Me Kosovën e pavarur nis shërimi i Serbisë*

 

Radio-TV “Jehu i Moskës” (Eho Moskvi):

Intervistë me Agron Tufën

V.Dimarskij: Edhe njëherë mirëmbrëma, të nderuar dëgjues. Po vazhdojmë programin “Tymi i atdheut”, dhe në pjesën e dytë të tij do të kemi një mysafir të rrallë, përderisa një shqiptar i rrallë sapo erdhi nga qendra e Moskës. Kemi të ftuar Agron Tufën, shkrimtar, studiues, kryetar i këshillit drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, profesor i Universitetit të Tiranës, pra një njeri-orkestër.

V.Rizhkov: Por më e rëndësishmja është se ai flet rusisht, ka studiuar në Rusi, e njeh mirë dhe vendin e vet dhe situatën në Ballkan. Nuk nuk mund ta linim të na shkiste dore kjo mundësi, ndaj e ftuam në studio.

V.Dimarskij: Dhe një mundësi të tillë na e dha revista “Pikëpamja e re letrare”, e cila organizon në Moskë Konferencën Ndërkombëtare me një temë të koklavitur “Revolucioni përmes ndjesive tona” dhe Agron Tufa është pjesëmarrës në këtë Konferencë.

Për çfarë mund të flasim sonte me njeriun që ka ardhur nga Shqipëria? Për Kosovën.

А.Tufa: Faleminderit për ftesën.

V.Rizhkov: Ne e njohim shumë mirë këtë histori, e njohim mjaft mirë historinë e vetëshpalljes së pavarësisë së Kosovës, dimë reaksionin e Uashingtonit, Parisit, Beogradit, Berlinit, Moskës, por nuk dimë gjë, se si u prit pavarësia dhe njohja e pavarësisë së Kosovës në Shqipëri, aq më tepër, që bëhet fjalë për shqiptarët dhe shtetin shqiptar. Ndoshta ju do të tregoni për dëgjuesit tanë, si e pritën këtë lajm në Shqipëri, çfarë pret Shqipëria prej kësaj ngjarjeje në të ardhmen, cilat janë pasojat e para për popullin tuaj dhe vendin tuaj?

V.Dimarskij: Dhe, në përgjithësi, ia vlen vallë të presim në hartën e Europës shfaqjen e Shqipërisë së Madhe?

А.Tufa: Ndoshta me këtë është mirë t’ia nisim. Është, padyshim, një mitologji e re – Shqipëria e Madhe – sepse sipas meje, kjo është një mitologji krejtësisht absurde. Ekziston thjesht Shqipëria natyrale, banorët shqiptarë dhe teritoret shqiptare – përse nuk përdorin këtë term për çdo shtet e çdo popull? Për shembull, Serbia e Madhe – ka më shumë prova, më tepër pretendime, se sa Shqipëria e Madhe. Duhet thënë, se Konferenca e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, që u mbajt shekullit të kaluar në Londër me 1913 i bëri një padrejtësi të madhe kombit shqiptar, duke e ndarë atë krejtësisisht përgjysmë – nisur nga situata, që u krijua fill pas rënies së Perandorisë Otomane. Të gjithë shkrimtarët, ideologët e lindur shqiptarë, përgjatë gjithë shekullit XX, të tillë e kanë përjetuar këtë ngjarje – si padrejtësi të tmerrshme, dhe të gjithë janë përpjekur të krijojnë me veprat e tyre tërësinë e atdheut, për të ndrequr atë, që quhet …

V.Rizhkov: padrejtësi, e cila ngjau.

А.Tufa: Po, le ta themi, gjymtim.

V. Dimarskij: Atëherë ju jeni kundër termit “Shqipëria e Madhe”.

А.Tufa: E refuzoj.

V.Dimarskij: E refuzoni termin “Shqipëria e Madhe”, kur ka një popull dhe një territor – ju me nocionin e territorit të Shqipërisë përfshini dhe Kosovën?

А.Tufa: Sigurisht. Sepse atje është krijuar një mitologji e dendur për Kosovën – nga beteja e Fushë-Kosovës (1389), sa që gjithë historiografia serbe dhe ruse – e ka konsideruar atë si pjesë të Beogradit, dhe nuk kanë shqyrtuar faktet shkencore, historike, dokumentat, të cilat ekzistojnë nga kohërat e perandorisë Bizantine, të Perandorisë Otomane, arkivat veneciane. Dhe nëse e kundrojmë esëll tablonë, ajo na del krejt e përkundërt me këtë mitologji. Pra, Kosova nuk ka qenë asnjëherë ajo, që serbët e quajnë “Djepi kulturor i popullit serb”. Sepse historia e Kosovës shkon paralel me historinë e Kishës – romane dhe bizantine. Nëse përqendrohemi në këto të dhëna dhe e receptojmë mirë situatën e krijuar, e cila quhet “skizma”…

V.Dimarskij: Çarje.

А.Tufa: Po. Atëherë gjithçka qartësohet. Unë kam lexuar në mediat ruse ide kryefund të sëmura, paranoidale, se si në fund të luftës së Dytë janë dërguar nga Shqipëria në Kosovë mbi 450 mijë shqiptarë të Shqipërisë – e kjo është shkuar përrallës.

V.Rizhkov: Po si qëndron e vërteta?

А.Tufa: E vërteta është se atëherë Shqipëria asokohe mezi ia dilte me problemet e veta; në Shqipëri mbretëronte terrori.

В.Rizhkov: Unë po flas për tjetër gjë. Në fillim të emisionit tonë, ju thatë, se për asnjë “Shqipëri të Madhe” nuk bëhet fjalë. Por, gjithçka që ju flisni, pohon në të vërtetë pikërisht këtë ambicie. Sepse pyetjes së Dimarskit, ju ju përgjigjet që, gjithkund ku jetojnë shqiptarët, duhet të shtrihet një shtet i përbashkët. E pikërisht me këtë kuptohet “Shqipëria e Madhe”.

А.Тufa: E kuptoj mirë ku rreh pikëpamja juaj, por jam i shtrënguar t’ju them, se ekziston Shqipëria natyrale, e jo Shqipëria e Madhe – këto janë nocione të ndryshme.

V.Dimarskij: Domethënë, ju nuk keni pretendime për një fuqi të madhe.

А.Тufa: Nëse me këtë ju keni parasysh shtetin – kjo është gjë tjetër. Këtë unë nuk mund ta them, e aq më tepër, ta parashikoj, megjithëse dëshira ekziston dhe është e dyanshme.

V.Rizhkov: Ju keni parasysh dëshirën e Kosovës dhe të Tiranës?

А.Тufa: Sigurisht. Kemi një popull, i cili flet një gjuhë, ka një histori kulture. A mund ta quajmë mëkat të madh bashkimin e dy Gjermanive? Me Shqipërinë dhe Kosovën situata është edhe më e ngushtë. Nëse kemi parasysh, atë që Gjermania qe e ndarë dhe më pas u bashkua …

V.Dimarskij: Ju mendoni se kjo përbën një precedent?

А.Тufa: Për popullin shqiptar kjo madje nuk mund të përbëjë as precedent, përderisa në të dy anët, ai është më i afërt në kuptimin kulturor dhe në të gjitha kuptimet e tjera.

V.Rizhkov: Nëse ndjekim logjikën tuaj, mund të shkojmë edhe më larg. Përderisa, me sa di unë, ka territore shqiptare në Mal të Zi, ku jetojnë në mënyrë kompakte shqiptarët, ka territore në Maqedoni, ka rajone kompakte ku jetojnë shqiptarët në Greqi. Dhe pikërisht kjo shkakton alarm tek fqinjët – që Kosova mund të shërbejë precedent, e si rezultat, të gjitha pjesët e reja me popullsi shqiptare do të shkëputen nga Greqia, nga Mali i Zi, Maqedonia dhe që, dalëngadalë, do të formësohet ajo që gazetarët e quajnë “Shqipëria e Madhe”.

V.Dimarskij: Madje edhe sikur Shqipëria të mos ketë pretendime për madhësinë.

V.Rizhkov: Por në fakt ka një rrezik të ri të rishikimit të kufijve, konfrontime të reja të përgjakshme. Aq më tepër që, ju e mbani mend konfliktin në Maqedoni, boll të përgjakshëm. Si do t’i përgjigjeshit këtij rreziku?

А.Тufa: Do t’i përgjigjesha, për shembull, kështu – Shqipëria në përgjithësi nuk ka pretendime të tilla në nivelin e politikës shtetërore, aq më tepër kur është fjala për kosovarët – ata janë krejt të kënaqur me sa arritën. Gjykuar nga përfaqësuesit e politikës kosovare, ata gjithmonë e kanë refuzuar një pretendim të tillë. Ata janë të kënaqur të konsolidojnë shtetin e Kosovës, sepse kanë gjysëm shekulli që jetojnë ndaraz nga Shqipëria – kanë formuar një lloj subkulture të tyre, jo në kuptimin e gjuhës dhe letërsisë, por nëmënyrën e jetesës dhe marrëdhënieve ekonomike. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në mënyrë kompakte në Maqedoni, asnjëherë nuk e kanë pretenduar shkëputjen. Ata përpiqen me të gjitha forcat të mbrojnë të drejtat e tyre, si grupi më i madh etnik shtetformues në krijimin e vetë shtetit të Maqedonisë.

V.Rizhkov: Dhe nuk ngrenë çështje për pavarësim, për autonomi, apo për autonomi territoriale?

А.Тufa: Nuk kanë ngritur çështje të tilla. Ata janë pjesëmarrës në parlamentin maqedon.

V.Rizhkov: në jetën politike të Maqedonisë.

А.Тufa: në të gjitha nivelet e qeverisë.

V.Dimarskij: Kam edhe dy pyetje. Njëra i përket së shkuarës, tjetra – së ardhmes. Fillojmë me atë që i përket së shkuarës – kur ju përgënjeshtruat gazetarët rusë, të cilët kanë shkruar mbi dërgimin e kolonëve shqiptarë nga Shqipëria në Kosovë – unë jam njëri prej tyre, po jua them krejt sinqerisht. Sepse me të dhënat që pata mbledhur dhe parë asokohe, sipas meje, mareshalli Tito, kishte idenë e krijimit të Jugosllavisë së madhe pas luftës dhe për këtë, ai pati në fillim bekimin e tovarish Stalinit, po mandej kur ata u grindën, kjo ide ra – dhe Tito hapi kufijtë. Ai mendonte, se Shqipëria do të përfshihej në këtë konfederatë të madhe Ballkanike.

А.Тufa: Mendonte.

V.Dimarskij: Po. Dhe prandaj ai nuk i trembej shpërnguljes së shqiptarëve në Kosovë, dhe se atje, gjithësesi, të shpërngulur ka pasur.

А.Тufa: Nuk mund ta mohoj idenë, por nuk mund të mos pohoj dhe të kundërtën – që ka dëshmi nga banimet shqiptare, mbi të cilat njëherë në çdo 15-20 vjet ushtroheshin spastrime të ndryshme etnike nga ana e nacionalistëve serbë, brenda po atij sistemi socialist-nacional-komunist dhe kurrënjeherë, asnjë shqiptar nuk është larguar me vullnetin e vet nga Kosova. Prandaj këto teori unë i quaj tepër naive dhe krejt pa bazë.

V.Dimarskij: Tani pyetja e dytë, që ka të bëjë me të ardhmen. Lidhur me atë që sapo thatë, a mund të mendojmë apo prognozojmë, që akti i freskët i shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj prej shumë fuqive perëndimore, a do të përbëjë kjo hapin e parë në rrugën e mëtejshme për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?

А.Тufa: Po, kam menduar edhe vetë jo pak mbi këtë prognozë. Mendoj se nuk ka ndonjë nevojë dhe se nuk shoh ndonjë gjasë të ndodhë. Për arsyen e thjeshtë, që perspektiva e të gjitha shteteve ballkanike, e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, por edhe e Serbisë është pashmangshëm hyrja në BE.

V.Rizhkov: Si shtete të veçanta.

А.Тufa: Si shtete të veçanta. Unë mendoj se pikërisht Kosova do të shërbejë si momenti i parë e i dalëngadalshëm i shërimit të nacionalistëve serbë – pa zënë në gojë ato krime makabre e ngjethëse që i kryen në Kosovë – jo vetëm spastrimet etnike dhe përdhunimet e femrave të pambrojtura, të vrarët dhe të zhdukurit – dhe ato jo nga viti 1990 e këtej, por përgjatë gjithë shekullit. Dhe Kosova do të shërbejë në këtë kuptim si një precedent shumë i mirë i shërimit të kësaj paranoje të rëndë. Por edhe Serbia vetë do ta përjetojë krejtësisht ndryshe dhe vetë do të distancohet nga mitet nacionaliste – pra, atë që unë e quaj hapin e parë drejt humanizmit të përbashkët europian.

V.Rizhkov: Me të vërtetë, në Rusi, nëse merr të pyesësh njerëzit e zakonshëm në rrugë, atëherë gjithë tabloja paraqitet me sytë e Beogradit – kjo është menjëmend kështu.

А.Тufa: Sigurisht.

V.Rizhkov: Sepse akcenti vendoset pak a shumë i tillë – epo, diç mund të jetë tepruar atje gjatë kohës së Millosheviçit, pakogjë gjithësej, por si kundërpërgjigje UÇK-ja filloi të vrasë serbët, të djegë, shkatërrojë manastiret ortodokse, të dhunojë.

А.Тufa: Kjo është gënjeshtër e lemerishme.

V.Rizhkov: Na thoni, për aq sa dini të vlerësoni, – sa ikanakë e lanë Kosovën në vitet ‘90, duke emigruar, kryesisht, në Shqipëri dhe Maqedoni, duke i shpëtuar ushtrisë jugosllave?

V.Dimarskij: Serbët kanë ikur prej shqiptarëve, apo prej kosovarëve?

А.Тufa: Do t’ju flas për atë, që ju e theksuat me të drejtë – në Rusi gjithçka e perceptojnë përmes Beogradit – në përgjithësi gjithë çështjen shqiptare, edhe Shqipërinë, edhe Kosovën. Kjo është kaq e padrejtë, saqë kur isha student i Institutit të Letërsisë “Gorki” në Moskë, më ikte truri nga shkalla e padrejtësisë dhe nga mungesa e dëshirës për të kërkuar anën tjetër të çështjes. Juve ju kujtohet mjaft mirë, kur (në fillim të konfliktit etnik në Kosovë me 1999)  në të gjitha telekanalet kryesore moskovite, edicionet e mbrëmjes i hapte, për 5-10 minuta, vetë ambasadori jugosllav, Borisllav Millosheviçi, vëlla halis i Sllobodan Millosheviçit. Dhe kurrë, asnjëherë unë nuk pashë një përfaqësues të çështjes shqiptare. Mua vetë më kanë refuzuar botimin e artikujve.

V.Rizhkov: Na thoni për auditorin tonë një vlerësim të thatë – sa viktima ka patur, sa të ikur ka patur në vitet ‘90.

А.Тufa: Flasim thjesht për luftën. Në rrugë zyrtare, prej organizatave të huaja, është përcaktuar, që një milion e ca njerëz, kosovarë ikanakë u strehuan në Shqipëri, një pjesë në Maqedoni, dhe pastaj, një numër prej disamijë të ikur, janë strehuar në shtete të ndryshme të Europës. Dhe gjëja më e tmerrshme është, se një pjesë e madhe e serbëve vendalinj kanë marrë pjesë në vrasjen masive të shqiptarëve të pambrojtur (pogrom-e) dhe në përdhunimin e femrave – një episod tragjik i pashoq.

V.Rizhkov: Po tani, këta të ikur, qindramijëra, janë kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë, apo një pjesë e tyre ka mbetur në Shqipëri? Sa ikanakë ka tani në Shqipëri nga Kosova?

А.Тufa: Të gjitha janë kthyer në shtëpitë e tyre. Por nëse e kundrojmë mirë çështjen e ikanakëve serbë, duhet të ndalemi në një dukuri të tillë – ata ua shitën shumë shtrenjtë shtëpitë e tyre kosovarëve vendalinj. Motivimi për kosovarët ishte t’i blinin shtëpitë me çfarëdo çmimi, pra, serbët duhej të bënin një operacion shumë të hollë e logjik – ata shitën shtëpitë dhe ikën, për të mos u ballafaquar më një faqe tjetër të krimeve të luftës. Por nëse marrim parasysh hetimet sociologjike – atëherë një përqind e gjysëm e serbëve i kanë shitur tokat, shtëpitë, pronat dhe nuk duan më të kthehen, por ka nga ata që duan dhe luten të kthehen sërish, ngase, dihet, që Kosova, sigurisht, e quan veten shtet multinacional.

V.Rizhkov:Në lidhje me këtë dua të bëj një pyetje principiale për të gjithë – aty (në Kosovë) jetojnë përafërsisht njëqindmijë serbë. Ju na thatë se Kosova do të synojë të hyjë në BE – si mendoni ju, a mund të jetojnë prapë bashkë, serbët dhe kosovarët, pas gjithë asaj që ka ngjarë gjatë shekullit XX ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve?

А.Тufa: E dini çfarë? Unë prapë besoj, i besoj një njeriu të ekuilibrua, lideri të komunitetit serb, Oliver Ivanoviçit, i cili e njeh shumë mirë psikologjinë dhe moralin e shqiptarëve të Kosovës, flet shkëlqyeshëm gjuhën shqipe, dhe vetë ai, deri më tash, ka refuzuar të bëjë përqasje ekstremale, ngase ai dëshiron që të gjithë të jetojnë paqësisht në një shtet.

V.Dimarskij: Të dëshirosh është një gjë, por a munden vallë?

А.Тufa: Nëse Serbia, dhe liderët e saj nacionalë, të tipit Vojesllav Sheshel dhe traditës së tij nuk do të provokojnë pafundësisht, sikundërse kanë bërë këto ditët e fundit në Mitrovicë, atëherë s’do të ketë asnjë problem, domethënë, gjithka do të përfundojë mirë. Meqë ra fjala, kjo, në shumë pika, nuk është krejtësisht tabloja e urrejtjes midis kosovarëve dhe serbëve, por është diç krejt tjetër.

V.Dimarskij: Faleminderit shumë që morët pjesë në emisionin tonë – për ne ishte shumë e rëndësishme të dëgjonim opinionin tuaj. Dhe mendoj, se do të kemi rast të dëgjojmë opinionin e dëgjuesve tanë – na kanë mbërritur shumë pakënaqësira me SMS të tipit, pse e lejuat këtë njeri të dalë direkt në efir dhe të thotë ato që tha, – mendoj , se ky është një reaksion i padrejtë i dëgjuesve. Përderisa, siç pati absolutisht të drejtë gospodin Tufa, ne praktikisht kurrë nuk kemi marrë mundin ta dëgjojmë palën e përkundërt, dhe se argumentet e saj duhen dëgjuar dhe me çdo mënyrë duhen marrë para sysh.

*Intervista është dhënë me 24. 04. 2008 në “Eho Moskvi”.
Adresa e origjinalit në rusisht: http://www.echo.msk.ru/programs/smoke/509967-echo/

https://echo.msk.ru/sounds/509967.html