Boris Pasternak – Ndarja

 

Ç’prej pragu po sheh një njeri –
pa njohur dot shtëpinë,
ikja e saj si arrati
ka lënë gjithkund rrënim.

Në dhoma kaos tejpërtej –
përmasë rrënimi therës.
S’e lënë lotët ta vërejë
dhe krizat e migrenës.

Mëngjesesh njëfarë zhurme kap.
Jermon a është në vete?
Dhe pse truve të tij prapë
mendja i bredh ndër dete?

Kur përmes brymës në dritare
as dritë e Zotit s’çan
brenga dyfish pa rrug’dalje
shkretisë në det i ngjan.

Aq e shtrenjtë ajo mbeti –
kontur i dashurisë,
si linjat e suvalës deti
përgjatë brigjeve ngjiz.

Sikundër kallamat përmbyt
fill pas suvalës dallga
iu krodhën thellë gjer në shpirt
kontur’ i saj dhe trajta.

Në vite vuajtjesh, gjithkund –
jetë që s’ta rrok truri
një dallgë fati që përfund
atë drejt tij e shpuri.

Përmes pengesave pa prâ,
e shmangur prej çdo kurthi,
dallga e prû atë e prû
dhe krejtësisht i puqi.

Dhe tani ikja e saj, ja
përdhunshëm po i vjen:
ndarja të dy ata i ha
dhe kockat brenga u bren.

Dhe tek sheh rrotull ky njeri –
ajo n’largim e sipër
gjithçka përmbysi leshelí
mbi komo e kanistër.

Ai përsillet dhe ndajnatë
i palton me dhéle,
copërat flakur gjith’ inat
dhe mostrat për modele.

Dhe sesi shpohet pas qëndismash
me një gjilpërë ndërmes, –
i ngjallet ajo krejt papritmas
dhe heshtur zë dënes.