Agron Tufa: Libri që më ndryshoi mendjen? Proza e Kafkës, poezitë dhe esetë e Brodskijt

Pyetësori “Librat e jetës sime”

Libri që po lexoj ndërkohë

Po përfundoj (rilexim) faqet e fundit të romanit “Uliksi” të James Joyce në shqip, të cilin e kanë konsideruar si një “enciklopedi të modernizmit”. E kam rilexuar kryesisht për të shijuar virtuozitetin e ndërtimit dhe thurjes së romanit dhe sidomos, për parimin e “përroit të ndërgjegjes”, që e identifikon Xhojsin me risinë më të rëndësishme të prozës moderne në shek. XX.

Sigurisht, nuk është një roman që të “argëton” me rreth 1000 faqet e tij. Është një roman-mit (miti rrjedh nën lëkurë), që shtjellon odisenë dublineze të protagonistit Leopold Blumi (dhe të riut Stiven Dedalus) gjatë një dite të vetme (16 qershor 1904), që i bie të jetë dhe dita më e gjatë në letërsinë botërore. Kuptohet, protagonisti është shkaku i ekzekutimit të qindra fijeve të rrëfimit paralel e shumështresor, i cili ngërthen një tablo universale të botës së njeriut modern.

Në “Uliksi” një vëmendje jashtëzakonisht të madhe u jepet zhvillimit të mendimeve, degëzimit të tyre fraktal, përthyerjeve të tij, kryqëzimeve asociative; as tek Proust-i, as tek Virginia Woolf përroi i ndërgjegjes nuk shndërrohet në një rrethrrotullim të pandërprerë, pa patur as fillim, as fund; ky narracion ngjan më shumë me një thurjeje virtuoze duke shfrytëzuar një shumëllojshmëri fijesh, të një lëmshi të kokolepsur mendimesh të hallakatura, çka ndodh shpesh me vetëdijen e heronjve në prozën psikologjike të kohëve më të vona. Këtë hap vendimtar për saktësinë optimale të mekanizmit të ndërlikuar të lëvizjes së mendimit e hodhi Xhejms Xhojsi. Madje të mendimit të individit bashkëkohor, të çoroditur, që nuk kupton as të tjerët, as vetveten, as logjikën e rrjedhëse së ngjarjeve. Këtu përroi i ndërgjegjes jepet si një karakteristikë e tipit të mendimit dhe vetë përroi psikik, duke dalë si formë artistike e ndërgjegjes, gjen një ekuivalencë të plotë.

Stilin i monologut xhojsian është mimetik, d.m.th., ai kopjon me një afërsi maksimale degëzimin e çuditshëm real të mendimit monologjik, po aq dhe ndërprerjen, mospërmbylljen e tij. Më së shpeshti ky mendim (sikundër dhe mendimi dialogjik) përparon me shtytje – të shkurtra, anipse gramatikisht herë me fraza të përfunduara, herë të papërfunduara.

Episodi me i vështirë I “Uliksit”, në ritmin klasik të përroit të ndërgjegjes, është ai i fundit – “Penelopa”. Ligjërimi rrjedh i papërmbajtshëm, duke shkrirë në një fill unik kujtimet plot kolorit, vlerësimet e hidhura, vetëlëvdatat e kënaqura. Sipas dëshmive të biografëve, Xhojsi ka shfrytëzuar në këtë monolog femëror letrat e së shoqes, që i kanë shërbyer si prototip të Moli Blumit. Xhojsi këtu jep një model të zgjeruar pikërisht të ligjërimit femëror – me ndërkalimet e saj alogjike, me llomotitjen rraskapitëse, me një qorrollepsje të plotë të shkaqeve dhe pasojave. Por femërore këtu (siç e kupton Xhojsi këtë fenomen) na shfaqet megjithatë jo ritmi, por shprehja e botëndjesisë së saj. Nuk kemi këtu asnjë përpjekje për të cekur materien e lartë, duke medituar mbi kuptimin e jetës, problemet e përditshme – të tilla, siç janë nginjur cit monologjet e Blumit dhe Stiven Dedalusit. Të gjitha gjykimet mbi shoqet, veshjet, kujtimet e burrave të huaj, – janë ekstremisht të rëndomta, të vrazhda, të kthyer së prapthi. Femra na del në këtë episod një përllogaritëse cinike, epshore, një çiftëzuese e vetëkënaqur, e djegur për t’u palluar, që e imagjinon veten të papërsëritshme. Xhojsi ka demonstruar mjeshtërinë, me të cilën ai di të individualizojë përroin e ndërgjegjes, këtë “makinë narrative”, që s’rresht së monologuari në psikikën e karaktereve..

Përkthimi në shqip nga Ildlir Azizi, mendoj se është një heroizëm i veçantë kulturor, me leksikun jashtëzakonisht të begatë, elastik, atipik, here-herë gjithë kolorit, me ekuivaleca kulturore situatash, kalamburesh, dialektesh e rebusesh të shumta egzegtike, sikurse është vetë ligjërimi avanguardist i Xhojsit. Përkthimi i “Uliksit”, mendoj se ka mbetur padrejtësisht, i pa vlerësuar sa duhet, duke llogaritur shkallën më të epërme të vështirësisë së këtij përkthimi.

Libri që më ka ndryshuar jetën

Nuk besoj se është vetëm një libër, por ndër to, do veçoja ndikimin e jashtëzakonshëm që ka pasur romani i Servantesit “Don Kishoti i Mançës”. E kam nisur ta lexoj qëkurse e bleva (nga klasa e gjashtë) dhe nuk di sa herë e kam rilexuar. Hera e fundit qe gjatë kësaj vere. Pse ka ndikuar? Sepse “Don Kishoti…” mendoj se është një libër mbi magjepsjen, mbi magjepsjen e pavend në një botë të pamagjepsur dhe për absurditetin e magjepsjes në tërësi. Sepse çmenduria e tij është një “çmenduri e urtë”. Sepse në cilësinë e njeriut të privuar nga çdo ndjenjë realiteti, i fandaksuri i Mançës u bë nën penën e Servantesit mishëruesi tipik i “donkishotizmit”, thelbi i të cilit përfaqëson një përmbajtje jetësore tepër reale. Don Kishotët u shfaqën në shekuj të ndryshëm tek popuj të ndryshëm. Donkishotizmi është i mundshëm si në jetën personale, aq dhe në atë kolektive. Me të mund të ndeshesh edhe në politikë, edhe në art, edhe në shkencë.

Kam qenë kategorikisht kundër shpjegimit dhe orientimit që i ka bërë F.S Noli simbolikës së Don Kishotit në introduktën e tij, kur shkruan: “Servantesi zgjodhi si heronj të veprës së tij dy nga tipat më reaksionarë dhe mesjetarë: bejlurçinën , sojliun e fandaksur  katunditDon Kishotin e Mançës, dhe laron, sejmenin, fshatarin e varfër e të paditur, Sanço Pançën, që marrin përsipër ta kthejnë prapa botën”.

Unë mendoj se duke i dhënë Don Kishotit tipare aq simpatike, duke e paraqitur atë si përparimtar, luftëtar i drejtësisë, Servantesi në të njëjtën kohë e vendos heroin e tij vazhdimisht në situata qesharake dhe absurde. Kjo shpjegohet jo vetëm me tendencën parodike që përshkon romanin. Sepse shpirti i bukur i Don Kishotit është i pafuqishëm të ndryshojë ndonjë gjë në këtë botë ku mbretëron egoizmi dhe hipokrizia. Nëpërmjet një rrëfimi ironik dhe alegorik, autori na ofron personazhe të tëhuajësuar, të cilët nuk përkojnë me realitetin dhe kontekstin e përditshmërisë.

Duke e transformuar motivin e “paranojës” së heroit në çmenduri sakrale, Servantesi e paraqet “çmendurinë meditative” të Don Kishotit si një gjendje të vetëdijes së njeriut, i cili gjendet në konditat e lexuesit të krijuar prej tij në procesin e leximit të tekstit. Por Don Kishoti është jo vetëm poet, ai, me gjithë çmendurinë e tij, është dhe një mendimtar fisnik, një njeri i mendimeve të mëdha. Sipas vërejtjeve të priftit, “ky hidalgo i mirë këput broçkulla, vetëm atëherë kur bëhet fjalë për temat e kokëkrisjes së tij, por, kur biseda është për diçka tjetër, ai arsyeton me mendje jashtëzakonisht të shëndoshë, duke dhënë gjykime të kthjellta e mendjemprehta në të gjitha pikëpamjet…” (I, 30).

Më pëlqen një shprehje e Bajronit për Don Kishotin: “Nga të gjitha rrëfimet, ky është rrëfimi më i pikëlluar dhe megjithëse i pikëlluar, na shtrëngon të qeshim”.

Libri që do të doja të kisha lexuar

Janë disa libra, përgjithësisht joletrarë, por filozofikë, duke filluar që nga Platoni e deri te Hajdegeri. Janë libra filozofësh, me të cilët kultura jonë përkthimore amtare ka një vakuum të tmerrshëm. Sigurisht dhe libra të historikë, albanologjikë dhe sidomos memuaristikë.

Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia

Kanë qenë disa, sepse nuk bën vaki që të ndodhë menjëhershëm ndikimi i vetëm një libri, ndonëse në një romanin “Jeta e re” të Orhan Pamuk personazhi pikërisht këtë pohon, që në frazën e parë: “Sesi njëherë, me qëlloi të lexoj një libër, që e ndryshoi krejt jetën time”. Mua s’më ka ndodhur kjo, ose edhe në pastë ndodhur, unë nuk e kam marrë vesh.

Në fillim të rishtarisë sime, kur gjymtyra e shkrimit ishte e brishtë, ndikim të madh kanë pasur disa prej poezive dhe romaneve të Kadaresë, sidomos “Kronikë në gur” dhe “Pallati i ëndrrave” (qysh në versionin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”). Gjatë viteve nëntëdhjetë përfytyrimet e mia për letërsinë njohën dhe qiej të tjerë me leximin e Camajt, Dostojevskit, Eliotit, Rilkes, Prustit dhe sidomos Franc Kafkës.

Libri që më ndryshoi mendjen

Duhet kërkuar në ethet e leximit të viteve tetëdhjetë, kur lexoja mbarë klasikët e romanit të shek. XIX: Gogoli, Tolstoi, Çehovi, Floberi, Balzaku, Hygoi dhe Dikensi. Mendoj se nuk ka një libër të vetëm, vetëm nese me një libër të vetëm kemi parasysh “romanin realist të shekullit XIX”. Ndryshimin më të ndjeshëm të idesë sime mbi letërsinë, e shënoi njohja me prozën e Franc Kafkës dhe, pak më vonë, me poezinë dhe esetë e Josif Brodskijt.

Libri i fundit që më bëri të qaj

Janë përherë të njëjtët libra: letërsia memuaristike shqiptare, sidomos dëshmitë e të mbijetuarve të kampeve dhe burgjeve të diktaturës komuniste, por dhe dëshmitë në trajta të tjera si ditaret. Tash së fundmi, një i tillë, ditari i shkrimtarit kosovar Xhemail Mustafa (i vrarë në vitin 2001)  me titull “Lutje për Prishtinën”, më ka bërë të qaj disa herë, me dramacitetin dhe ankthin e ditëve të tmerrit, kur Kosova zbrazej prej shqiptarëve që dëboheshin, të tjerëve që masakroheshin dhe askush nuk ishte e sigurt se e mbërrin të nesërmen. Ditari “Një lutje për Prishtinën” padrejtësisht i harruar, përshkruan mbijetesën e një familjeje, që nuk e braktis qytetin, gjatë bombardimeve të NATO-s.

Libri i fundit që më bëri të qesh

“Katundi midis malesh”, një vëllim i ri me tregime i shkrimtarit Ramiz Gjini, që do të botohet ndoshta këtij viti. Grotesku konstant e mjeshtëror dhe situatat plot kolorit absurd, ashtu si dhe në tregimet e vëllimeve të mëparshme të këtij autori, më bëjnë të qesh edhe tani, pas dy muajsh nga leximi.

Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende

Gargantua dhe Pantagryeli”, romani i Fransua Rabëlesë (François Rabelais «Gargantua et Pantagruel»), që është dhe stërgjyshi i romanit europian.

Librat që kam dhuruar

Kam dhuruar libra që i vogël, në fillim për të shpërndarë në shkollë virusin epidemik të leximit; më vonë u kam dhuruar personave të veçantë autorët e mi më të dashur.

Një herë, me 1986, një gjimnaziste në Peshkopi ma ktheu librin e dhuruar (ishin poezitë e zgjedhura, të sapobotuara, të Robert Bërnsit me përkthimin e Agollit), pasi familja e saj me pozita të larta në KP të qytetit, siç mora vesh më vonë, ishte shqetësuar shumë, mos përmes kësaj dhurate (greke, me gjasë) synoja të krijoj një lidhje serioze dashurie me të bijën; familja e detyroi vajzën të mos takohej me mua, duke i caktuar, madje, si gardian shoqërues vëllain e saj të madh.

Kam dhuruar vazhdimisht libra, me qindra, si akte bamirësie publike, nëpër bibliotekat e djegura të qyteteve në vitin 1997, në universitete, në burgje e deri në Preshevë.

Libri me të cilin dua të mbahem mend

Për deri tani, zgjedh romanin tim të parë “Dueli”. Mendoj se metafora dhe thelbi filozofik i këtij romani përfaqëson dhe poetikën e romaneve të mia të mëvonshme. Por mund të ndryshoj mendim me botimet e tjera.

Leximi që me jep rehati

Varet nga natyra e librit që lexoj. Më pëlqen të lexoj mbështetur me shpinë pas jastëkëve, në krevat, por edhe shtrirë, përmbys. Kur kam të bëj me tipin e leximeve me shënime, atëherë lexoj në tavolinë.

Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar

Libri i zi i Komunizmit” (fr. “Le Livre Noir Du Communisme: Crimes, Terreur et Repression), me autorë: Stéphane Courtois, Nicola Verth, Jean-Louis Pané, Andrzej Paezkowski, Karel Bartosek, Jean-Louis Margolin. Libri me gjashtë autorët, studiues të jashtëzakonshëm, sjellin një peizazh të krimit e horrorit masiv të regjimeve komuniste, kryesisht pas luftës së dytë botërore, me vdekjen e mbi 100 milion njerëzve. Libri, ka pasur dhe një botim fantazmë në shqip dhe kurrë nuk pati një ndërmarrje për ta botuar si duhet te ne këtë libër, themelor për ndërgjegjen qytetare të njerëzimit. Në këtë libër mungon përvoja e tmerrshme e krimeve të komunizmit shqiptar: autorët, që e kanë shkruar librin, nuk kishin asnjë mundësi të informoheshin mbi krimet e komunizmit shqiptar, ndonëse ky libër është botuar, së pari në Paris me 1997; përkthimi në anglisht është botim i Universitetit të Harvardit me 1999.

Intervistë për gazetën letrare ExLibris, 11 tetor 2021 (Agron Tufa: Libri që më ndryshoi mendjen? Proza e Kafkës, poezitë dhe esetë e Brodskijt — ExLibris)