Letërsia në diktaturën komuniste

Fati i letërsisë shqipe gjatë gjysmës së shekullit XX ka qenë po aq tragjik sa dhe fati i popullit shqiptar. Letërsia shqipe pas vitit 1944 u dhunua dhe u denatyrua gjithanshëm, sa preku rëndë pesë shtretërit nëpër të cilët ajo rrodhi:

– Letërsia shqipe e ekzilit (Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Bilal Xhaferri etj);

– Letërsia shqipe e ndaluar, anatemuar dhe e mohuar (At Gjergj Fishta, Faik Konica, Vinçens Prenushi, Lumo Skëndo, Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi si dhe gjithë tradita letrare françeskano-jezuite, trashëgimia e mendimit intelektual shqiptar e viteve ’30);

– Letërsia shqipe e papranuar zyrtarisht, ose e papërfillur si fakt letrar (Mirush Kuteli, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Frederik Reshpja, Vexhi Buharaja, Mustafa Greblleshi);

– Letërsia shqipe e burgjeve dhe e ndëshkimeve të përgjakshme (Et’hem Haxhiademi, Gjergj Bubani, Qemal Draçini, Ndoc Nika, Sejfulla Malëshova, Kasëm Trebeshina, Musine Kokalari, Kapllan Resuli, Pano Taçi, Astrit Delvina, Trifon Xhagjika, Fatos Lubonja, Bashkim Shehu, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela etj);

– Letërsia shqipe e realizmit socialist (Dhimitër Shuteriqi, Fatmir Gjata, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare etj).

Rezultati qe katastrofik për të pesë këto degë: letërsia shqipe e ekzilit humbi lidhjet me truallin amtar, çka do të thotë, humbi lexuesin; letërsia e ashtuquajtur e “emigrimit të brendshëm”, e shpërfillur zyrtarisht, iu nënshtrua përndjekjes, daljes jashtë qarkullimit, përjashtimit nga komunikimi me lexuesin; letërsia e burgjeve arriti të dalë në dritë vetëm pas rënies së komunizmit, ndërsa pjesa më e madhe e autorëve të saj u pushkatua, u var apo vdiq qelive dhe hetuesive nën tortura; letërsia e realizmit socialist, e stimuluar dhe e propaganduar si ndihmëse e makinës së dhunës komuniste, e botuar në tirazhe të mëdha, pati prapëseprapë një fat me fund të trishtuar. E veçuar nga tradita dhe kodi letrar gjenetik nacional, eshkëputur dhe e prerë nga procesi letrar europian dhe botëror, ajo mbeti, siç kishte origjinën e importuar, një mish i huaj në traditën letrare shqiptare, duke pësuar dështim të plotë.

Lexuesi shqiptar i disa brezave s’pati mundësi tjetër, përpos se me hir a me pahir të komunikonte veçse me Letërsinë e realizmit socialist, nën një presion të gjithanshëm ideologjik. Edhe fati i lexuesit shqiptar nuk mund të abstragohej i shmangur nga katastrofa tragjike e letërsisë shqipe. Me ndihmën e censurës, çmimeve letrare shtetërore të PPSH-së, titujve, kritikës letrare servile, lexuesit shqiptar iu imponuan përfytyrime të përçudshme për letërsinë artistike dhe vendin që duhet të zinte ajo në jetën shpirtërore të njeriut. Një rol të mbrapshtë në shpëlarjen ideologjike të vetëdijes masive luajti edhe shkolla ku librat pushuan së shijuari: ato vetmse propagandoheshin. Sistemi totalitar këmbëngulte para së gjithash në sinkronizimin e letërsisë me montin e aktualitetit politik, sipas parrullës famëkqe të Leninit me përthyerjet dhe perversionet shqiptare: “Ai që sot nuk këndon me ne, është kundër nesh!”.

Që të bëhesh udhëheqës i popullit dhe njëherësh shërbëtor i tij, siç thoshte Majakovski, shkrimtarit i takonte t’i shërbente me besnikëri partisë, duke refuzuar lirinë e brendshme, pa të cilën procesi krijues është thjesht i pamundur. Librat e shkruar pa dhembjen dhe frymëzimin, në të mirë të konjukturës, partisë dhe shokut Enver, edhe nëse shpërndaheshin në shoqëri, në thelb ato mbeteshin jashtë sinoreve të artit. U shkuputën prerazi lidhjet me modelet amtare të parakomunizmit dhe me letërsitë e mëdha të botës. Ndërkaq procesi letrar u përkeqësua edhe më shumë nga pesha e ndikimit të formës komando-administrative të normës shoqërore, e cila me një agresivitet të rrallë dhe egërsi ndëshkuese lante hesapet me cilindo shkrimtar që dilte jashtë modeleve të diktuara.

Sistemi i degëzuar (centralizuar) i tabuve të rrepta e deformoi që në zanafillë zhvillimin e natyrshëm të letërsisë, duke lënë një trashëgimi të ngjashme me vatrat toksike edhe sot. Duke u mbështetur në artikullin e Leninit “Organizata e partisë dhe letërsia e partishme (partishmëria)”, realizmi socialist operonte me një kodeks rekomandimesh, se si duhej të shkruante një anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve sovjetë, çka u kopjua dhe shpu deri në absurd në përvojën e komunistëve shqiptarë.

Fanatizmi ortodoksal ideologjik mbërriti kulmin e nonsensit në Shqipëri kur format e survejimit të shkrimtarëve kishin pësuar njëfarë zbutje edhe në vendin ku qe importuar socrealizmi, në BRSS, me periudhën e Zbutjes (Ottjepell). Dihet se pas kësaj periudhe, që përkon me fundin e viteve ’50, lind dhe dukuria e “Disidencës”, nis një komunikim ilegal me lexuesin nëpërmjet qarkullimit të veprave letrare nën dorë, libra, broshura, dorëshkrime, vetëbotime (Samizdat), një dimension antizyrtar i letërsisë. Me dhjetra shkrimtarë rusë, megjithëse iu nënshtruan gjyqeve, si Sollzhenicini, Aksionovi, Vojnoviçi, Aleshkovski, Dovllatovi apo Josif Brodskij, ata tekefundit deboheshin jashtë kufijve të BRSS-së. Por në komunizmin gjakatar të Enver Hoxhës, si në çdo çështje, edhe në letërsi, u tejkalua edhe modeli i importit, duke vepruar sipas parimit “më katolik se Papa”. Survejimi total i komunizmit shqiptar mbi individin, që tejkalon edhe vizionet antiutopike oruelliane, nuk la asfare hapësirë për zhvillimin e disidencës. Shpesh tek ne termi “disidencë” përdoret gabim në diskurset letrare. Disidenti politik, ideologjik apo kulturor në fillim është pjesë e një rendi vlerash, i cili në masën e ngushtimit të hapësirës së lirive dhe pikëpamjeve i kundërvihet sistemit, gjendet në kundërshti me të. Në letërsinë e disidencës së Lindjes ish-komuniste të tillë kanë qenë Cezllav Miloshi dhe Zbignjev Herberti në Poloni, Milan Kundera dhe Bogumill Hrabali në Çekosllovaki, A. Sollzhenicini dhe Josif Brodskij në Rusi. Në Shqipëri nuk ka patur disidencë, por Kundërshtarë. Kjo sepse edhe premisat për disidencë mbyteshin që në embrion dhe fati i metejshëm i shkrimtarit, dashje-padashje do të vendosej polarisht si kundërshtar. Fraza e poetit Trifon Xhagjika në gjyq, se “Sistemit tuaj do t’i bija me top” e vërteton më së mirë këtë tezë. Në dikataturën komuniste shqiptare u përshkallëzua dhe u përthelluan me shkrimtarët ato metoda të KGB-së së Jezhovit dhe Xherzhinskit në pikun më të egër të stalinizmit të viteve ’30 në Rusi. Në po atë ngjashmëri, pas asgjësimit të shkrimtarëve kundërshtarë me pushkatime në vitet 1945-1947, përvoja shqiptare përsërit përvojën e shtetit leninist në fillim të viteve ’20 me pogrom-et famëkeqe, shpartallimit të grupimeve artistike, shkollave dhe lëvizjeve të artit modernist/avangardist nëpërmjet pushkatimeve. Siparin e kësaj kasaphane e hap simbolikisht grumbullimi i 200 filozofëve rusë në Odesë, të cilët i hipën në një anije dhe i dëbuan jashtë BRSS-së. Përvoja shqiptare i ra shkurt: thjesht i pushkatoi me dhe pa gjyq.

Disidenca ishte një luks i madh për komunizmin shqiptar. Nuk pritej të botohej vepra e të diskutohej. Bastisej banesa e shkrimtarit dhe gjykoheshin dorëshkrimet e pabotuara si provë armiqësore.

Origjina e realizmit socialist

Dihet tashmë se me fitoren e luftës së popujve mbi fashizmin, si gjithkund në Europën Lindore, edhe në Shqipëri u vendosën “demokracitë popullore”, të cilat më pas, nën ndikimin, diktatin dhe përvojën e socializmit sovjetik, imituan të gjitha modelet sociale, kulturore dhe politike të “vëllait të madh”, Bashkimit Sovjetik.

Zbatimi i modeleve të realeve të jetës së socializmit stalinist në shtetin e ri shqiptar, të papërvojë, u bë në kushtet e një konfuzioni të madh social, politik e nacional. Promovimi i modeleve socialiste jugosllave dhe sovjete në realitetin e prapambetur shqiptar, me një strukturë familjare gjysmëpatriarkale konservatore dhe me jehonën e freskët të përçarjes nacionale që la lufta, në vend të optimizmit e solidaritetit me pushtetin e ri, solli një hutim e moskuptim të thellë – për rrjedhojë – edhe pakënaqësi e kundërshtime të armatosura.

Edhe letërsia shqipe, ashtu si shumë fusha të aktivitetit shoqëror, mendor, psikologjik e fetar, e pati të vështirë të përshtatej me modelin e importuar socrealist, i cili iu imponua si dogmë e metodë zyrtare, duke krijuar që në fillim një raport të fortë tëhuajësimi me gjithë traditën tonë letrare të deriatëhershme (viti 1945).

Origjina e doktrinës së realizmit socialist ka një zanafillë të hershme, edhe pse më parë, në asnjë kulturë, nuk ishte bërë dogmë zyrtare. Madje edhe në Bashkimin Sovjetik, zyrtarisht, si dogmë e imponuar ideologjike u instalua në vitin 1934, përsa deri atëherë, edhe pas triumfit të revolucionit bolshevik të tetorit 1917, vazhduan të ekzistojnë një numër i madh shkollash, grupimesh, prirjesh e tendencash moderniste e avangardiste. Realizmi socialist si metodë, në mënyrë të përmbledhur, shënon një nocion terminologjik të gjerë, të aplikuar në disa nivele të botëkuptimit komunist.2

Ai është një term i përdorur në shkencën e letërsisë sovjete dhe në shkencat e arteve në fillim të viteve ’30 për të shenjuar “metodën themelore”, e cila “i kërkon artistit paraqitjen me vërtetësi konkrete historike të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar”, realitet i cili ndërthuret me detyrën e edukimit të punonjësve në frymën e socializmit” (“Kongresi i Lidhjes së Shkrimtarëve të BRSS-së”, 1934). Nocioni estetik “realizëm” lidhej me përcaktimin “socialist”, çka solli në praktikë nënshtrimin e letërsisë dhe arteve ndaj principeve të ideologjisë dhe politikës. Postulati kryesor i realizmit socialist u bë partishmëria dhe ideshmëria sociale. Kërkesat e realizmit socialist u shndërruan faktikisht në tabu, që e frenuan krijimtarinë që për vite me radhë ishte mënjanuar (shmangur) nga jeta shpirtërore e popullit prej veprave të talentuara të Ana Ahmatovës, Dmitri Shostakoviçit, Sergej Ejzenshtejnit, Pavel Filonovit, etj., duke stimuluar përkundrazi krijimin e veprave mediokre e konformiste që u bënë bori të propagandës. Përpjekjet për ta zgjeruar “bazën teoritike” të socrealizmit me idetë e “tabanit popullor” (në fund të viteve ’30), të “socializmit humanist” (në fund të viteve ’50) ose me principet e estetikës së “sistemit të hapur” (në vitet ’70), nuk e ndryshuan statusin zyrtar dhe natyrën ideologjike të nocionit3.
Në fund të viteve ’80, socrealizmi shndërrohet në term historiko-letrar.
Një formulim interesant ka dhënë Andrej Sinjavskij në artikullin e tij “Çfarë është realizmi socialist”: “…një gjysmëart gjysmëklasik, jo shumë socialist dhe aspak realist”.
Kështu, për shembull, në romanin “Nëna” (1905) të A. M. Gorkit, na paraqitet mjaft hollësishëm miti kristian mbi Shpëtimtarin (Pavel Vllasovi), i cili flijon veten në emër të gjithë njerëzimit, dhe nënës së tij ( Pelageja, domethënë Shën Mëria) – kësaj figure kyçe për vetëdijen ruse dhe mitit kristian të adoptuar prej saj. Kjo që thamë nuk kundërshton faktin se kjo vepër është diçka krejtësisht mediokre. Rëndësi ka që, duke i shpallur luftë religjionit, bolshevikët megjithatë shpallën një religjion të ri, shumë të njohur e të harruar, për të krishterët e lashtë. Për këtë ka shkruar bindshëm një nga historianët më të njohur të kulturës, sër Arnold Xhozef Tojnbin. “Kishës së zhvilluar bolshevikët i kundërvunë bashkësinë kompakte kristiane, por primitive, të shekujve të parë pas Krishtit me kultin e varfërisë, shoqërizimin e pasurisë dhe agresivitetin ndaj paganëve ideologjikë. Po ashtu si kristianët e parë, “republika e re sovjete” gjendej në  “rrethin e armiqve”, veçse në rastin e parë kjo ishte Perandoria e shpartalluar romake, kurse në të dytin – shoqëria e përparuar kapitaliste. Në rastin e parë fitoi krishtërimi, në rastin e dytë – kapitalizmi5.
Një vepër tjetër është romani i A. S. Serafimoviçit “Përroi i hekurt”, i cili rrëfen se si një komandant i kuq, Kozhuhu, nxjerr divizionin e Tamanskit nga rrethimi, – nën dritën e mitologjisë evangjeliste, historisë së daljes së judejve nga Egjipti dhe përftimit të Tokës së Premtuar. Kozhuhu këtu del gjoja në rolin e Moisiut, për çka gjejmë edhe aludime të drejtpërdrejta në tekst. Me vite realizmi socialist përpunoi mitologjinë e vet ideologjike. Kjo mitologji ka tipare jo më romantike, por më së shumti të planit klasik. Siç dihet, konflikti bazë në ideologjinë e klasicizmit është konflikti ndërmjet detyrës/arsyes dhe ndjenjës, ku fiton detyra. Në vepra të tilla të socrealizmit, si “çimentoja” të F. Glladkovit, “Si u kalit çeliku” të N. Ostrovskijt, “Rrëfim për njeriun e vërtetë” të B. Polevojit, dalin në pah qartazi këto karakteristika. Heroi i veprave të tilla heq dorë nga dashuria për hir të revolucionit. Realizmi socialist e tejkalon edhe klasicizmin. Heroi i tij, i shpërblyer nga pushteti, e humbet në përgjithësi kurmin njerëzor, duke u shndërruar në robot. Diç e këtill ndodh me Pavel Korçaginin. E përmbyll këtë mitologjemë Aleksej Meresjev me “Njeriu i vërtetë”, i cili zëvendëson “njeriun e vogël”, “njeriun e tepërt” me “njeriun e ri” nga letërsia ruse e shek XIX. Njeriu i vërtetë është një mutant teknologjik. Atij i kanë shkurtuar këmbët, por ai vazhdon të mbetet pilot, përveç kësaj, shkrihet me makinën – ky episod është përshkruar mjaft hollësisht në romanin e Boris Polevojit. Trupi i personazhit socrealist zëvendësohet me hekurin, ai kalitet me çelik – një “druvar i hekurt” i socializmit të zhvilluar6.

2 Nga leksionet e letërsisë së huaj të shek XX, “Origjina e realizmit socialist”, A. Tufa

3 Nadtoçij E. Druk, “Shok dhe vëlla” (disa thjeshtime mbi vendin e realizmit socialist në artin e shekullit XX.) // Daugava, 1989. – М 8. “Fjala” – 8 dhjetor 2004, faqe 15. “Fjala”, 4 shkurt 2006, faqe 13/14 -15.

5 Tojnbin A. XH. “Kristianizmi dhe marksizmi” // po aty.- 1989. – No 4. “Fjala” 16 mars 2004. f. 13

6 Rudnjev Vadim. “Kultura dhe realizmi”// po aty. – 1992.- No 6.