Adhurimi i viktimës për persekutorin

 Prof. Dr. Artan FUGA

  1. Duelet e Servantesit dhe Dueli i Agron Tufës

Marrëdhënia midis persekutorit, viktimës dhe mbrojtësit të saj (dalëzotësit), është shumë e ndërlikuar.

Sidoqoftë, në letërsinë klasike ndeshim një skemë estetike tepër të konsumuar dhe të ngurtë të këtyre marrëdhënieve. Zakonisht atje, sikurse në folklor, në trashëgiminë tonë letrare, gjejmë një vështrim heroik të kësaj marrëdhënieje, por ama të cekët. Viktimat mund të simbolizojnë një femër, një fëmijë, një njeri të dobët në personalitet, një shtresë të caktuar shoqërore, gjithë kombin, Atdheun. Sidomos në kulturat patrimoniale,  kombi, populli dhe atdheu të shtypur dhe të keqtrajtuar kuptohen simbolikisht si një femër, motër, nënë, e dashur e përdhunuar. Viktimat vriten, gjakosen, keqtrajtohen nga dhunuesi, i cili simbolikisht mund përfaqësojë një maniak seksual, një diktator, një parajonak, një pushtet të korruptuar. Ato dalin të mbrojtura nga njerëz heronj të pastër moralisht, nga intelektualë, nga rezistues, nga të dashuruar erotikë pas viktimës, nga kontestatorë idealistë të dhënë pas kauzës së drejtësisë, nga OJQ që mbrojnë të drejtat e individëve, etj. Pothuajse në çdo rast, pas shumë përpjekjesh, pas disfatash, pas humbjesh të dhimbshme,  dalëzotësi, në këtë lloj letërsie, e mund dhunuesin dhe pasi merr hak duke rivënë në vend drejtësinë, e shpëton viktimën që i mbetet për jetë mirënjohëse atij.

Sigurisht i jemi mirënjohës Servantesit të madh për thyerjen magjistrale që i ka bërë skemës së marrëdhënieve të ngurta midis dhunuesit, viktimës dhe dalëzotësit.

Pa e mohuar realitetin e skemës së mësipërme, duhet thënë se marrëdhënia në fjalë është shumë më e gjerë sesa kaq.

Mund të ndodhë që mbrojtësi i del për zot një viktime ndonjëherë imagjinare, që në fakt, duke mos u ndjerë asfare viktimë, ka të drejtë të druhet më tepër nga mbrojtja e  ofruar sesa nga vetë rreziku real që i vjen prej një persekutori. Ndërsa dhunuesi i viktimës ndonjëherë nuk ekziston veçse në fantazinë e  dalëzotësit të saj, i cili për t’i dhënë kuptim jetës së vet, për të shuar deliret dhe për të hyrë në histori, prodhon një dhunues imagjinar duke luftuar kështu me mullinjtë e erës. Dalëzotësi i ekzaltuar në këtë rast gabohet edhe prej dëshmitarëve dhe ndjekësve të veprave të tij sepse ata në vend t’i thonë : « Ej zgjohu ! », i flasin në atë mënyrë që i shkon për shtat universit imagjinar të tij duke e shtyrë edhe më keq drejt irreales. Dalëzotësi humbet kështu çdo lloj mundësie verifikimi të vetes se vet. Të gjithë  pasuesit e tij, Sançot, e ndjekin pas, ca për forcë zakoni, ca për qëllimet e tyre të vogla, ca se nuk kanë se me çfarë të merren tjetër, dhe ca duke nënqeshur me djallëzi të fshehtë ndaj zotërisë së tyre.

Mendoj se duhet t’i jemi shumë mirënjohës edhe shkrimtarit me talent krejt të veçantë Agron Tufa sepse në romanin e tij të mrekullueshëm Dueli, na paraqet estetikisht një spektër shumë të gjerë dhe të ndërlikuar marrëdhëniesh midis dhunuesit, viktimës dhe mbrojtësit të saj, që i ka munguar mizorisht jo vetëm letërsisë shqiptare, por edhe kujtesës sonë kolektive që ka qenë shpesh e ideologjizuar.

  1. Fabulat

Martini Gega është i dashuruar marrëzisht pas Etleva Xh. me të cilën është bashkënxënës në një shkollë të zonave rurale të vendit në kohën e shoqërisë totalizuese. Në këtë dashuri, ai është rival me mikun e tij të ngushtë të shkollës, Medarin. Në një veprimtari sportive Etleva Xh. bën pjesë në ekipin e volejbollit që përfaqëson shkollën në një olimpiadë sportive zonale. Përreth fushës së volejbollit, janë mbledhur lloj lloj njerëzish që admirojnë sa ndeshjen, aq edhe trupat gjysëm të zhveshura të vajzave fshatare dhe, sidomos, trupin e Etlevës. I papërmbajtur tregohet veçanërisht një individ i shëmtuar, epshmadh, i uritur sekualisht, brutal, i shoqëruar nga banda e tij e pamoralshme, që lëshon fjalë të turpshme ndaj Etleva Xh. duke shprehur hapur dëshirat e tij libidinale.
Është shtazaraku Fari Ferra.
Por vetëm fjalë lëshon ky tip, që s’duken se mund të kthehen në veprime konkrete ndaj vajzës. Martini për të treguar trimërinë tij në mbrojtje të saj, dhe se është i denjë për dashurinë që i kërkon, e godet Fari Ferrën. Ky i fundit e kërcënon duke i thënë se do të marrë hak duke e përdhunuar vajzën në sytë tij. Bashkë me bandën e vet, Fariu iu del përpara në një rrëpirë të shkretuar dhe pasi e lidh Martin Gegën, përpara syve të tij, merr hak duke e përdhunuar në mënyrë barbare Etleva Xh.
Kjo është ngjarja kyçe që qendron në themel të të gjitha të tjerave.
Më pas, fokusi i rrëfimit artistik çvendoset në një kohë të tjetër, diku gjetkë, në Moskë. Nga detajet konkrete që tregohen kuptohet se tashmë jemi në kohën e pastotalitarizmit. Pas një sherri, Martin Gega është i detyruar të shkojë në duel me të ngjashmin rus të Fari Ferrës, me Maksin, po aq epshor, brutal, i shëmtuar, persekutor dhe përdhunues  i vajzave të lagjes së tij. Rrugës për në vendin e duelit, në një palestër, 25 rruga Odesa, Martini takon Ljubën që është edhe ajo një vajzë që Maksi – Fari (të gjithë persekutorët janë njësoj) kërkon t’a përdhunojë, sikurse ka bërë me shoqet – komshije të saj. Martini e merr me vete dhe në pritje të Maksit në palestër, e detyron Ljubën që të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Ndërkaq, vjen roja e palestrës dhe pasi iu shfryn inatin e tij për këtë hyrje të pautorizuar në objektin që ka në ngarkim, iu bën të ditur se aty rrotull nuk ka asnjë Maks dhe në fakt asnjë Maks nuk duket atypari. Dueli mbetet i pabërë sepse kundërshtari nuk duket. Ngjarja që ndodh nuk është dueli i shumëpritur midis Martinit – dalëzotës dhe Maksit – persekutor, por dhunimi i Ljubës nga Martini, që në fakt i ngjan përdhunimit të Etleva Xh. nga Fari Ferra.
Ky është vetëm një skelet shumë i thjeshtëzuar i rrëfimit të Agron Tufës, sepse, në fakt, romani i tij është tepër i pasur me ngjarje dramatike të rrëfyera me mjeshtëri, dialogje kuptimplote gjithë gjallëri, skena shumë të gjetura, përshkrime të spikatura karakteresh që i japin romanit një pasuri të papërsëritshme, duke e bërë sa tërheqës aq edhe një dokument që përpihet me një sy pa u lënë të hiqet nga dora.

  1. Lexime

 Te rrëpirat

Atje në rrëpira ndodhin dramat që më pas nuk shkokolepsen më kurrë.
Skena e përdhunimit kolektiv të Etleva Xh. nga banda epshderdhëse e Fari Ferrës është një fushë kuptimore dhe artistike e papërsëritshme. Përdhunesit e lidhin me litarë Martin Gegën dhe Fari Ferra i thotë se ja ku po e mban premtimin për t’a përdhunuar vajzën e re përpara syve të Martinit, si hakmarrje ndaj goditjes dhe ofendimit publik që ky i kishte bërë. I lidhur, i goditur, i torturuar, i tallur, i përbuzur, dalëzotësi Martin Gega, është i detyruar të shikojë skenën e tmershme ku përdhunuesi Fari Ferra bën seks të dhunshëm, barabar, në të gjitha mënyrat e mundshme me të gjorën Etleva Xh.
Mirëpo ajo që na paraqitet si një skenë përdhunimi ka nevojë të lexohet thellë dhe me kujdes sepse vetëm kështu do të mund të ndjekim horizontet kuptimore të kompozicionit narrativ të autorit.
Në fakt Etleva Xh. po përdhunohet në mënyrë raskapitëse dhe barbare jo për shkak se Fari Ferra kishte dëshëruar ndonjëherë ta dhunonte seksualisht vajzën. Nuk dihet nëse fjalët e tij epshshprehëse kishin qenë vetëm fjalë të lëshuara ashtu kot gjatë ndeshjes, sikurse bëjnë ndonjë herë tifozët perversë, apo përbënin parapërgatitje për të kaluar më pas në veprim. Intensifikimi i barbarisë dhe kalimi në aktin e përdhunimit në fakt nuk drejtohej aq shumë ndaj vetë seksit të Etlevës, por si hakmarrje, si inat, si sfidë ndaj dalëzotësit Martin, që gabimisht konsiderohet prej banditëve si i dashuri i vajzës.
Viktima në fakt po vuante kryesisht prej urrejtjes që kishte përfshirë dhunuesit e saj kundër dalëzotësit, mbrojtjen e të cilit vetë viktima as e kishte kërkuar dhe as e kishte dashur. Pa reagimin e dalëzotësit viktima ndofta nuk do të ishte përdhunuar fare dhe do të kishte shkuar e qetë në shtëpi. Rezistenca e dalëzotësit e shpëton viktimën nga dhuna, apo ka raste kur, e bërë në forma të pagjetura, ajo shkakton zmadhimin  e fatkeqësisë për viktimën e marrë në mbrojtje pa pëlqimin e saj ?
Lexuesi ndofta mendohet për këtë..
Në një farë mënyre, Martin Gega si dalëzotës është njëlloj si vetë dhunuesi barbar Fari Ferra. I pari e kundërshton këtë të fundit duke dashur të fitojë zemrën e vajzës që e dashuronte djegshëm. Ai paraqitet po aq hipokrit sa edhe Fariu shfaqet shtazarak. Ai e goditi publikisht me grusht banditin Fari Ferra vetëm për disa fjalë që ky po hidhte turpshëm mbi vajzën që lozte volejbollin e saj qetë dhe në punë të vet. Ai nxiti kështu agresivitetin e Fariut pa mundur t’i dalë zot viktimës. Rezistenca e mefshtë shkaktoi dhunimin përfundimtar dhe të pariparueshëm të viktimës.
Thellë, reagimi i dalëzotësit nuk është i shtyrë veçse nga të njejtat pulsione zotërimi sikurse edhe ato të persekutuesit. Mbrojtësi është tërhequr edhe ai epshëm ndaj trupit të vajzës. Por, në vend t’a shprehë këtë në mënyrë shtazarake dhe të pagjetur, (por të sinqertë), ai e bën tërthorazi, me fjalë sentimentale, të buta, delikate, në fakt disi në mënyrë hipokrite, mbi të gjitha joefikase, përderisa në fund të fundit qëllimi i tij mbetet po ai: ushtrimi i një pushteti erotik mbi personalitetin dhe trupin e vajzës.
Atë që dalëzotësi përpiqej ta bënte prej kohësh me rrugë të buta dhe s’e realizonte dot, persekutori e bëri brenda disa minutash dhe në mënyrë krejt natyrore. Në këtë kuptim, persekutori – shtazarak nuk bën tjetër veçse përmbush egërsisht, me dhunë, por edhe me sinqeritet të egër dhe drejtpërdrejt, një aspiratë që kontestatori – idealist ka kohë që s’po e realizon dot në rrugë delikate, dialogu dhe me forma tëheqëse. Në këtë rast konkret, persekutori del si kundërshtari, por edhe si i ngjashmi i dalëzotësit, del si vazhdimi i tij, përmbushësi me forma të dhunshme i ëndrrave dhe i ambicieve të këtij të fundit. Në fakt, Fari Ferrën e ka prodhuar vetë Martin Gega si vazhdim dhe përplotësues i vetes së tij të mangët.

Në pus

Ngjarja në pus në të vërtetë është vazhdimi mëse logjik i ngjarjes së përdhunimit te rrëpirat. Morali i saj përmblidhet tek fraza torturuese me të cilën Martin – idealisti pyet dhimbshëm veten duke u tronditur si përpara një zbulimi monumental:
“Mos vallë Etleva Xh. është kurvë?”
Shpresojmë që lexuesit do të rreket t’i japi përgjigje kësaj pyetjeje, por dyshojmë shumë nëse do t’ia mbërrijë kësaj pune. Këtu qendron forca e papërcaktueshmërisë së artit të Agron Tufës.
Në një çast, Fari Ferra këlthet duke konstatuar në përdhunim e sipër se Etleva Xh. paska pasur marrëdhënie seksuale edhe me të tjerë përpara tij. Pra, para apo pas dhunës së tanishme, në një farë mënyre asgjë nuk ka ndryshuar empirikisht për viktimën. Ajo nuk e paska pasur pra atë virgjërinë që paraqet pamja e saj e jashtme krenare. Idealizimi i viktimës në sytë e dalëzotësit zhbëhet pikërisht në proçesin e dhunimit të saj barbar nga persekutori. Persekutori zbulon të fshehtën që nuk e ka ditur mbrojtësi – idealist. E vërteta e madhe del vetëm gjatë aktit të përdhunimit. Zbulimi i kësaj të fshehte e ka zbehur disi motivin e rezistencës dhe e ka bërë të kotë atë. Aq më tepër që Martin Gega nuk i beson syve kur Fari Ferra bërtet i mrekulluar kur ndjen se Etleva Xh. po shfrynte më parë se ai kënaqësinë vet libidinale.
Viktima është duke u përdhunuar nga persekutori i saj që ka neutralizuar çdo përpjekje të dalëzotësit për të kundërvepruar. Por, është ky i fundit në fakt që ka shkaktuar përdhunimin e viktimës. Ndërkaq, po vuan edhe vetë, i rrahur, i lidhur, i fyer. Më kot. Edhe ai është i gënjyer nga viktima. Por ai do të fyhet edhe më shumë duke vënë re se viktima po merr kënaqësi epshore gjatë dhunimit që i bëhet. Një kënaqësi perverse, por natyrore ; e turpshme por e pandalshme. Brenda ngashërimit për fatkeqësinë dhe dhimbjen shpirtërore lind edhe një kënaqësi fizike e pashmangëshme si ajo e të varurit në çastin e tendosjes nën litar. Nuk merret më vesh nëse viktima ndihet në atë çast më shumë e dhunuar apo më shumë e kënaqur. Një dhunim fatkeq brenda një kënaqësie të pazakontë. Persekutim brenda marrjes mazokiste të një kënaqësie të papërsëritshme. Kënaqësi brenda përdhunimit barbar.
Opozitari idealist e ka humbur fare mendjen atje në vendin e tij të dënimit. Konceptet po i ngatërrohen keqazi.
Çfarë kërkon dhe pret prej tij viktima ? Ta mbrojë nga dhuna dhe persekutimi apo t’a lerë rehat në qejfin e vet që s’mund të bëhet dot pa u persekutuar ?
Të tre personazhet kanë  personalitet të veçantë por që shfaqet vetëm në bashkëkomunikimin e tyre të fuqishëm që i tjetërson plotësisht. Ata nuk ekzistojnë veçse për njeri tjetrin.
Sidoqoftë Martin Gega është betuar se do të hakmerret ndaj Fari Ferrës. Shumë kohë më pas, ai e gjen adresën e tij. Persekutori banon në të njejtin qytet me Etleva Xh., e cila më pas do të martohet me shokun e vet të shkollës, mikun e Martinit, Medarin.
Martini i thotë Etlevës se e ka gjetur se ku jeton Fari Ferra i zbritur në qytet dhe i zbulon planin e tij të hakmarrjes. Por këtu ndodh edhe e papritura. Etleva Xh. i thotë se e ka të kotë. Ajo jo vetëm nuk e urren më Fari Ferrën, por i pohon se ndërkohë ai i ka pëlqyer shumë seksualisht dhe prandaj ka shkuar rregullisht me të. Në fund të fundit, shprehet Etleva, ju meshkujt jeni të gjithë njësoj. Ai në fund të fundit është dikush që më plotëson kënaqësitë trupore, kurse ty të kam si vëlla.
Viktima tani e kërkon vetë lidhjen erotike me persekutorin. Dhimbja, vuajtjet, ndjenja e hakmarrjes janë pothuajse të kota. Aq më tepër ato nuk janë aspak në përputhje me dëshirat e vetë viktimës. Viktima adhuron çastin e persekutim – kënaqësisë  që merr nga lidhja me persekutorin e saj. Viktima i shkon pas persekutorit dhe ka nevojë për të. I tepërt bëhet tanimë vetë idealisti kontestator që do të luftojë ndaj dhunës dhe abuzimeve. Rolet janë ndërruar. Na ler rehat me dëshirën tënde për drejtësi, duket sikur thote viktima, ne me persekutorin e kemi gjetur më në fund gjuhën e përbashkët. Ai na shtyp, por edhe na jep kënaqësi.
Në këtë çast, dalëzotësi opozitar, nga kundërshtues idealist i një dhune të kërkuar erotikisht nga vetë viktima, shndërrohet edhe ai në një dhunues të ardhshëm. Ai vendos të marrë hak jo më ndaj persekutorit, por ndaj viktimës që në fakt është bërë njësh me dhunuesin e saj të hershëm. Eshtë një akt tragjik, por edhe një akt sinqeriteti dhe braktisjeje e hipokrizisë. Opozitari ndaj një persekutori vendos të përdorë të njejtat mjete si ky i fundit.
Viktima do të bëhet tashmë dy herë viktimë. Një herë është viktimë e pushtetit persekutues që paradoksalisht ka filluar t’i japë dhe kënaqësi materiale, erotike, mazokiste. Pastaj bëhet për së dyti edhe viktimë e hakmarrjes së ushtruar nga ish mbrojtësi i saj, i zhgënjyer sepse heroizmi i tij ka mbetur pa objekt.  Por kjo dhunë e dytë nuk jep më kënaqësi erotike viktimës sepse nuk e ka atë agresivitetin origjinal të përdhunimit nga ana e persekutuesit të parë.
Martini shkon tek shtëpia e Medarit në fshat, ku banonte me prindërit e tij edhe nusja e re, Etleva Xh. Medari vetë është duke kryer shërbimin ushtarak. Prindërit e tij e presin me nderime Martinin si mikun e të birit, por ky i fundit ka ardhur me një synim të keq: të kryejë aktin seksual prej kaq kohësh të parealizuar me nusen e shtëpisë. Ish dalëzotësi idealist i të dhunuarve tanimë ka ardhur në skenë si dhunues. Ai është Fari Ferra i kohëve të reja. Etleva Xh. refuzon dhe e hedh poshtë me përbuzje prostitute propozimin e Martinit, por ky e gjen rastin për t’a përdhunuar duke e zënë me forcë në pusin e shtëpisë.            Në thellësitë pa dritë bëhen transformimet e fshehta kafkajane të opozitarit idealist në persekutor  të dhunshëm.

Në bulevard

Ngjarjet vazhdojnë pastaj në bulevardet e Moskës. Ndodh kalimi tranzicional nga një kohë në një tjetër. Në të parën kemi, zborre, spartakiada fshatrash, persekutime politike, kabinete shkollash, të transferuar, etj. Në skenën e dytë kemi metro, vajza dhe djem që shkojnë nëpër disko, zakone liberale, veshje të modës, gjithçka pra që paraqet një tranzicion nga një shoqëri autoritare në një shoqëri liberale.
Martin Gega është tashmë në punët e tija, në lirinë e tij, zot i vetvetes. Eshtë tashmë i çliruar nga vargonjtë e urrejtjes dhe nga dialektika e dikurshme midis persekutorit qejfsjellës, viktimës qejfbërëse dhe kontestatorit të drejtë idealist – përdhunues.
Kohët kanë ndryshuar.
Tjetërsimi i aktorëve erotiko-shoqërorë duket sikur ka marrë fund bashkë me mbarimin e historisë së vjetër politike. Kalimi i skenave në një vend të huaj të liberalizuar është shumë i gjetur. Ai e bën edhe më të kapshme për lexuesin thyerjen, prerjen, çarjen që ka ndodhur me kohën e vjetër.
Po prisni, prisni !
Në forma të tjera ndodh përsëri e njejta gjë, por tanimë etapat përsëriten shumë më shpejtë se më parë. Duket se e tanishmja përsërit të kaluarën me një shpejtësi marramendëse.
Martin Gega po shkon në duel me Maksin, zgërdallën epshore ruse, dhunuese, persekutuese të vajzave të lagjes së tij për një çështje rivaliteti për një femër. Ndeshja e tyre do të bëhet në formë dueli, pra sipas  mënyrave të vjetra aristokratike, të ringjallura pas mbarimit të epokës ku ngjarjet ndodhnin në mënyrë barbare nëpër rrëpira fshatrash dhe në puse shtëpish fshatare. Tanimë Martin Gega nuk niset në aventurë si mbrojtës i një viktime, por shkon të ndeshet si rival. Ka kohë që ka hequr dorë nga mbrojtja e viktimave përballë përdhunuesve. Duket se i është mbushur mendja se rezistenca ndaj persekucionit është diçka shummë e ngatërrruar dhe kontradiktore kur dihet se shpesh viktima është dhunuar aq shumë nga persekutuesi saqë gjen kënaqësi erotike sadomazokiste në këtë persekutim dhe e kërkon me ngulm, me pasion dhe çmenduri të persekutuarin e vet.
Një persekutim i kërkuar dhe i pranuar subjektivisht më së fundi nga vetë viktima, a mbetet ende një persekutim?
Një persekutim i tejskajshëm, i çuar përtej kufijve të durimit njerëzor, mos ka shanse të kthehet në një regjim jete normale dhe burim kënaqësie materiale, trupore të papërsëritshme për vetë viktimën?
Në kushtet e një persekutimi të tillë, mos vallë vetë misioni i rezistuesit dhe i dalëzotësit bëhet absurd dhe i tepërt?
Në kushte të tilla, ç’kuptim ka më dueli?
Dueli mbetet një fjalë boshe sepse tanimë nuk ka kundërshtarë që të luftojnë. Ata janë njësoj. Nuk ka sebep për duel sepse viktima është kthyer në kërkues të ngashëryer të persekutimit të vetes.
Martin Gega ecën rrugëve të Moskës drejt vendit ku do të ketë atë duelin me Maks perversin. Ecën i ftohtë, pa ndjenja dhe iluzione. S’ka më ideologji në kokën e tij. Raportet e konfliktit nuk janë më vertikalë (opozitar kundër persekutorit), por horizontalë (rival kundër rivalit).
Rrugës takon rusen Ljuba, një variant modern, liberal i dramatikes shqiptare Etleva Xh. Ljuba është vetë erosi, ajo vetëm atë ka shqetësim. Ka frikë vetëm nga Maks « Ferra » i Moskës që përdhunon paturpësisht vajzat e lagjes. Misteri i kësaj frike duket i thjeshtë për Martinin shqiptar. Ljuba i tregon se vajzat e përdhunuara më pas bëhen të dashurat më të bindura të xhelatit të tyre Maks.
Dashurohen edhe ato marrëzisht pas persekutorit të tyre? Mendojnë se një xhelat përdhunues ashtu edhe një lajkatar i dashuruar, në fund të fundit duan t’iu bëjnë atyre të njëjtën gjë?
Ndjejnë se nga kjo pikëpamje më mirë është t’i jepen një dhunuesi të fuqishëm që di t’i sundojë sesa një idealisti që as i përdor dhe as i lëshon?
Kanë arritur në përfundimin se të gjithë meshkujt që duan të kenë pushtet mbi to janë, sikurse thotë Ljuba, ose « përdhunues, ose pederastë », e në këtë rast s’ka vend më për zgjedhje, sepse ajo është e detyruar ?
Ndoshta të gjitha nga pak.
Rrugës për te vendi i duelit, Martini ndjen se frika e Ljubës është më shumë ndrojtja se mos edhe ajo bie në dashuri me përdhunuesin e saj të ardhshëm sesa vjen nga vetë ankthi i përdhunimit të mundshëm.
Martin befas nuk mungon edhe një herë tjetër të marrë rolin e mbrojtësit idealist të viktimave të dhunës. Ai i mbush ftohtë mendjen Ljubës se do të luftojë në duel edhe për çështjen e saj. Por duke pritur që Maksi të vijë në vendin e duelit, hëpërhë, e dhunon seksualisht Ljubën, ftohtë, sikurse thuhet një vjershë e mësuar dikur përmendsh dhe e recituar me një ndjenjë të fallcët.
Historia vazhdon e njëjtë, si përherë.
Martini ndodhet përpara të njejtit fat të pashmangshëm edhe në kushtet e reja liberale. Niset të shfaqet në rolin e mbrojtësit dhe përfundon në dhunues. Por, këtë rradhë pa asnjë dramë. Ljuba i thotë se ti po më bën të njejtën gjë që do të më bënte edhe Maksi i tmerrshëm. Por edhe vetë Ljuba është një viktimë e rreme. A nuk thotë vetë ajo se burrat e sotëm janë ose pederastë ose përdhunues?! A nuk ka krupë ajo nga pederastët? Në këto kushte s’i mbetet rrugë tjetër veçse të hidhet në krahët e persekutorit – mbrojtës të saj.
Në fakt urrejtja ndaj diktatorit Maks dhe të folurit kundër tij janë vetëm pretekste për të gjetur kushtet ku viktima e rreme dhe persekutori i adhuruar prej saj t’i jepen njeri tjetrit ? Martin Gega shfaqet tanimë si mbrojtës idealist i një viktime vetëm me gënjeshtra, thjesht për të realizuar paqësisht përdhunimin mbi të. S’ka nevojë më për dhunë, litarë e zinxhira si e kishte pësuar dikur Etleva Xh. Tani ka nevojë vetëm për argumente, për fjalë, për demagogji për të fituar besimin e viktimës dhe ajo shkon vetë me këmbët e saj drejt vendit të persekutim – kënaqësisë.
Edhe sikur Maksi të vinte personalisht dhe të bëhej i gjallë pas kaq kohësh në atë palestër të humbur në rruga Odesskaja 25, në vatrën origjinale të sherrit, ç’kuptim do të kishte për Martinin të lante hesapet me të në emër të të gjitha viktimave të tij ?
A kishin mbetur më viktima apo ato ishin kthyer të gjitha në të dashura të persekutorëve të tyre ?
A kanë këto viktima nevojë të vërtetë për t’u mbrojtur, apo do t’u thonë dalëzotësve: « Na lini të bëjmë qejfin tonë shtazarak që lind bash atëhere kur mbi ne ushtrohen padrejtësitë. Persekutuesit tanë janë të adhuruarit tanë. Ata janë plotë pushtet të magjishëm dhe me potencë të adhurueshme kur na shtypin. Ka lezet. Ne kemi nevojë tamam për kësi burrash. Jo si ju, pederastë, që s’keni asnjë fije autoritarizmi».
Lexuesi do të dojë ndoshta t’i japë vetë përgjigje pyetjes së mësipërme duke e lexuar romanin e mrekullueshëm të Agron Tufës.
Ose nuk do t’i shkojë fare mendja te këto pyetje që unë i shtrova për të dhe pa i marrë leje atij. Ndofta duke i bërë edhe dëm.

                                                                                                 Paris, maj 2004