Lëndë e ngrënë nga përcaktimi

Triptik

 

Si udhën e engjëllit, verë,
                           Të shoh e trembem

(Jeronim De Rada)

I

Atë çka pret në beft, ç’ka piqet në hamendje
Truri s’e pranon, s’don t’ia shplojë konturin.
Truri si meduzë shtjellet në vetvete,
Prapton, kutullohet… mëshirojeni trurin!
Lëreni të shkrydhet, dremisë, ëndërrojë
Gjer kjo parandjenj’ e mbrame ta shkat’rrojë –

Strukturën e tij mitike në veshtulli e mug!
Si Serafim avioni tash do ta shpjerë në jug,
Ku deti me kjarime qiejsh ultramarin
Si letër lakmusi palosur më dysh
Do lahet në diell, farfurijë-fildish…
Ku zgjyra kujtesash katile thëthijnë
Kujtesën e sprasme që zgjesh kamën prej milli
Të gdhendë ardhmërinë me profil nga qielli.

II

Si liqè skëterre – ky aerodrom nën shi.
Me qiej gëlltitur si pije të errët –
Asfalti vizllon flashkët ftohtësi –
Si shqyte, tarrogëza që vonë a herët –
Flauri do mësyjnë valë-valë,
Muret e një qyteti virtual.

Kështu, pra, shi… Mes pritjes dhe kujtesës
Ngjethet e hedh shtat e tashmja e trefishtë
Prore e pambrritshme pos në parandjenjë
Ku gjasa efemere rron sa pikë e vesës –
Gjer buz’ e rrezes soje ta përthithë
Dhe shpirtit është e denjë të mbetet rrëfenjë.

Rrëfenjë, rrëfenjë… me gjethe, bar e rrënjë
Që gjurmë të njoma vese na lë shenjë.

 

III

Vallë fund a ka kohzgjatja e llahtarit
Që lot parandjenja fytyrës së fëmijsë?
Tragjedia sos dhe përtej siparit
Dihet, s’ka kuptim kufiri i tragjedisë.

 

Majë gishtash kobi dha në xham të duket,
Si një re e mugët shkapeti e ra –
Vogëlushes thellë, që te e ama struket
Dhe synjomur pyet: “tash do vdesim, mâ?”

Kush nër ju, vdektarë, do mund të na thotë,
A ka cak të rrokshëm brenda lebetisë?
Krahët e avionit presin si një tortë
Rrafshulta të majme tejpërtej Rusisë…

Ky Karont modern taksën tash ka marrë
të na shpjerë matanë
Ku Rozenkranc e Gildenstern të vdekur janë.

Anapa. 8. 07. 2000

 

ENGJËLL NIKOTINE

Të dua ty, engjëll nikotine –
Farë e zeshkët e veshur si laps.
Pëshpëri me buzët e zbehta,
Pëshpëri me buzë të dredhura
Ligjërata të largëta që kujtesa t’i zbraps.

Ti lëshohesh me parashutë në mbrëmjen e butë
Terrin njolla-njolla duke lëpirë:
Flatrat të shushurijnë – lule akacie në erë –
Engjëll nikotine, ti je brengë e arrirë!

Ti lëshohesh si shifër e trashë fatidike –
Si gështenjë e plasur në zjarr qe flatron si ferrak.
Të dua, o engjëll nikotine –
Klloun bojërash uji
Me ngjyrën e premtimit të shpërbërjes sime në ag.

                                                        Moskë, mars 1998

 

*   *   *

Ti lëshohesh në këtë orë të vonë si mellan Kallamari
Duke fshehur preklat e tua të verbëra: shpirti yt – kandil deti!
Ti e ngre atë, të qullur në pritje, me shtresa të kalbura pengjesh,
Me zona të errëta mallesh, me gjithfarë regëtimash
Që ta përqethën shtatin e të turpëruara u rrëkëllyen
Një nga një në këllëf.

Teptisur nga epshi si bishë mijra sysh, kujtesa – aty:
Ajër i nginjur – cit me errësirë të ndenjur pa një xixë –
E gatshme të marrë hak,
Qiell që ha zogj të gjallë,
Mur i trashë e i ftohtë
Fundosur mjegullimës së miteve të veta.

Ti je lëndë që të ka ngrënë përcaktimi. Nuk i shmangesh dot
Kësaj bujtine të errët: përmbajtja e saj zgjanohet
Duke gërryer një tjetër formë në ty,
E sigurtë, me kumtin e zi drejt ardhmërisë…

Sa më i lartë të jetë fluturimi yt –
Aq më shungulluese ka me qenë rënia.
Ti s’je veçse zgafellë që zgjanohesh pafund
Me arkitekturën e shembjes përbrenda.

                                                              Moskë, shkurt, 1998