Rezistenca ndaj entropisë në romanin “Dueli” të Agron Tufës

 

Nga Leonora Hajra

Ideja e formës jo rrallëherë identifikohet eksplicisht e lidhur me strukturën pa ndjekur kështu një konsensus që do ta determinonte më në gjerësi si çështje, duke u parë thjesht si aspekt teknik. Me formalizmin, forma e përmbajtja, gradualisht vijnë e identifikohen për ta situar kështu të parën, të ashtuquajturën si-letrare si qenësore dhe determinante në përcaktimin e natyrës së një vepre letrare. Si-ja letrare, është qasja e autorit ndaj kategorive që mund të përmbajë lloji letrar. Tema, personazhi, narracioni, fabula janë si-ja eminente letrare, interpretimi i së cilave çon në zbërthimin gradual të asaj që ndërton në gjeneralitet veprën letrare
Me poetikën postmoderne intensifikohet forma e tekstit letrar përmes krijimit të një varieteti strukturave e kategorive letrare që plasojnë idenë e krijimit të artit si konstruksion më heterogjen. Natyra dinamike e letërsisë postmoderne e cila e shpërbën fabulën e që duke shmangur kështu linearitetin realizon tekstin në formë të një kaotike rrëfimore në letërsinë shqipe spikatet me autorë si: Kujtim Rrahmani, Halil Matoshi, Ridvan Dibra e Agron Tufa.
“Dueli” i Agron Tufës është model ideal për të parë se si transformohen si-jat letrare në fushën e poetikës postmoderne dhe observimeve të saj kontraverse si reaksion ndaj letërsisë paraprake që admiron e imiton kanonet. Dualizmi, ekzistimi i dy anëve antitetike, të mirës dhe të keqes marrë si koncepte eminente që përjashtojnë njëra-tjetrën, ekziston kaherë jo vetëm në konsolidimin e botës reale, por dhe asaj fiktive që nga oraliteti e deri në dokumentimin e saj me shkrim. Në “Duelin” e Agron Tufës, ajo cka është e dysishme për botën bartet brenda dramës së brendshme të individit dhe gjithë pasimi i ngjarjeve në roman përshkohet nga kjo ndeshje dhe reprezentimi i saj në raport me jetën. Vështruar nga ky prizëm, “Dueli” përfaqëson një roman të fuqishëm psikologjik, që fundamentalisht centralizon botën introverte të qenies, mungesën e harmonisë spirtuale dhe kamuflimin e kësaj qenieje pas idealeve të përkohshme në synim të arritjes së plotnisë, plotësimit të kësaj mungese.
Vepra shquhet me një diversitet ngjarjesh e personazhesh me të cilat vihet protagonisti në marrëdhënie parimisht me një stil sui generis që interferon si opsione të vështrimit të tyre rrafshin real dhe ireal që në një kontinualitet këmbehen e shpesh edhe kalojnë kufirin e njëra-tjetrës, duke prezentuar në këtë mënyrë edhe hendekun midis realitetit/ekzistueses dhe dëshirës/inekzistentes.

Filigree Ornament Vector Graphic by TiveCreate · Creative Fabrica

1.Binomi tematik: erosi dhe shoqëria në trajektoren e introvertes

Në fushën e konsolidimit të një portreti për formën e një vepre letrare, tema bëhet esencë kruciale që manifeston një aspekt të saj. Postmodernja në “Duelin”e Tufës e sfidon lexuesin me përplasjet midis identiteteve tematike që ngjizin brendinë e tij me vështrimin e tyre në një plan të ri larg çdo modeli paraprak duke observuar me dramatizimin për të dhënë impaktin e akterëve të jashtëm në përjashtimin personal e shoqëror. Vetë titulli i romanit Duel në thelb sugjestiv bëhet simbolikë e fuqishme për të zbërthyer rrafshin ideotematik të romanit. Ai derivohet si shenjues emblematik i luftës së protagonistit me veten, i cili për disharmoninë e tij spirtuale shfaq si faktor relevant prepotentizmin e skajshëm që ka treguar tjetri në të.
Në hapësirën e romanit “Dueli” erosi dhe shoqëria ndërtohen si linja kryesore tematike që shtjellojnë subjektin e romanit dhe orientojnë drejt ndërtimit të paradigmës ideore të tij. Veprën e përshkon një frymë insistuese e individit për t’u cliruar nga përjetimet e tij si diçka çka kanë përftuar për konsekuencë jetën e tij mozaik idealesh të shtypura, qoftë në raport me erosin, si diçka me pushtet egocentrik në të, qoftë në raport me shoqërinë, modelimi totalitar komunist i së cilës është bërë edhe shkak i internimit të tij fizik në Rusi.
Teksti hapet me një hapësirë surrealiste me takimin intim midis Martin Gegës dhe Varvara Va, në një urë, dialogun e tyre që sugjeron për krizën në marrëdhënie, etiketën e fajtorit qe vihet në Martin Gegën dhe rrjedhimisht ndeshjen me tjetrin, zhdukjen e Varvara Va. Ura, këtu parë në relacion me kontekstin popullor e arkitektonik del si sinjifikim për antipodin ndarje/bashkim dhe sakrificën e ndërtimit në marrëdhënie me veten dhe tjetrin. Nga ky situim i parë pason një zinxhir kompleks i shtjellimit të ngjarjeve me tematikë- erosin.
Erosi në roman del si marrëdhënie intime fizike, si përjetim epshor, nevojë biologjike e individit për ta shuar instiktin kafshëror, duke rrëshqitur skajshmërisht nga portreti i saj si virtyt që finsikëron shpirtin drejt një vesi që e dëmton atë çka është e moralshme në qenien. Ky portret i shpërfytyruar i erosit që prek ekstremet duke dhunuar atë çka është virgjine del si produkt i adoloshencës së protagonistit: një dashuri e mbetur peng midis Martin Gegës dhe Etleva Xh. Refuzimi nga ana e Etleva Xh, protagoniste në adoloshencën e tij që vazhdimisht e step duke e cilësuar çdo lidhje intime me të si një lloj incesti, meqë e mban të afërt për vëlla, në një anë dhe lozonjariteti e flirtimi i saj me Fari Ferrën dhe Medarin, të shokun e tij të ngushtë në anën tjetër kanë ndërtuar një Martin që e sheh femrën si qenie lehtë të dorëzueshme, siç edhe e sheh Varvraa Va kur thotë: ja si i thjeshton krevati femrat e blinduara me mister. Në kërë pikë përjetimi psiqik i diçkaje kaq të hershme, dashurisë së tij të parë, evokuar në roman përmes kujtimeve, ka prodhuar erosin si konsum trupor dhe vetë figurën e femrës si një qenie pa subjekt, pa identitet, pra një qenie që identifikohet vetëm me të bukurën si përfytyrim ideal, si rrjedhojë e paaftë të plotësojë mungesën në shpirtëroren e tij.
Tranzicioni që pëson erosi nga të qenurit një ndjenjë puro e pafajshme që gërsheton sublimen e shpirtërores dhe fizikes, në derivimin e një modeli që insiston në zotërimin e trupores përherë identifikueshëm me një kënaqësi nënshtruese ndërton dinamikën e temës në thelb. Nëse e para purifikimi i ndjenjës del si portret ideal që ka konceptuar Martin Gega si adoloshent në marrëdhënie me Etleva Xh, e dyta pra përjetimi i erosit si diçka satisfikuese për epshin e qenies, del me lidhjen që ka me Varvara Va dhe Lljubën
Erosi konceptohet si dëshirim epshor i individit për tjetrin larg ndjenjës së dashurisë që mund të ketë njeriu për gjërat tokësore, prandaj edhe vetë harxhimi i dashurisë pas një periudhe të lidhjes shpjegohet si rrjedhojë e kalimit të këtij dëshirimi meqë entuziazmi i parë për objektin femër humbet a transformohet në një vakuum ndjenjash. Kjo del më së miri në marrëdhënien e Martin Gegës me Varvara Va,, për të cilën thuhet se pas një kohe ai pushoi së vëni re atë si femër, si rrjedhojë e konsumit të çdo ndjenje epshore për të, ndërsa atraksioni që ndjen për Lljubën është konsekuencë e gjakftohtësisë me të cilën përjetohet erosi-lidhja shpirtërore me tjetrën (Varvara Va) dhe epshit që ndjell kontakti me të bukurën.
Në roman shtjellohet një triadë e fuqishme e degradimit shoqëror në nivelin moral, fetar e politik markuar me tre personazhe: Fari Ferrën si proklamues direkt i ngadhënjimit të instiktit kafshëror në njeriun me veprimet e tij vulgare, dhunimin e Etleva Xh; ndërsa dy të tjerët Martini dhe Anatolij Fjodoroviç bëhen reflektues mbi shoqërinë “idiote” që naivisht beson e praktikon dogmat religjioze e leniniane. Një shoqëri e tillë e cila rend pas iluzioneve, shfaq prirje degraduese, bëhet pushtet e influent fizik e psiqik në jetën e njeriut.
Në Martinin gjëllon një shpirt i rebeluar, në luftë me veten, si viktimë e tjetrit. Kjo shihet më se miri në letrën që ai u drejton qytetarëve të vet: Ja, sikur i ndjej si atehere, mbresat e freskëta të çizmeve tuaja të përbaltuara, takat fine, delikate e per tmerr të zonjushave (ato kishin kujdes të më mëshonin në zemër), gjithfarë opingash lope, këpucësh usharake, me një fjalë një industri të tërë, lëkurësh hequr zhag mbi shpinën, fytyrën dhe trupin të imët, si farë luledielli. Martini në këtë letër përdor një ton të rreptë, ndjehet neveritja e tij ndaj një shoqërie në të cilën pohon t’i është konsumuar qenia e tij, prandaj edhe atë e quan urrejtje të përhershme të tij e pjellë bastarde abortesh morale e ideologjike.
Nga infantiliteti, jepen dromca të mjerimit social me kooperativat si instalim dërrmues i ekonomisë fshatare në periudhën e komunizmit, si dhe dromca të një femijërie të kaluar në frikë nga qentë e tërbuar shenjues të sistemit prepotent, nga miqtë që i kanë kthyer shpinën e e kanë gjykuar, varfëria e skajshme me babain e burgosur, pastaj përbuzja që rezervonte shoqëria ndaj Etleva Xh dhe familjes së saj si të internuar në fshatin e tyre. Metodat sadiste të sistemit dhe vulgariteti i shoqërisë që stimulon e i bashkohet represivitetit të tij ilustrohen më së miri përmes ushtarëve që përdhunojnë Etleva Xh dhe shoqërisë e cila e objektivizon si qenie të pamoralshme, të shfrytëzueshme duke intensifikuar krimin ndaj saj.
Me konstruktimin e idesë së duelit të Martinit autori realizon një rrjet zinxhiror tematik, që shfaq fytyrën diversive të tij si anëtar i shoqërisë e i jetës dhe si refuzues i modelimit degradues të tyre dhe konsekuencën e të qenurit pjesë e kësaj shoqërie. Duke e konsideruar njeriun si farën më të përsosur të krijesës, Martini implicisht flet për tëhuajësimin e këtij sublimiteti në një shoqëri ku fund e krye dominon e kultivohet distopikja.

Filigree Ornament Vector Graphic by TiveCreate · Creative Fabrica2. Psikologjia e personazhit

Gjithë perspektiva e ngjarjeve që rrëfehen në roman ndjekin dhe kanë për objekt odisejadën psikoshpirtërore të Martin Gegës. Prishja e linjës kronologjike të rrëfimit duke ndërfutur kujtime, ëndrra e momentume nga prezenti bëhet përcaktuese themelore në deshifirmin e psikologjisë së personazhit. Kaotika e rrëfimit është sinjifikim për kaotikën që përshkon internalen e personazhit.
Varvara Va qysh në fillet e romanit hedh teorinë e relativitetit të kohës, kur pohon se njerëzit i sheh si qenie të kushtëzuara në kohë, parabolë e cila më tutje do të zbërthehet më së miri me protagonistin që jeton në momentume të caktuara të jetës së tij, e nga këto dromca përpiqet të ndërtojë një realitet e harmoni absolute. Kjo filozofi vjen e përplotësohet me interferimin e rrëfimit mbi filozofin indas dhe shpjegimin simbolik të tij për Majën- iluzionin e të jetuarit. Në rrafshin konotativ njeriu që shkon të mbushë gjymin pranë lumit, bashkë me ndodhitë e vuajtjet e tij, paraqet vetë presionin e jetës mbi njeriun, peshën e gjithë përjetimeve në jetën e tij, aq sa njeriut nga gjithë kjo pas i mbetet vetëm një zbrazëti, një gjym i boshatisur, një paplotni. Në këtë sens vetë jeta duket sikur realizohet në një rrafsh ireal, ku njeriu vazhdimisht rend të jetësojë jashtë në botë introvertizmin e tij. Njeriu është viktimë e tjetrit, njeriu është konsekuencë e përjetimeve të tij të kushtëzuar nga faktorë internalë e eksternalë. Ky rrëfim që ndërfutet në letrën lamtumirëse që Martin Gega shkruan për të atin para duelit, ndërton paralele me vetë konceptimin universal që ka ai për jetën, si një strumbullar i pafund vuajtjesh që intensifikojnë përjetimin e brendshëm në vazhdimësi. Martin Gega gjatë gjithë romanit do të shfaqë dromca nihiliste e heretike në raport me tjetrin, fenë e vetë shoqërinë, prandaj edhe do të ndërtojë një realitet që reflekton mbi realitetin ekzistues, qoftë duke përftuar me reminishencat të kaluarën, qoftë edhe duke i ikur asaj, infantilitetit, që në fund edhe del si shkak i parë i gjithë introvertizmit të tij të kulluar, i perspektivës së tij për botën e jetën.

Filigree Ornament Vector Graphic by TiveCreate · Creative Fabrica

2.1.Pragmatikja dhe onirikja

Përjetimi traumatik i adoloshencës me dashurinë e refuzuar dhe të përdhunuar në një shoqëri të zvetënuar që e predestinon shfaqjen e individit kontravers përbën pikën prej nga operohet me këmbimin e përjetimit real me atë të ëndrrës/ së dëshiruarës. Në thelb ëndrra që ka burim subkoshiencën e individit, pra diçka për të cilën edhe ai vetë nuk është i vetëdijshëm se ekziston bëhet demaskuese e një ndjenje faji që ka Martin Gega për dobësinë e treguar për të mbrojtur të dashurën dhe më gjerë vetë qenësinë e vendit të tij nga diçka kaq distopike siç kishte qenë komunizmi.
Në rrafshin real, nga reminishencat del në sfond një linjë e tillë ngjarjesh: familja e internuar e Etleva Xh vendoset në fshatin e Martin Gegës, pason lindja e simpatisë dhe një ndjenjë e fuqishme dashurie për të, shpërfillja e saj, lidhja me Fari Ferrën, përdhunimi i saj nga ushtarët e repartit, përbuzja e fshatit dhe largimi i saj. Kështu lidhja e tij me Etlevën si diçka e mbetur peng, plason mungesën dhe ndjenjën e fajit që çorienton gjithë linjën e ngjarjeve e madje bëhet inicuese e një ëndrre erotike me vetë Etleva Xh, një paplotni shpirtërore e erosit. Emri i saj, Etleva me origjinë autentike shqiptare ka domethënien e mbretëreshës, çka edhe përkon me pushtetin nënshtrues e admirues që ka qenia e saj në Martin Gegën. Mirëpo zbërthyer etimologjikisht ajo ka për prapashtesë emrin Evë, dhe në një rast në ëndrrën e Martinit ajo del si gjarpër që qan. Gjarpri sa asocon me mëkatin e parë, asocon edhe me simbolin e vjetër të shqiptarëve. Kështu Etleva Xh duke u portretizuar si gjarpër që Martini e largon nga një plagë e tij, aludon për dhembjen që i vjen nga diçka burimore, dashuria e tij të cilën Etleva Xh e sheh si mëkat dhe autentikja që në thelb në roman është antonim i gjithçkaje të shëndoshë.
Në përmbysje me realitetin gjenerohet një rrjet i tërë ngjarjesh brenda dimensionit onirik që edhe përmbys fytyrën e dashnorit romantik, figurës verteriane që manifeston Martin Gega, me dinamikën e ndjenjës, xhelozinë e impulsivitetin siç e ilustron paradigma: Ai u largua pothuajse me vrap, si të trembej se po të qëndronte edhe pak aty, kishte për t’u thërrmuar si statujë antike e nxjerrë nga dheu në dritë të diellit duke kaluar kështu në figurën që bëhet dëshmitar e vetë një nga dhunuesit. Transformimi i tij në dhunues del si rrjedhojë e paaftësisë së Martinit që të besojë në lidhjen e natyrshme të Etleva Xh dhe Fari Ferrës në një anë dhe dashurisë e dëshirimit të kahershëm të tij për ta pasur Etleva Xh. Në ëndrrën e tij, subkoshienca ndërton marrëdhënie viktimë-dhunues midis tyre, ndërsa veten e objektivizon si spektator. Ndërtohet triada midis viktimës, dhunuesit dhe spektatorit si refleksion mbi një konsensus të kohës që e shfaq njeriun në dy gjendje themelore: pushtet dhe nënshtrim. Dueli fizik që del si sfidë e hapur nga tjetri, Maksi që në fille pohon të jetë i dashuruar në Varvara Va por që më pas etiketohet si dhunues i shfrenuar, bartet në domenin psiqik të protagonistit, Martin Gegës dilemën e të cilit Fuga e shfaq me pyetjen: A kanë këto viktima nevojë të vërtetë për t’u mbrojtur? Analiza e tij mbështetet kryesisht në shpjegimin e duelit si stimulim për zgjimin e instiktit mbrojtës të qenies dhe për rrjedhojë shuarjen e këtij instikti ndaj tjetrit i cili kalon nga viktimë në adhurues të persekutorit.
Në vija të trasha mund të përcaktohen onirikja dhe pragmatikja, si dy aspekte që shpërfaqin ne instancat më të larta psikologjinë e personazhit në veprim. Shkarkimi i ndjenjës së fajit ndaj fatit të Etleva Xh përvidhet në dimensionin onirik me intencën e Martinit për ta prezantuar karakterin e Etlevës si imoral, cinik e hipokrit, Pra, ai duke e nxjerrë kështu në shesh karakterin e saj në thelb si të keq mëton ta qetësojë ndërgjegjen e tij ndaj saj për faktin se kishte qenë vetëm një spektator në fatkeqësinë e saj, e madje kishte zgjedhur shoqërinë para saj: Martini s’do të mundej të rrinte me të për shkak të opinionit.
Pragmatikja, pra përjetimet reale që kanë përcaktuar qenësinë e rezervuar të protagonistit, del edhe përmes rrëfimeve simbolike të tij mbi infantilitetin që mbyllin romanin. Realiteti i botës shqiptare në prag të komunizmit, entuaziazmi dhe besimi me të cilën përqafohet kjo doktrinë dhe shndërrimi i saj gradual nga utopia në distopi jepet përmes zbërthimit simbolik të rrëfimit mbi qenin që rrëshqet nga veza e hënës në prehrin e Martinit, magjepsja dhe simpatia e tij me të për të përfunduar në flirtimin e lehjen e tij, tërbimin e masës, shndërrimin e saj në një masë homogjene destruktive. Ngjashëm si te rrëfimi i Qosjes për Çerem Çaparin edhe këtu, qentë shfaqen si identitete servile të sistemit, pra individë që nuhatin, përndjekin, tërbohen e sulmojnë si qen.
Rikthimi fizik në vendlindje që jepet përmes dimensionit onirik shpalos tone melankolike e nostalgjike që në thelb ndërtojnë figurën e Martinit të internuar si një qenie e trazuar që gjithë jetën e kanë përndjekur hijet e së kaluarës. Ky rikthim i tij buron nga subkoshiennca, ëndrra pasi në thelb ai përpiqet t’i rezistojnë këtij kthimi duke pohuar se nuk kishte kurajë ta kthente kokën prapa në kujtesë nga frynte ai qelb i mbledhur në vite, ajo farë perverse që gjëllinte çdo asociacion të tijin me vendin e vet.

Filigree Ornament Vector Graphic by TiveCreate · Creative Fabrica

2.2. Ekzistenca dhe zhdukja

Në letërsinë postmoderne divergjon perspektiva e ndërtimit të karakterit dhe kjo rrjedhojë e ndërkomunikimit që realizon letërsia me fushat e e tjera nga shkenca, kultura, të pasura me brum për intensifikimin filozofik e emocional të personazhit. Ekzistencializmi derivon një ndër postulatet më kruciale filozofike që ka ndikuar në ndërtimin rrënjësor të një linje të tërë romanesh nga mesi i shekullit të XX dhe për rrjedhojë edhe në aspekte të veçanta të ndërtimit të romanit postmodern. Mungesa e përshkrimeve dhe spikatja e një veçorie kryesore kur vjen fjala për ndërtimin e karakterit në modernen, në “Duelin” e Tufës, tipin postmodern përmbyset me shfaqjen e personazhit përballë zhdukjes.
Në vija të trasha, të privuarit e Martinit nga zgjedhja, pra ekzistimi i fakticitetit (përgjegjësisë dhe peshës së të qenurit pjesë e shoqërisë), raporti me pushtetin, erotizmi si ndjenjë biologjike, dashuria e mbetur peng e Martinit, ndjenja e tjetërsimit, braktisjes së ekzistentes, më tej interferimi i tij në një duel që e përballë atë me qenësinë e tij e që luhat skutat më të errëta të shpirtit dhe mendjes  duke e kushtëzuar vazhdimisht që t’i rezistojë entropisë, rënies në boshllëk, janë pika konektive që e lidhin këtë personazh të Tufës me modelet kafkiane.
Personazhi i Tufës ekziston si qenie që përballet me sfidën e zhdukjes. gjë që reflektohet përmes eksplikimit të marrëdhënieve që ndërton me të tjerët, si problem që e ka përcjellë që nga infantiliteti e deri në prezentin e tij. Teksa infantiliteti spikatet si periudhë e jetës që ka për mungesë babain, lumturinë (nga faktorë sociopolitikë) dhe vetë dashurinë si përjetim ekzotik të adoloshencës që mbetet thjesht në stadin e platonizmit, prezenti shfaqet si përballje e Martin Gegës me të kaluarën, tendencën e tij për të tjetërsuar ekzistenten, për të përfunduar luftën e brendshme me faktin-ripërjetimin intensiv të momentumeve jetësore që evokojnë kujtimet për të kaluar në gjendjen e qetësisë, plotësimit të mungesës. Në Martinin përfundon tërheqja fizike, çdo emocion që zgjon marrëdhënia e tij me Varvara Va e Lljubën, pasi pjesëmarrjen e tyre në jetën e tij e sheh si rrugë për t’u përballur me Etleva Xh dhe ekzaltimin shpirtëror që provon qenia e tij në kujtimin e saj: bryma nuk do t’ia cikte asnjëherë dëlirësinë me të cilën e deshi.
Në modelimin e karakterit të protagonistit paradigma në të cilën flet për rtimin eksplikon esencën e duelit, pse nis ai dhe pse insistohet në përfundimin e tij. Ritmi identifikueshëm me harmoninë prishet si rrjedhojë e shfaqjes së duelit. Realizimi i këtij dueli në thelb imagjinar asocon me modelet popullore që kanë për linjë ballafaqimin e heroit me një sërë sfidash deri në gjetjen e të Bukurës së Dheut apo Floçkës, në thelb të identifikueshme me përmbushjen e idealit, rivendosjen e harmonisë. Kështu duke insistuar në duelin, ai zgjedh të mos dezertojë para vetes, meqë tjetri nuk është tjetër veçse e kaluara të cilën ai do ta tejkalojë: teksa kujtesa endet si lakuriq nate rreth këtij ritmi të thyer dikur do të thotë se qenia jote po hedh shtat mbi një territor të gabuar… dhe se gjitçka në vetvete e ke të ndërtuar sipas një arkitekture e cila është e destinuar të shembet.
Brumosja mistike e Martin Gegës del përmes filozofisë së metempsikozës e cila plasohet si ide e tij që të tejkalojë trupin për tu këmbyer me ndonjë send apo insekt tjetër në një anë dhe vetë reflektimi i tij se është qenie që është endur nga trupi në trup, pra mbron idenë se trupi dekompozohet ndërsa shpirti bëhet tranzit në një trup të ri, filozofi që plasohet edhe te Plotini qysh në Antikitet.
Në roman jo vetëm Martini vizatohet si personazh që kategorikisht e ndjen veten të braktisur në introvertizmin e tij, duke e vështruar si absurde transformimin e konstruktives në destruktive (erosi, shoqëria, miqësia), por edhe personazhet e tjera që plotësojnë jetën e tij erotike si Varvara Va, Etleva Xh dhe Lljuba shquhen me një ndjenjë të kotësisë, melankolisë e paplotnisë, konsekuencë e tjetrit shpërfillës për këtë introvertizëm të tyre.

Filigree Ornament Vector Graphic by TiveCreate · Creative Fabrica

3. Arkitektonika e narracionit

Intenca e letërsisë postmoderne që ta shpërbëjë fabulën, linjën kronologjike të rrëfimit karakteristikë për letërsitë paraekzistuese, të nxjerrë në sfond intermedialitetin, pra komunikimin e letërsisë me mediumet e tjera nga fusha e kulturës apo artit, si dhe ofrimit të përfytyrimeve universale duke tejkaluar kufijtë e nacionales, bëhet objekt gjenerimi i romanit “Dueli” të Agron Tufës.
Esencë në strukturimin e kapitujve të romanit është perspektiva e narratorit heterodiegjetik i cili gjithë fokusin e tij e shpërndan në dhënien e ngjarjeve që zhvillohen në marrëdhënie me protagonistin, gjithçka e zhvilluar jashtë perdes së tij i tregohet Martinit me ndërmjetësimin e ndonjë personazhi. Në këtë kontekst, narratori sado që i vetës së tretë, nuk mund të pre0tendohet se mban një kompetencë narrative të gjithëdijshme siç haset te Gjenerali… i Kadaresë apo te 100 vjet vetmi të Markezit, meqë fokalizimi i tij ngushtohet në figurën, kronotoposin në të cilën ndodhin ngjarjet që konsolidojnë qenësinë e Martin Gegës.
Teknikat narrative, analepsa dhe prolepsa rëndom aq të popullarizuara veçmas me postmodernen, janë atributet themelore të këtij narratori. Manovrimi me këto teknika orienton në shfaqjen e onirikes dhe ontikes si dimensione të cilat kushtëzojnë transformimin e kronotoposit të ngjarjeve që rrëfen narratori në planet fshat-qytet dhe fëmijë-i rritur apo konceptuar më gjerë si atdhe-mërgim dhe e tashme-e kaluar. Përmes analepsës rrëfehen kujtimet nga infantiliteti, lidhja e tij me Varvara Va, ndërsa përmes analepsës bëhet lëvizja në prezent, si diçka që e çon veprimin përpara, siç është odisejada e gjetjes së vendndodhjes së duelit.
Deskripcioni detajizues përbën një aspekt tjetër eminent që ndërton stilin e narratorit. Ai shfaqet në disa forma: si deskripcion i hapësirës, si deskripcion i përjetimit intim dhe si deskripcion psikologjik. Vështrimi i urës si simbol për ndarjen e sakrificat gjatë tranzicionit shpirtëror, ai i gropës ku bien Martini dhe Etleva Xh si sinjifikim për ekzistimin e një ndjenje epshore ndaj saj mbet kaherë peng në subkoshiencën e tij, pastaj kaotika e apartamentit të Varvara V që orienton në shpjegimin e karakterit kolorit dhe jetës dinamike të kësaj të fundit me adhuruesit e saj bëhen elemente të rëndësishme që e determinojnë hapësirën në roman me funksion tipik simbolik. Narratori me kompetencën e rrëfimit të përjetimit intim shquhet me një leksik ekplicit, përshkrime detajizuese të akteve intime ku përdhunimi, ekstaza dhe observimi me imazhe të zhveshjes që duke pasur parasysh modelimin konvencional të letërsisë shqipe në esencë thyejnë tabutë e kohës.
Psika e personazhit është faktor krucial që motivon aksonin në roman. Ajo çka është karekteristikë e narratorit është se ai arrin të depërtojë në psikën e personazhit në tanësi, duke nxjerrë nga subkoshienca e tij dëshirat e shtypura, përjetimin ekstremist të ndjenjës së dashurisë kjo pasi ajo mbetet jo reciproke dhe për rrjedhojë influenca e këtij përjetimi në formimin e tij moral e shpirtëror të mëvonshëm. Këtë kaotikë të psikës së tij narratori e prezanton para lexuesit përmes kujtimeve dhe ëndrrave. Ëndrrat në thelb simbolike provojnë për një psikë të pasur që provokon një jostabilitet të introvertes së personazhit në të jashtmen në thelb destruktive dhe konsekuente për karakterin e tij. Nga ana tjetër kujtimet janë ato që intensifikojnë përjetimin e brendshëm të personazhit dhe shfaqin insistimin e tij për t’i rezistuar kësaj entropie: Kësisoj,i dukej se një lloj zoti po punonte me dylbi mbrapsht në fatin e tij, duke e shtyrë drejt asaj që mezi ia kish dalë t’i shmangej që nga ajo pranverë e zezë.
Me postmodernen nis të konsolidohet ideja se lëvizin kufijtë midis teksteve dhe lehtë pranohet interferimi i një teksti të jashtëm brenda tekstit konkret. Kështu ajo që në teoritë e mëparshme quhej huazim merr emërtimin e ri si teori e intertekstualitetit. Në “Duelin” e Tufës ky ndërkomunikim realizohet me letërsinë e shkruar, atë orale, pastaj me mediumet e tjera si: filmi, arkitektura e muzika. Ndërkomunikimi me populloren që zhvillohet në stadin e zhanrit të prozës dhe poezisë synon të ndërtojë paralele të situatave reale me ato të njohura nga arketipet kolektive, p.sh: paralelizimi i duelit të Martinit me atë të Gjergj Elez Alisë dhe bajlozit duke interferuar vargjet përgjegjëse popullore, paralelizimi i situatës së tij në thelb komike si mysafir në shtëpinë e burrit të Etlevës së martuar me rrëfimin popullor për një pasanik që shkon mysafir në dasmën e ish-të dashurës, si dhe interferimi i ca vargjeve nga lirika erotike popullore për të dramatizuar kështu ballafaqimin e Martinit me Etlevën: Rashë në fushë gjeta një kullë/ Kulla ishte shumë e gjatë…/I vuna shkallë hypa në çardak./ Gjeç nji nuse nën duvak./ Nusja ishte si perri./ Unë e pyeta çka fsheh n’gji?/ Kam dy shishe me raki./ A s’ma jep njanën ta pi?/ Janë të burrit, koft-o i zi! Këto tekste të interferuara shquhen me humorin, lojën popullore e shprehjet eliptike, çka edhe e pasurojnë arkitektonikën e rrëfimit me një stil të këndshëm e pragmatik.
Intertekstualiteti përveçse me letërsinë orale del edhe si komunikim i tekstit me letërsinë e shkruar, përmes citimit të vagjeve të De Radës, të një poeti rumun, të Shekspirit me pjesën në të cilën del mjerimi shpirtëror i Ofelisë, me përmendjen e Romeos dhe Zhuljetës si shembull jo i denjë meqë krijon iluzionin e ekzistimit të dashurisë, kur në thelb në protagonistin e Tufës ajo mbetet në stadin e trupores, si dhe paratekstet sugjesive nga Nazim Hikmeti, Gëte e Antuan Tydal.

Filigree Ornament Vector Graphic by TiveCreate · Creative FabricaNën prizmin e një odisejade psikologjike

Intenca që rrëfimi të gjenerohet nga prizmi i psikologjisë së personazhit nën fokalizimin e narratorit heterodiegjetik dhe për rrjedhojë divergjimi i strukturës narrative si kaotikë reminishencash, ëndrrash e intertekstesh për ta intensifikuar përjetimin ekzotik të asaj çka ndërton psikospirtualen e personazhit bëhet objekt obervimi e realizimi në “Duelin” e Tufës.
Këtu romani klasik me kanonet e personazhit, temës e rrëfimit është transformuar në kuadër të një forme që i lejon autorit të bëjë lojë me rrëfimin duke ndjekur një logjikë dispersive që e bart linjën narrative nëpër binomin dimensionl real- ireal, me personazhet qe duke u ikur modeleve realiste ndërtohen brenda një tensioni psikologjik e filozofik që varion nga ekzistenca te zhdukja, me lirinë me të cilen observohet tema e erosit e bartur në stadin e ekzaltimit fizik, me epshin e dhunimin duke u ilustruar si konsekuencë e shoqërisë dhe sistemit me impakt klaustrofobik në qenien, si dhe me selektimin e evokimit të momentumeve jetesore qe e përftojnë karakterin si produkt të pragmatikes/empirikes.
Me ikjen nga shabllonet, Agron Tufa realizon një personazh gjendja psikoshpirtërore e të cilit e risituon realitetin në brishtësinë e ndjenjës, paplotnisë dhe disharmonisë. Dueli që bartet nga eksternalja, ndeshja me të jashtmen në planin fizik në internalen ndeshja me të brendshmen, në planin psiqik shfaq mungesën dhe internimin si agjentë që e ndriçojnë personazhin që të rezistojë ndaj entropisë si individualitet reaksionar në planin ideologjik duke prekur dy ekstreme jetësore: erosin dhe shoqërinë.
Me analepsën e prolepsën, diversitetin narrativ me deskripcionet detajizuese, dimensionet onirike e ontike, me trajtimin universal që i bëhet njeriut dhe problemeve që konstruktojnë jetën e tij, me intertekstet e paratekstet sugjestive të përmbajtjes së kapitujve dhe vetë makroidesë së romanit si dhe me vetë sinkretizimin prozë-poezi brenda strukturës së tërësisë, romani “Dueli” i Agron Tufës mund të cilësohet si një roman që përmbush kërkesat themelore të letërsisë postmoderne.

Literatura

Agron Tufa: “Dueli”, Onufri, Tiranë, 2016 (Studimi i Artan Fugës).
Linda Hutcheon: “Poetika e postmodernizmit”, Om, Prishtinë, 2013.
Rexhep Qosja: “Një dashuri dhe shtatë faje”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2010.

https://foldrejt.com/rezistenca-ndaj-entropise-ne-romanin-dueli-te-agron-tufes/