Përballja me të keqen

ose metastazat  e së keqes shqiptare

               (fragment)

 

(Filozofia universale e romanit “Dueli” të shkrimtarit Agron Tufa)

Abaz VEIZI

Në lexim të shpejtuar, krejt ndryshe qëndron problemi në romanin “Dueli” të Agron Tufës, botim i shtëpisë botuese “Ora”, Tiranë 2002.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen sa këtu, në shtetin (tonë) shqiptar, aq edhe qindra kilometra larg, në tokën nga ku erdhi ideologjia e pushtetit (tonë) monist, në tokën e ish sovjetëve.

Për shtetin (tonë), ku fillon aventura filozofike e personazhit kryesor të Agron Tufës, shkon bukur përcaktimi i saktë i Niçes, i cili shkruan se, “shtet quhet më i ftohti ndër gjithë përbindëshat e ftohtë. Ai është i ftohtë edhe kur gënjen; nga goja e tij zvarritet ky mashtrim: “Unë, shteti, jam populli.” Më poshtë Niçe vazhdon: “… shteti gënjen në të gjitha gjuhët e së mirës dhe së keqes.”

E citova Niçen për të hyrë më shpejtë në “situatën ekzistenciale” ku zhvillohet “Dueli”, domethënë përplasja me jetën, ose përjekja e pafundme e personazhit kryesor, Martin Gegës, për të mos u bërë njeri i Tepërt, përkundër dëshirës së tillë të pushtetit socialist, ku u rrit, dhe pushteteve të tjerë të mëvonshëm me gjithë përbërësit e tyre shkatërrimtarë të jetës private të “tjetrit”.

Njëkohësisht është mirë të vendosim së bashku që, me “situatë ekzistenciale” të kuptojmë bashkëveprimin e njëhershëm të hapësirës, kohës së diellit dhe mendim-veprimit të shtet-pushtetit, përkundër (në përplasje) me mendim-veprimin e personazheve tanë.

Nuk duhet harruar që, me “mendimin” e tij të dhunshëm, pushteti diktatorial i çdo lloji, tenton ta tjetërsojë inividin nga qënie menduese, në qënie vetëm vepruese, nëpërmjet monopolizimit përdhunues të mendimit dhe të arsyes. Natyrisht, në këtë vepër shkatërrimtare kundër popullit, kombit dhe mrekullisë së ekzistencës, diktatorët kanë për bashkëpunëtorë, eunukë të panumurt të mendimit: “… ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vetë eunukë…” do të thoshte Krishti për ata. (Ungjilli pas Mateut: 19-12)

Por, në qoftë se për “situatën”, me lëshime të vogla ndaj njëri-tjetrit besoj se arrijmë në një marrëveshje të pranueshme, për këndvështrimin filozofik, tonin, të autorit dhe të personazheve, me substancën dhe mjetet e njohura të komunikimit, problemi është gati i papërcaktueshëm. Është shumë e vështirë të gjesh dhe të përdorësh një gjuhë të përbashkët filozofike të pranueshme dhe të dobishme, e cila të shërbejë për njohjen, dhe ca më pak për zgjidhjen e problemeve njerëzore, qofshin këto të karakterit fizik apo shpirtëror. Sepse, të gjithë filozofët e mëdhenj, megjithqë kanë jetuar në mes të mutit, më shumë janë marrë me të padukshmen, të pakuptueshmen dhe të pakapshmen absolute, sesa me shpjegimin dhe  shërimin e të këqiave plotësisht të identifikuara dhe të pranuara si të tilla. Ca më pak janë marrë me studimin e problemeve që krijon mendimi i dhunshëm i njerëzve që synojnë pushtetin e pakufizuar të vetes.

Edhe Marksi që tentoi të gjente zgjidhje “të mëdha”, duke pranuar dhe nxitur dhunën ekstreme si mjet për qëllimin, nuk bëri tjetër veçse kërkoi të lante mutin me shurrë!

E kam saktësuar qysh në fillim të këtij shkrimi që për arritjen e çdo qëllimi, me përjashtim të vetmbrojtjes së detyruar, unë jam kundër përdorimit të dhunës në përgjithësi, dhe të dhunës ekstreme në veçanti. Prandaj mundohem t’i gjej dhe të bashkëpunoj me shkrimtarët më të mirë shqiptarë, domethënë me mendimtarët që shkruajnë duke protestuar si njerëz të Vërtetë ndaj dhunës fiziko-psikologjike. E hapa këtë parantezë thjeshtë për të rikonfirmuar neverinë time të skajshme edhe ndaj dhunës revolucionare, me që ra fjala për Marksin dhe marksizmin.

Po ashtu, është mirë të spjegoj edhe përdorimin e emërtimeve “shkrimtar mendimtar”, “shkrimtar me arsye të detyruar” dhe “shkrimtar me arsye të nevojshme”, që unë i përdor në këtë shkrim.

Shumica e shkruesve e përdorin shkrimin për të mumifikuar në “libra” fjalë të njëpasnjëshme që nuk shprehin asgjë përveç tredhjes së tyre intelektuale. Në kundërshtim me ta, ka edhe përdorues të mendjes  që duke respektuar veten, lexuesin dhe Krijuesin, e përdorin shkrimin si mjet për të transmetuar tek njerëzimi mendimin e tyre të kultivuar me durim, nëpërmjet mësimit dhe eksperienncës, gjithmonë dhe gjithsesi në dobi të një ekzistence të pranueshme. Mendimi i tyre synon përmirësimin e jetës së njeriut pa lënduar të “tjerët”. Këta unë i quaj “shkrimtarë mendimtarë.”

Përcaktimi “shkrimtarë me arsye të detyruar”, s’ka të bëjë shumë me shkrimtarët që nuk e kanë kurajon për të shkruar në të mirë të gjithkujt, nën regjimet diktatoriale të majta, të djathta apo të Qendrës, por kryesisht ata që shkruajnë pa pushim sipas porosive të pushtetit, duke përfituar para dhe lavdi të dyshimtë, të përlyer nga shërbimi që i bëjnë Dhunuesit të tyre, qoftë ky individ apo institucion, vendor apo i huaj. Përcaktimi “shkrimtar me arsye të detyruar”, përfshin këdo që nuk e shpall mendimin e tij pa u ruajtur gjithmonë nga “dikush”, pa pyetur gjithmonë “dikë” dhe pa përfituar prej tyre para dhe shpërblime të tjera pa fund.

Përcaktimi tjetër “shkrimtarë me arsye të nevojshme”, merr shkas nga një cilësim i filozofit Emerson për njeriun që kupton, por unë e përdor veçanërisht për shkrimtarin që jo vetëm kupton por edhe reagon, edhe kundërshton, dhe asnjëherë nuk pranon të fitojë duke lënduar të tjerët në gjithçka.

Milazim Krasniqi, Agron Tufa, Bashkim Hoxha dhe Faruk Myrtaj, sa të talentuar aq edhe të mësuar, për mua janë shëmbuj të shkëlqyer të njeriut të Vërtetë.

Me librat që shqyrtojmë së vazhdim, ata vetvendosen në radhën e shkrimtarëve gjenialë, me pozicionim të qartë kundër dhunimit të njeriut, nga kushdo qoftë!

Kur filluam shfletimin e romanit të Milazim Krasniqit, qysh në faqen e parë vumë re një ngjeshje mjeshtërore të fjalëve që me art të kulluar përcjellin tek lexuesi frikën dhe tmerrin e luftës, tmerr i cili nuk na ndahet deri në faqen e fundit të librit. Mesazhi që morëm ishte i thjeshtë dhe i qartë: kundërshtoje të keqen gjithmonë dhe kudo!

Tani, në shfletimin e faqes së parë të romanit “Dueli”, me autor Agron Tufën, përsëritet befasia e këndshme e ballafaqimit me një tjetër mjeshtër të fjalës dhe të mendimit, i cili shkruan krejt ndryshe, por me një përsosje artistike të admirueshme.

Romani fillon me një “ende”, vazhdon me një “perëndim” të pasuar me një “teksa”, vazhdon përsëri me një “kur”, me një “sakaq” dhe me një “atëherë”, që kanë në mes një “çerek vështrimi që  priret të mbahet, mbase (!!), frikshëm”  d.m.th. të ndalojë gjithçka, pastaj përpalset në një “pritje” ta pamundur, sepse mungon KOHA! Në faqen e parë të gjitha këto! Ndajfolje, lidhëse, fjalë dhe nënkuptime që e përgatisin me shpejtësi mendjen tonë për konfliktin e njeriut me KOHËN, e cila, themi ne, nuk na mjafton kurrë. Po cila kohë nuk mjafton? Lënda e parë, koha e Krijuesit domethënë, apo koha vetiake e njeriut, ajo që gjithsecili duhet ta prodhojë vetë, duke përzier dashurinë, mendjen dhe punën e tij me kohën e Diellit, e cila është praktikisht e pafundme?

Dy rreshta më poshtë  marrim vesh që Varvara Va, një nga personazhet e shumtë të librit, ka një “problem KOHE” me të dashurin e saj, Martin Gegën, problem të cilin ia përcjell dhunshëm  edhe atij:

– I dashur, me kërshëri do t’i prisja të gjitha stinët e lulëzimit, harlisjes dhe pjekjes së kureshtisë tënde, por ti e di se si qënie të kushtëzuara në kohë, jemi të privuar nga shumë voli,…

Varvara Va, midis kërshërisë dhe pamundësisë për të “pritur” të dashurin në të gjitha format e ardhshme të shfaqjes së tij fiziko-shpirtërore, pozicionohet në njëfarë lëshimi të vetvetes, për të qenë e dëshiruar nga gjithkush, dhe në këtë mënyrë bëhet vullnetarisht “objekt” i përsosur për konflikt!

Që nga ky çast, Varvara Va nuk është më objekt i rëndësishëm i studimit tonë dhe nuk do të merremi shumë me të.

E gjithë vëmendja jonë do të përqëndrohet tek “sfidanti”, tek rrëmbyesi i gjësë së “tjetrit” me dhunë, nga njëra anë, dhe tek viktima, tek i sfiduari Martin Gega të cilit duan t’i marrin të dashurën, dhe kësisoj ta bëjnë njeri Tepër, për të dashurën dhe dashurinë e tij!

Në fakt, ende pa u bërë njohja direkte e kundërshtarëve, ekzistenca e një “sfidanti” diku, e ka arritur qëllimin e parë, pengimin e Martinit që, më tej të prodhojë kohë vetiake për të dashurën e tij, derisa të ketë një fitimtar primitiv, i cili do dalë nga përleshja (dueli) midis atij që “ka” dhe atij që kërkon të rrëmbejë!

Konflikti është i llojit të përjetshëm, ashtu siç është e tillë edhe mënyra e zhgjidhjes: kemi të bëjmë me dhunë për të rrëmbyer dhe me dhunë për t’u mbrojtur ose në pamundësi për t’u mbrojtur, duhet të vijë vdekja ose arratisja.

Që lexuesi të kapi me një vështrim gjithë përmbajtjen e romanit “Dueli” dhe ta ketë më të lehtë ndjekjen e mendimit tim, po e përmbledh atë me dy fjalë: është një Martin që ka një të dashur me emrin Varvara Va, shumë larg vendlindjes së tij, Shqipërisë, ku heroi ynë ka patur një jetë të vështirë dhe ku pothuajse gjithmonë ia kanë “rrëmbyer me dhunë” gjithçka të dashur, duke tentuar ta shndërrojnë përjetësisht në njeri Tepër. Pothuajse gjithmonë është mundur edhe kur ka luftuar, dhe pastaj është tërhequr i thyer përpara së keqes që nuk i është ndarë gjithë jetën. Nganjëherë edhe ai është bërë “i keq”. Tani, në tokën e huaj, me një të dashur që e dëshirojnë shumë të tjerë, por sidomos e dëshiruar nga një “përbindësh” me emrin Maks, është i ftuar të mbrojë të dashurën, të drejtën dhe nderin e tij, të fitojë ose të vdesë, në të dy rastet i nderuar, ose… Po të dojë, i jepet mundësia të arratiset si burracak, i turpëruar e i përbuzur nga të gjallët dhe të vdekurit!

– Fabul e thjeshtë, tepër e thjeshtë, – mund të thotë dikush. – Një libër me konflikte të tillë të zakonshëm mund ta shkruajë kushdo!

– E vërtetë, mik i dashur! – do t’i përgjigjem unë. – Pothuajse në shumicën e librave artistikë përmbajtja e tyre vërtitet në ngjarje të tilla të zakonshme, dhe ato mbeten të rëndomta në qoftë se trajtohen nga shkrimtarë të rëndomtë. Por,… në penën e një shkrimtari gjenial si Agron Tufa, i cili i shfrytëzon me mjeshtëri të pabesueshme mjetet artistike të fjalës së shkruar, ngjarjet e “zakonshme” shërbejnë vetëm si pedanë ku mendimi përplaset për të kapërcyer në hapësirat magjike të arsyes së ndritur të mendimtarit të lirë.

Pak më lart pamë sa e magjishme bëhej fjala në gojën e Mirush Sokratit dhe në penën e Milazim Krasniqit. Më poshtë do shohim të njëjtin fenomen me Bashkim Hoxhën dhe Faruk Myrtajn. Mos krijohet  ndonjë “problem” me shpalljen e shumë gjenive nga një i paautorizuar nga pushteti i klaneve? Në këtë rast, për gjithë të internuarit është më mirë të kujtoj që vetëm skllevërit marrin leje për të shprehur mendimet e tyre, dhe, skllevërit quajnë të besueshëm vetëm mendimin e njerëzve të pushtetit. Gjithashtu do përmendja këtu një thënie të Emir ul Muminin: “Të lëvdosh më shumë se ç’i përgjigjet së vërtetës është sahanlëpirje; të lëvdosh më pak seç duhet, kjo vjen nga paaftësia në të folur ose nga zilia.”

Agron Tufa, thash më lart, është mjeshtër i përdorimit të fjalës, por qëllimi i shkrimit tim nuk më lejon të ndalem gjatë në vlerat artistike të këtij libri, prandaj më duhet të merrem më shumë me rrjedhën e mendimit që përcjell autori, ashtu si e kuptoj unë atë.

Sfidanti “i rrëmbyer”, me pamje të tmerrshme, me mirësjelljen e egër të mundësive të tij, shprehet qartë dhe shkurt:

-… unë e dashuroj Varvara Va. Ju më pengoni seriozisht të ndjehem i qetë në ndjenjën time, ndaj… të them të drejtën, kam vendosur t’ju heq qafe.

…Ose të më hiqni qafe ju mua… Njëra nga këto të dyja është e pashmangshme!

Nënvizoj këtu që Varvara Va, e dashura e Martinit dhe e dëshiruara e Maksit, është joshur nga ky i fundit dhe ka vendosur të ndahet me Martinin, por në grindjen e tyre nuk bëhet palë  me asnjërin, prandaj mund të konsiderohet si një “send”, si një “mall” çfarëdo, që e zotëron dikush dhe e lakmon dikush tjetër. Kështu thjeshtohet shumë, por edhe universalizohet problemi ynë. Me dy fjalë, Varvara Va bëhet simboli i një vlere, i një pasurie të lakmuar. Edhe më domethënës e bën konfliktin fakti që Maksi nuk e lakmon të dashurën e Martinit si rrjedhojë e “hallit” e mungesës së femrave në jetën e tij, sepse ai ka “me dhjetra” të dashura, por si rrjedhojë e “hallit” të pangopësisë së mendjes së vet, d.m.th. e lakmisë së përjetshme të njeriut për gjënë e tjetrit. Theksoj këtu që në mendimin tim, uria dhe pangopësia s’kanë asgjë të përbashkët. Theksoj gjithashtu që pangopësia shkakton shumë herë më shumë luftra se uria!

Besoj se, si për mua edhe për ju, këtu “situata”, domethënë lidhja e personave të ndryshëm në marëdhënie mes tyre, është e qartë: kemi një person zotërues të një vlere, një vlerë të lakmuar, dhe një person të pangopur që nuk e kontrollon dot lakminë e tij, përkundrazi. Në kundrështim flagrant me filozofinë e Sartrit, i cili ngul këmbë që “njeriu nuk mund, nuk duhet të jetë kapriçoz në veprimet që kryen, pasi ai duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha veprimet e tij”, Maksi zgjedh një rrugë pak të lëvduar nga filozofia botërore, atë të ndarjes paraprake të përgjegjësisë me viktimën.

Maksi e “fton” Martinin në një duel “deri në vdekjen e njërit prej tyre”, për zotërimin e një femre. Këtu jam i detyruar të bëj një citim pak të gjatë nga romani në fjalë:                – Duel krejt i zakonshëm, sipas të gjitha principeve tradicionale të dueleve, pas të cilit, njërit prej nesh do t’i mundësohet e drejta të pretendojë në dashurinë e Varvara Va, – tha ai.

Dhe më poshtë:

-… më lejoni t’u pyes, zoti Martin, e pranoni ju vallë, sfidën e duelit me mua?

Nuk e di si do dredhonte Sartri përpara një “realiteti të tillë njerëzor”, pasi na ka mësuar se “kuptimi që ka gjithçka në botë varet nga zgjedhjet që bëjnë njerëzit”, ose “nëpërmjet zgjedhjeve të tij të lira njeriu krijon vetveten.”

I bie pra, që Martini qenka i lirë, me një veprimtari të ndërgjegjes që quhet  zgjedhje” të vendosi vetë për fatin e tij!

Më duket, kështu e lanë gjykatësit të lirë edhe Sokratin, të zgjidhte midis vdekjes me thikë, me litar ose me helm. Dhe ai zgjodhi helmin. Domethënë, Sokrati bëri zgjedhje “të lirë”!

Po kështu, edhe Martinit, i duhet të përleshet, ndoshta “deri në vdekje”, me “zgjedhjen e tij të lirë”, megjithqë nën trysninë e kërkesës së dhunshme të Maksit!

Sidoqoftë, përballë dhunës së pangopësisë së Maksit, Martini, si akrepi i rrethuar me zjarr që mund të presë të digjet ose  t’ja futi vetes, duket sikur ka tre mundësi: fitoren, vdekjen ose turpin, por në fakt mundësitë janë vetëm dy: përballja ose mospërballja me të keqen e detyruar! Dhe kështu, duke u shtyrë më tej, kuptojmë që fatkeqësisht njeriu është i dënuar të jetëojë dhunshëm… herë si pësues i dhunës, herë si prodhues i saj, domethënë, praktikisht njeriu i tanishëm, ashtu si i mëparshmi, jeton pa kurrfarë zgjedhje, në “mundësinë” e vetme që njeh, në atë të dhunës me detyrim!

Lavdëruar qofshin të gjithë filozofët, që nga Platoni deri tek Sartrti, të cilët e “magjepsën” mendjen e njerëzimit me problemin e “esencës që paraprin ekzistencën” në kundërvënie me “ekzistencën që paraprin esencën”!

Këtë problem nuk e ka aspak Martini me Maksin, të cilët nuk janë të kënaqur nga jeta e tyre, dhe në fakt, dalëngadalë po e konsumojnë atë pa “synim të qartë, qoftë ky i trashëguar, i mësuar ose i “kuptuar” vetvetiu. Pikërisht mungesa e një qëllimi të qartë, afatgjatë e të padëmshëm për të tjerët, qëllim që e përjashton përdorimin e dhunës për të “fituar”, dhe që mund ta projektojë vetëm mendimi i njeriut të Merituar ose i njeriut të Vërtet, ka sjellë si pasojë “hiçgjënë” e vlerave të vërteta tek shumë personazhe të “Duelit”…