Blerimi

-miniaturë-

Babai ka kthyer nga Greqia, pasdite vonë, kur ai ende flinte. Në shtëpi gjendet vetëm Blerimi i vogël me të ëmën. Vëllezërit dhe motra kanë shkuar me pushimet verore te daja. Blerimi i ka lënë pa prekur dhuratat. Atë nuk e tërheqin lodrat, rrobat, bombonet, as veza kinder surprise. Ai sillet nëpër këmbët e të atit, fytyrën e të cilit mundohet ta kujtojë, por nuk mundet.
“Po sikur ky të mos jetë babi, por një njeri tjetër?”
Fytyrën e tij Blerimi mendon se e ka parë dhjetëra herë në rrugë, sa herë del me shokët. E sheh me dyshim të atin dhe i duket se pas tij fshihet një tjetër.
Mandej turret shigjetë dhe i trishtuar, e fsheh turirin në gjirin e mamit.
I ati i buzëqesh, e merr hopa, mundohet t’i pëshpërisë ca fjalë përkëdhelëse, por Blerimi nuk ua di kuptimin dhe s’di pse, ato që i thotë i ati, i duken pa kuptim.
Ai i afrohet pas çdo fjale të këtillë të ëmës dhe e pyet në fshehtësi të plotë, duke i çuçuritur në vesh:
“Mam, ç’do të thotë carcami?”
“Mam, ç’do të thotë, oj boçe gështenje?”
“Mam, ç’do të thotë picirruk? Po kacamisër?”
“Ç’do të thotë, mam, tarnanaq? Po rrapatush?”
“O mam, unë nuk e di ç’do të thotë pupalesh! Ma thuaj, mam, ma thuaj, ç’do të thotë kacagjel?”
Fryn një fllad i rreshkur drejt e nga hamullorja e korrur.
Ka rënë muzgu.
I ati ka dalë në verandë bashkë me xhaxhi Bashkimin, sahatçiun e ujit. Ai ka lënë shatin e madh ndanë gardhit të rënduar nga kacavjerrja e kungujve, përplot lule të verdha trajtë hinke, stërpikur me pluhur të verdhë poleni. Mbi verandë varet shtrazë tenda e hardhive me vile të papjekura. Dëgjohet rrufitja e kafesë që sjell mama. Mandej, mama sjell me tabaka edhe dy kupëza të vockla kristali. Blerimit i duket se ato dy kupëza të kthjellëta u ngjajnë dy syve të mamit. Qelqi me lëngun e tejdukshëm të pijes vetëtin nën llampën e dobët të verandës. Dy burrat cakrrojnë gotat.
“Gëzuar e shyqyr që i gjete shëndoshë!”, thotë xhaxhi Bashkimi.
Sërish rrufitja e trashë e filxhanëve të kafesë.
Brenda në sallon, dëgjohet zhurma e gjalpit që bën shamatë në tigan e, pas pak, – era e karakteristike e qepës së njomë.
Blerimi i vogël ka rënë përmbys mbi çimento, rrëzë këmbëve të burrave dhe nxit me një fije kashte gruri dy thnegla, të mësyjnë njëra-tjetrën.
Mandej vjen sërish mama, e veshur me petka të reja dhe një përparëse të bardhë e të qëndisur me lajle vishnje dhe të gjelbër.
Ajo sjell pjata të mbushura me sallatë të freskët dhe mish të skuqur.
Mami duket shumë e re. Gati-gati, më e bukur se edukatorja e Blerimit.
Blerimit i vjen inat që e kanë harruar.
Dy-tre herë ai bën përpjekje të thotë diçka:
-“Ba, o ba!”
Por babi është i zënë. Ai i lyp çiftelinë mamit, e merr në dorë dhe, si i shtrëngon telat disa herë, shtrëngon e mbledh buzët dhe provon akordin e kërkuar.
Blerimi i vogël s’di ç’të bëjë: ashtu, përmbys, cyt me fijen e kashtës dy thneglat që prore ikin të pakënaqura nga ky afrim i dhunshëm.
Blerimi dëshiron heshturazi që xhaxhi Bashkimi të marrë shatin e tij të madh dhe të shkojë pas ujit.
Sa keq! Kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt. Babi e ka gjetur akordin e kërkuar dhe, pasi i bie një copë herë çiftelisë, ia nis një kënge të mërzitshme:
Ej, Mahmut Daci, more…”
Kënga është e gjatë dhe Blerimi i vogël mundohet të përqendrohet me fijen e kashtës mbi thneglat që s’duan e s’duan ta mësyjnë njëra-tjetrën, gjersa të sosë kënga.
Xhaxhi Bashkimi ka dredhur prej qeses së tij “Tarabosh” dy cigare të trasha, të fryra në mes, që Blerimit i duken si dy hardhuca me barrë. Njërën ia hedh babit të Blerimit përkundruall, mbi tavolinëzën e gostisë, afër pjatës së mbushur me patate të skuqura.
Babi është i zënë me fjalët e këngës: “Mahmut Daci, mor ç’na paska thanë –eee…”. Babi vetëmse tund kokën në shenjë falenderimi.
Blerimi i nguc sërish thneglat që duan të largohen dhe kërkon të marrë disi pjesë edhe ai në këngë, andaj, herë pas here, zhuzhin:
E daci, daci, o hej… Daci bre, daci, o hej…!”
I ati i tund kryet kërcënueshëm Blerimit. I ngrysur, balli i t’et zbret vertikalisht midis dy vetullave. Por Blerimi nuk e sheh. I mahnitur me dy thneglat, ai shpall gjithë gëzim:
“O ba, shih, o ba, shih, shih: po qihen!”
Çiftelia ndalet. Zëri i t’et pushon dhe mandej, Blerimit të vogël i erren sytë nga një flakurimë ndëshkuese. Sytë i qesin lotë:
“Qafir! Mistrec! Këput qafën, kopilhane bre…!”, ulërin i ati.
“Mos, mos i bjer, pash Zotin! Po ai ashtu kërthi…”
Blerimi i vogël gëlltit lotët. Buza i dridhet. Flegrat e hundës i zgjerohen dhe ato ia shpon një shije e athët. Sheh i tronditur të atin. Tani Blerimi bindet: ky nuk është i ati, por thjesht në vend të tij, ka hyrë në shtëpi një njeri i huaj. Babi nuk e di se në vend të tij…
Blerimi i vogël ndjen se ia lag diç buzën e sipërme, mandaj pika të errëta i bien si shi i zi mbi bluzën e bardhë me lepur veshgjatë që e ëma ia vishte veç ditët e festave. Ai turret i dëshpëruar tek ëma:
“Gjaku… gjaku… mam, gjak!”, por nuk qan.
E ëma e merr për dore dhe, pa nxjerrë fjalë prej goje, e çon në banjo tek lavamani. Në vishkullën e ujit që rreh bardhësinë e lavamanit, ajo i lan hundën, i përkëdhel flokët, i thotë qindra fjalë të ëmbla, me zë të dridhur e të përmallshëm, mandej, e fshin, e puth dhe e merr në krahë.
Blerimi e shtrëngon fort përqafe dhe ndjen se faqja i laget pas mollëzave të mamit. Mandej ai ia fshin vetë sytë mamit me pëllëmbën e pasigurt që i dridhet, struket në përqafim, duke menduar me ngulm e lumturi ngushëlluese:
“Sa mirë që Zoti s’ka harruar të sajojë Mamin!”