Ty të kujtohet qielli tjetër…

*  *  *

Gjuha është qela e qenies.

                                     M.Heidegger

 

Të Vërtetat e Epërme e përpijnë Orën e veshit:

shkulme shkundulluese shkunden e shitojnë

timpanin; shurdhohet e bje shyt

njeriu si derr shkumak me angrra t’shkoklueme nën patërshanë.

E Vërteta e Epërme e vret Syrin e pastërvitur njerzor

me shkreptimën terratisëse të dritës,

e shtang nuhatjen përtace me duhmën e rrufesë.

 

S’jemi pjekur ende për të parë anën e përtejme të dritës dhe tingullit.

 

E Vërteta e Epërme pret  në beft,  përgjatë shtegut të mnershëm,

larg shesheve popullore a tregjeve sociale, larg

shqisave të mbufatura me hyjni kallpe, e duke t’u ngulur në palcë,

gjakon gjuhë, gjersa

gjërat t’i gjegjen Zotit të tyre, që, gjithaq, është Gjuhë.

 

   Moskë. Dhjetor 1998

 

 

 

 

 

ORFEU

 

Jeta jote – burgosur aq mirë,

Mbështjellë puthitur e pa drojë

Me fletët rrotullame të një qepe

E flijoi, ah, thelbin e vet

Me të mshehtat e mbrame –

Kur tehu i thikës feksi

Ngulmueshëm, duke grirë

Zemrën tënde të njomë –

Topitur erudicionesh fiktive.

 

Lotët e Euridikës në kuzhinë

S’kanë tjetër shkak

Pos faktit

Që ti je i vetmi ingredient lotsjellës

Në sallatën e rëndomtë familjare.

 

 

 

ENGJËLL NIKOTINE

 

Të dua ty, engjëll nikotine –

Farë e zeshkët e veshur si laps.

Pëshpëri me buzët e zbehta,

Pëshpëri me buzë të dredhura

Ligjërata të largëta që kujtesa t’i zmbraps.

 

Ti lëshohesh me parashutë në mbrëmjen e butë

Terrin njolla-njolla duke lëpirë:

Flatrat të shushurijnë – lule akacie në erë –

Engjëll nikotine, ti je brengë e arrirë!

 

Ti lëshohesh si shifër e trashë fatidike –

Si gështenjë e plasur në zjarr qe flatron si ferrak.

Të dua, o engjëll nikotine –

Klloun bojërash uji

Me ngjyrën e premtimit të shpërbërjes sime në ag.

 

 

 

 

 

*   *   *

Ti lëshohesh në këtë orë të vonë si mellan Kallamari

Duke fshehur preklat e tua të verbëra: shpirti yt – kandil deti!

Ti e ngre atë, të qullur në pritje, me shtresa të kalbura pengjesh,

Me zona të errëta mallesh, me gjithfarë regëtimash

Që ta përqethën shtatin e të turpëruara u rrëkëllyen

Një nga një në këllëf.

 

Teptisur nga epshi si bishë mijra sysh, kujtesa – aty:

Ajër i nginjur – cit me errësirë të ndenjur pa një xixë –

E gatshme të marrë hak,

Qiell që ha zogj të gjallë,

Mur i trashë e i ftohtë

Fundosur mjegullimës së miteve të veta.

 

Ti je lëndë që të ka ngrënë përcaktimi. Nuk i shmangesh dot

Kësaj bujtine të errët: përmbajtja e saj zgjanohet

Duke gërryer një tjetër formë në ty,

E sigurtë, me kumtin e zi drejt ardhmërisë…

 

Sa më i lartë të jetë fluturimi yt –

Aq më shungulluese ka me qenë rënia.

Ti s’je veçse zgafellë që zgjanohesh pafund

Me arkitekturën e shembjes përbrenda.

 

                                                              Moskë, shkurt, 1998

 

 

*   *   *

Ty të kujtohet qielli tjetër: i gjerë e i huaj;

turma e të panjohurve në rrugë, automobilët…

dhe dëbora e pjerrët – mbulon pothuaj

si vual pikëlor zhurmat, pamjet, stinët –

po më së pari – kurmet lakuriq, të bardhë

të të dashurave të trishta.

Ç’u bë me to vallë? Ku shkoi ajo enigmë e valë

që shkepej e purpurt prej buzëve të tyre të mishta?

Herëdokur, si karusel i prishur stepin të ngrira

fragmente të gjymta peisazhesh, interieresh,

copëra frazash, përgjërime n’errësirë… Perspektiva

ndalon prerë dhe njëherësh –

sikur lë të kuptojë, se retina pëlcet prapa velit –

nga drita çnjerëzore në fund të tunelit…

 

Vjenë, shtator 2005