De arte poetica

Të ngasësh fjalët e para, thjesht, për t’i dhënë
kohë mendimit
Të ndrydhë trajektoren e lirë në hark vullneti
gotik.
Të çlirosh hapësirën brenda  vrundujsh të amullt
pështjellimi
Dhe kordat e Frymës të dridhen me pathos e rreshk
heraldik.
Fundamentit me duda të enjtura, mure stërdhëmbësh
t’i dalin.
Mbi materialin bajat Frymorja, përposh ta shtypë
materialin.
Mes teje e Zotit distancën shkurtoje gur e mbi
gurë,
Dhe sendet hipnotizoji me thelbe në kur dhe
                                             askurrë.
Së mbrami kupola me shtizë, kur qiellin në parzëm
ta shpojë,
Kur një tjetër rrjedhë Kohe shigjeta e saj do
shënojë –
Katedralen që ngrite ti, prorë, s’do presësh / përcjellësh
njeri,
Veç ernat e vjeshtës së vonë do marrin e japin
me ty –
Do çirren qemeresh të ftohta dhe shakull do bien
për troll,
Si firmë fillikate dhe ti, do fikesh përnën
kapitol –
Pa sosur mendimin e sprasëm – pezullinë shtegëtare
ndër vite:
Përse, për kë dhe për çfarë, ngrehinën ku vdiqe
e ngrite?

                                                                            Moskë, 18. 11. 2000.