MËRZIA
Me shkop mërzia lodhjen shkund –
Tapet dimërak – dyst krahnezë…
Teshtima vdes. Dita merr fund
Tek plas si poç me verë të zezë.
Asgjë s’të ngut të marrësh hak,
Asgjë s’të ndal të bësh bilanc –
Gjersa çka ndodhi nuk e shmang,
Gjersa çfarë mbetet – ngrin kuarc.
Po tjetër lodhje do t’na mbërrijë
Që zhegun zhbën, njëlloj dhe ngricat.
E madhja fshesë gjithkah do fshijë
Dhe pengjet tona, dhe tepricat.
Ç’bunacë e fashë do të pllakosë!
Ç’kompresë për kafshë, drunj e gjind!
Do ngjethë gjithkënd nëpër Kozmos
Ideja, që sërish të lindë…
23.01. 2017
SHILARËS
Fryma ime e re rend si shtjellë nëpër male.
Fryma ime e vjetër përpëlitet në fushë.
Ah, si po shndrijnë këto shandane!
Si pezull m’u poq ky peng në gushë!
Fryma ime e re turbullohet ndër male.
Në fushë e ndrron Frymën e vjetër vërtik.
Dridhen fantazie harta seksuale,
Një shilarës i trishtë ç’po më kolovit –
Nga fushat e plogështa –
Te malet me re,
Herë në polin ndoshta,
Herë në polin pse.
GUR
Të jem herë herë pas here gur,
është diçka që më jepet.
Dhimbjet s’shohin dritë kurrë,
si paja mortesh ndër sepetet.
Dhimbja shket e bën kërdi
diku gjetkë, që nuk është “unë”.
Unë mbes guri në kufi:
nuk bëj dhunë; s’pranoj dhunë –
unë që dhunën mirë e njoh
(mos nuk isha dëshmitar?).
Dhimbja shuhet nëpër kohë,
unë kap veten duke qarë…
Të jem guri në kufi…!
S’di se kush ma ka mësuar.
Është mallkim apo dhunti?
Apo diç e ndërmjetësuar?
2016
PËRPLASJA
secili përplaset dhe jep
tingullin e vet të pakuptimtë.
Përplasu dhe ti.
e qetë dhe kanosëse
me gishtin ndër buzë
heshtja avitet…
Përplasu po munde.
2016
TRISHTIMI
mustaqedredhur
e kacadrê
ia beh trishtimi
e rrjedh me rânë
rrëké-rrëké
çdo grimë gëzimi.
Po ndaj të gdhirë
larashë nën shi
flatrojmë çative;
trishtim’ i njelmë
shkund kripë të thatë
në fund të syve.
Na ngushëllojnë
pezull n’ajrí
hamendje t’rrasta;
kafshojmë tërbimthi
në lartësi
duar të zbraz’ta.
2016
* * *
pylli i të vërtetave
mashtron me ngjashmëritë,
aní pse kurrë nuk u përputh
druri me dru,
gjetja me gjethe.
…dhe vetëm një tokë poshtë,
dhe vetëm një qiell lart
i mban, i ushqen të gjitha.
2016
TËHUAJSIMI
Siç ndërron ekspresi i kafesë
nga “e ftohta”, tek “i nxehti”,
me maska në të parën kthesë
unë loz me vedin “kukafshehti”.
Zgjedh këtë lojë në orë të vonë,
që të mos jem më “i vërteti”.
Ç’do endem gjatë… i patenzonë,
me maska rolesh përskaj vedi…
Dhe, druaj fort, për besë, se mos
kur kobra-Kohë të hyjë në valle,
ndër maska vedi t’jetë mumosë,
i humbur shqim në saturnale[1].
Por dhe në ndodhtë, si rastësisht,
të dy të ndeshemi ballpërballë,
s’do mundem dot të ngre një gisht,
t’i them: “je unë… nuk me njeh vallë?!”
Dhe, bjerrë ndër vite, i maskuar,
ç’prej se çel gonxhja, bie gjethi,
do jem, prej vetes, alienuar –
një peng i lojës “kukafshehti”.
PEIZAZH
një fllad i përzhitur shkrumbi lëpin hamulloren.
fluturojnë ulët stërqokat dhe një langua
sulet shigjetë pas tyre.
mandej
miliona pikëpyetje asgjësuese shiu
ngulen marrafrymas.
ia mbysin fushës përgjigjet.
2015
DUELI
– … ti nuk e ke fituar duelin e pritur, – më thotë një mik i vyer me ton ndërkryer.
– nëse pati duel, – i them, – do ta dija vetë… – (mandej, me të pëshpëritur): – duelet shpallen…
si qenka kështu?! s’janë të vdekur që ngjallen…”
– flas për atë duel, – ngre ai gishtin përpjetë, – që ty s’ta pret mendja… që nis nga e hëna
e sos tek e premtja: bash njaté ti fituar s’e ké!
– shshshsh, – i them, – duelet shpallen në tokë, nuk shpallen në re! Mandej, shtoj me ton ankestar:
– nëse e kam humbur, pse s’më paskan vrarë?!
– ke të drejtë, – thotë miku me të tallur:
– ka edhe të vrarë, ende të pakallur…
2015
[1] Një festë me maska që bënin romakët më 17 dhjetor, për nder të Saturnit.