk ndjek shenja e itinerare të njohura. Është udha e shndërrimeve mbetet e panjohur, joreminishente, një sistem krejt vetjak që nuk të ndërmend asnjë procede të mëparshëm në poezinë shqipe. Tek vargu i Rudit ke hyr në një pyll, por nuk e di se në cilën pjesë të botës je, nuk e di se në ç’brez gjeografik e gjeofizik je. Njësia e poezisë së tij bie menjëherë në sy për sintaksën tejet të koklavitur, ndërsa semantikisht ajo është e nginjur përplot asociacione verbale, abstrakte me arketipe të pavetëdijes kolektive, duke krijuar kësisoj, tablo surreale, makthe, nonsense, por edhe mikrodrama lirike, ku të gjitha komponentët – përfshij dhe sendorësinë – bashkëveprojnë sipas një logjike ankthi, vegmi e ëndrre. Maniera stilistike e Zekthit për t’i vënë në një rrafsh të ndërsjelltë veprimi gjësendet e perceptueshme me ato abstrakte e mistifikon kodin komunikativ dhe e bën ligjëratën poetike të ngjashme, herë me fragmentet e teksteve të lashta apokrifike, herë me procedurat verbale të alkimistëve. Nëse bëjmë n jë krahasim të kushtëzuar, logjika e ëndrrës (gjumit) në këto tekste, afron disi me manierën narrative të teksteve të Kafkës, Bruno Shulcit dhe Hljebnikovit. Konfiguracioni i fjalës sipas kësaj logjike, nuk hyn në lidhje referenciale me “botën”. Nga kjo pikëpamje letërsia zbulon ngjashmerinë e saj, jo me ligjërimin e aplikuar, por më së shumti me matematikën: diskursi letrar nuk mund të jetë i vërtetë apo i rremë, ai është real veçse në raport me premisat e veta. Poeti, ashtu si dhe matematicieni, varet jo nga e vërteta deskriptive, por nga përshtatja e postulateve të tij hipotetike. Letërsia, ashtu si dhe matematika, është gjuhë – dhe gjuha në vetvete nuk reprezanton asnjë të vërtetë, anipse ajo mund të përftojë mjete për shprehjen e një sasie të panumrt të vërtetash. Prandaj teksti letrar e ka në natyrën e vet tautologjizmin: ai shenjon vetveten. Simboli poetik, në thelb, shenjon vetveten, në lidhje me një veprë të dhënë poetike. Kur e pyesin poetin se çfarë ka dashur të thotë në x element të veprës së tij, ai gjithnjë duhet të përgjigjet: “domethënia e tij është – të jetë një element i veprës”.
Struktura e poemthave të Rudian Zekthit paraqet një ngrehinë të studiuar matematikisht, brenda së cilës kemi lëvizje konceptesh metafizike, herë natyrshëm e herë sforcueshëm, por me synimin për t’u realizuar në një tërësi të vetme ku vizualja dhe verbalja të shenjojnë, sipas Mihaill Bahtinit, një kronotop të përbashkët. Këtu personazhi kryesor – Gjuha, e ngjashme me gjeometrin K të romanit “Kështjella” të Kafkës, bën çape sizifiane në gjakim për të rrokur të parrokshmen – energjinë ejdosiane të fjalës me derivatet e saj, zigzaket, hijezimet, asociacionet – të gjitha këto, të përllogaritura me një mastrar magjistari: kësodore logjikja me alogjiken identifikojnë njëra-tjetrën në funksion të tërësisë poetike. Ngjërojmë për ilustrim një fragment të poezisë “Ngadalësim” (“Aleph”, 11, 2001): “Kisha humbur dhe s’më gjente dot/ Asnjeri. Kurse vetë çuditesha si qenkam njësoj/ Siç isha para njëzet vjetësh./ E nisa për në varreza si çdo mëngjes/ Shpjegonte mësimin ime ëmë, veç mëngjes si ky/ S’më kishin zënë sytë, i plasaritur/ Si puthjet e babait të tij. Dritëshkurtëri/ Dritëshkurtër mbetet, humb, ta dija kaq idiot/
S’ia kisha bërë kokën fare<…> Flisja me vete/ Shpesh se nuk isha vërtet idiot, por bota/ Atë punë ka, të shpifë, ndonjëherë të bëjë/ Sikur nuk më gjen. Po unë s’e kam për herë të parë/ Që humb moj nënë, pra, që më duket/ Se unë me përparsen e bardhë jam gogoli/ I vendlindjes tënde ndërsa rreptësia e kodrave/ Më duket mjaltë e helikopter. Eja të kërkojmë/ Së bashku, se këtu rrotull duhet t’kem humbur”.
Në poemthat e Zekthit, subjekti përbëhet nga ndeshja e ideve metafizike, vegimeve perceptimeve të përziera në mënyrë surreale, duke të krijuar idenë-tablo se gjendesh në një korije magjike ku fshihen thesare, të cilat shfaqen tek-tuk e humbasin, ngase fasha të shpejt mjegulle ndërhyjnë dhe të pengojnë t’i shquash. Ajo që e vështirëson komunikimin e lëxuesit me këtë poezi, është shkapërcimi abstrakt alogjik dhe karakteri fragmentar i vargut, i cili bën dendur aludime të brendshme eksplicite me citime, duke i dhënë poezisë ngjyresë të theksuar fantastike. U rikthehemi vargjeve të tjera ilustruese nga poezia e sipërcituar: “…Kam humbur pikërisht kur përvëlohesha nga dashuria/… Dashuroj si i çmendur edhe atë rosën me këpucë të vjetra./ …Më kërkonin edhe andej nga thonin se rrinin/ Si në pulari melekët, edhe aty ku kishin/ Korrur grurë me djersë të verdhë, brenda në kanalin e varfër/ Kurse unë, jam kaq afër, në juglindje të filozofisë/ Aty ku do t’ishte vendi më i mirë/ Për të nderë rrobat, po të kishit pak tru./…Mjafton, eja më gjeni shpejt, dua të ha/…do t’ju ndihmoj drejtpërdrejt/ Me gjithë ndikimin tim po ta kaloj natën këtu/ Do më shqyejnë bretkosat dhe misrat/ Reumatizma do fluturojë së bashku me shpirtin/ E do t’iu torturojë/ Duke zënë vend në fotografitë e mia”.
Gjysëmseriozitet, ironi, fantazmagori – një rrëfim ngjethës dhe një asketizëm për ta zbukuruar artificialisht vargun. Mbërritja e çiltër e thelbit të poezisë nuk është punë për lexues dembelë, apo të rriturit me vargjet “mace-mace/-tollumbace”. Shprehja poetike e Zekthit, e ngarkuar me këto tregues eksplicitë, të jep iluzionin e fragmenteve apokrifike. Së këndejmi shpjegohet dhe fakti që leximi i parë dhe i dytë i teksteve të tij, të lë mbresa të ndryshme; se nën leximin e dytë identifikimi tashmë është i pamundur dhe leximi shndërrohet pashmangshëm në metalexim.
Një tjetër problem – madje problemi qëndror i poezisë së Rudian Zekthit – është përjetimi i kohës, i shtruar qysh në vëllimin e parë poetik “Poezi” (1990), derisa bëhet dominues në “Poezi” (1995). Kështu, duke i dhënë vetëdijes subjektive natyrë transhedentale, Zekthi e abstragon gjuhën si të vetmen “pikë referimi”, dku jashtë rrjedhës kohore dhe, së këndejmi, të fiksojë nëpërmjet identifikimit çdo interval të formacionit kohor. Sipas Zekthit, nuk mund të gjykosh mbi Kohën duke qenë i gëlltitur në rrjedhën e saj. Duhet diçka metakohore (jashtëkohore) për të patur qartësi mbi rrjedhën e çrregullt megakohore (brendakohore). Në mënyrë intuitive Zekthi i afrohet poetikisht “konceptit intencional të egos transhedentale mbi kohën”, shumë të ngjashme me të dhënat ndërndijore të vetëdijes, të përpunuara në fenomenologjinë e Edmund Huserlit (vepra e Huserlit:“Fenomenologjia e vetëdijes së brendshme të Kohës”). Megjithatë, definicioni i Zekthit mbi idenë e Kohës është më radikal: ndërsjelltësia e identifikimit të Gjuhës me Kohën”, jo me vijën melodike, siç provuan Franc Bertrano dhe Huserli.
Duke marrë parasysh vështirësitë që paraqet hulumtimi i teksteve të tilla, që krijojnë jo vetëm konceptin, por dhe metaforën e konceptit, unë do ta ndaja kohën në poezinë e Zekthit – në kohë të mendimit për mendimin me shkas tekstin dhe në kohën e komentimit kur vëzhgimin mund ta përfytyrosh të shtrirë në hapësirën e tekstit poetik të komentuesit dhe të të komentuarit. Por që të mund të ndjekim, si gjuha arrin të shenjojë identifikimin me formën e idesë (platoniane) apo gjësendit të kulluar, na lypset jashtë mase një syçeltësi tjetër, një rregull i ri i leximit të poezisë dhe një rritje intelektuale, pa të cilat nuk ngjatjetohesh dot me vargje krejt atipike, si këto të Rudian Zekthit. Kryesisht vargjet e mëposhtme janë nga krijimtaria e hershme e Zekthit, vitet 1990 -1992. Kësodore dhe shpërblimi i lexuesit ka për të qenë tejet bujar.