Lilitë*

Dromcat e territ shkoqen e bien –
tespihe të zeza përtruall.
Ti rishmi ua shkon kokrrave fijen
dhe terrin e mbledh përkundruall.
Ç’engjëll besëlashtë ta kallëzoi gjestin
gjithë hir të më bësh reveransë?
Fisnik dro kam qenë që gjestet më prekin,
a ndoshta poet në Provansë?

Ndjej terrin tinzar të mbushë çdo enë,
pa prekur mesdita, as mbrëmja.
E ngre dhe e kthej gurmazit si venë
terrin me shtëmba të rënda.
Me bie në kokë kjo venë e trashë
dhe shapin e shpirtit ma trand.
Në rrashtë pëlcet me dijen e lashtë
që ruajti kaq vjet kontrabandë.

Këputet e bie  çikrik qetësia
pusesh që plasin – shkundull.
Në rrathë shpërhapen ëndjet e mia –
dyndet kujtesa e turbullt:
Dallëndyshja që nisa ra e përgjaku
një valë e terrtë e pluskon…
dhe bef për një timtë sytë m’i përflaku
profili yt si grifon.

Ja kopshtet… rimbushen rishmi statuja
me shpurë e skllevër t’kalosh…
kur shpata të bjerë, kur zjarri, rrëmuja
tempujt t’i vënë përposh –
tjetër perandori do kesh ti ndërruar
në tjetër kohë e shkëlqim –
dhe rishmi në sytë e tu t’yllësuar
bie viktimë fati im.

S’do mundem ta shpreh me fjalë vdektarësh
grimëkohën kur syri yt
më kallet si ethe margaritarësh
dhe shapin e shpirtit trondit.
Ti flegrat m’i mbush athtësira disfatash –
pikëllime e pezme pa mort:
jo dashurinë! – vringëllima shpatash
vjen e më shtie për short.

S’do mundem t’i shmangem misterit shtangues
që më ngallmon kjo seancë:
ti vjen dhe skenarin paracaktues
shpalos me këtë reverancë.
Përvoja të lashta hidhërimi të ri
rishmi na shtyjnë në rol:
të shpik pra, më duhet, një histori
vetveten ta kem nën kontroll!

* Lilitë, sipas një legjende apokrifike biblike, ishte gruaja e parë para Evës, e bukur, tunduese, simboli i femrës pasionante, të pabesë dhe shkatërruese.