(Nga libri në proces botimi)
Përkthimet e përfshira në këtë përmbledhje poetike janë mbajtur shumë kohë nëpër duar. Ndërdyshja ime ka shkuar paralel me marrëdhëniet e mia ndaj poezisë së Josif Brodskijt. Poezia e tij, si e çdo poeti të madh e të vështirë, lyp, si minimum, një klimë të caktuar psiko-emocionale, e cila mbërrihet me dialogun e ngjeshur e të pandërprerë. Josif Brodskij, poeti më i pakompromis në jetë dhe në krijimtari, nuk ta lejon komunikimin gjysmak. Nëse ka ende lexues (dhe sigurisht që ka), të cilët e shikojnë leximin e poezisë si thelbin e një dialogu ekzistencial, atëherë ata do të gjenden të përpirë në gravitetin grabitqar që paracakton ligjërimi poetik i Brodskijt.
Ka qenë pranvera e vitit 1996 kur, asokohe, student i Institutit të Letërsisë “A.M. Gorkij” (Moskë), provova të përkthej poezitë e para të Brodskijt. E zgjodha vullnetarisht këtë përballje (të rëndë për stadin e atëhershëm të rusishtes sime) në seminarin e Teorisë së Përkthimit Artistik, të udhëhequr nga përkthyesi dhe filologu rus Valerij Sergejeviç Modestov, mik i madh i Shqipërisë.
Njohja ime për poezisë e Brodskit ka shkuar organikisht me njohjen e kontekstit kulturor dhe rrethit letrar kur u krijua, me njohjen e rrënjëve letrare e artistike ku u ushqye kjo poezi, e mallkuar zyrtarisht, e ndaluar të botohej nga regjimi komunist, por me fat të madh që qarkulloi ilegalisht me sistemin e tirazhimit të Samizdat-it (si e të gjithë krijimtarisë së disidentëve); mandej ka vazhduar me njohjen e jetës së poetit, me përndjekjet, arrestimet, spitalin psikiatrik, dënimin dhe internimin; njohja e tragjedisë personale në sferën intime, etj. Të gjitha këto erdhën më vonë, duke më thelluar vertikalisht brenda një universi poetik marramendës.
Josif Brodskij ka qenë e vazhdon të mbetet për mua, përveç ndjeshmërisë se mprehtë e të përmbajtur emocionale, si natyrë e afërt, edhe një universitet i pashterrshëm përvoje. Personaliteti i tij stoik, karakteri i pamposhtur, që nuk bëri kurrë kompromis as në jetë, as në krijimtari, ka qenë për mua, ndër të tjera, dhe një shembull i madh etik.
Poezia e Brodskijt paraqet, në përgjithësi, vështirësi të mëdha dhe të papritura për përkthyesin e çdo gjuhe, por vështirësitë më të mëdha kanë të bëjnë me klaviaturën tejet të koklavitur të prozodisë së tij me një larmi të pafundme skemash metrike, ritmesh e rimash. Krijimtaria poetike e Brodskit përfshin në periudha të ndryshme modele të shkartisura poetike sa nga tradita ruse e botërore, aq dhe nga modernizmi dhe avangarda. Kategoritë dominuese që formojnë nyjet kuptimore janë temat e përhershme metafizike: dashuria, vdekja, koha, hapësira dhe gjuha. Në të gjitha këto diskurse lirike e filozofike të poezisë së tij, metafora shtjellohet me bazë mitin klasik greko-romak, mitin religjioz, mitin e përditshmërisë, alegorinë dhe metamorfozën. Por në këtë thurimë të dendur kuptimore, duhen pasur parasysh elementët vendimtarë të teknikës dhe kompozicionit, ato që përbëjnë, në fakt pëlhurën dhe sharmin stilistik: citimet, aludimet, asociacionet e shumëfishta me referenca nga kultura amtare dhe botërore, intonacionin, diksionin vokal me tendosjet dhe shtendosjet oktavës së tij në partiturën e poezisë.
Një tipar shumë i rëndësishëm i poezisë së Brodskijt është interteksti në trajtën e citimit të drejtpërdrejtë dhe të maskuar. Këto lidhje intertekstore ngrenë në kujtesë të tjera vepra të traditës dhe modernitetit, ndaj për ta kuptuar mirë këtë poezi, duhen mbajtur fort parasysh këto burime nga e merr zanafillën procedeu modernist ose postmodernist i tij. Shpesh herë citueshmëria dhe aludimet shtrihen fraktal duke cekur origjinën e pandërprerë të kulturave nga antikiteti tek bashkëkohësia, saqë këto inkursione i ngjajnë një hiperlinku, apo siç thuhet me një term më të saktë, një hiperteksti. Poezia e Brodskit është një lavjerrës i gjallë e i shqetësuar, që prek të gjitha skajet e traditave poetike. Përkthyesi nuk e ka asnjëherë të sigurtë tokën nën këmbë. Nëse do që ta rikrijojë efektin artistik të poezisë në gjuhën amtare, atij i duhet gjithmonë një vigjilencë shtesë.
Përse – ose më saktë – për kë përkthejmë? Përgjigjja ime për këtë pyetje është individuale: për mua përkthimi është lloji më i mirë i leximit, ai lloj leximi që synon mbërritjen e një kuptimi absolut të teksturës dhe shenjave eksplicite në universumin e teksit.
Por që të ndash mahninë e kësaj dashurie me të tjerë të ngjashëm si ti, përmes rikrijimit të saj në gjuhën amtare, atëherë poezia jo vetëm duhet përjetuar, por edhe duhet jetuar. Me këtë të fundit kam parasysh materien tingullore e muzikore, me të cilën duhet patjetër të familjarizohesh. Qëllimi i çdo forme të leximit ka të bëjë me faktin se si të mbërrish thelbin e veprës, si ta kuptosh, çfarë qëndron ndërmjet dhe përtej vargjeve. Kjo ka të bëjë me veçorinë më kryesore të çfarëdo vepre letrare të rangut të lartë. Është ajo që shkruan rreth një shekull më parë kultorologu dhe esteti gjerman Valter Benjamini në esenë e tij të mrekullueshme “Detyra e përkthyesit”: – “Çfarë pikërisht na thotë një vepër letrare? Çfarë na përcjell ajo? Ajo na rrëfen shumë pak nga sa kuptojmë vetë. Karakteristika e saj kryesore – nuk është shprehja, as përcjellja e informacionit”.
Në rastin konkret, duke lexuar poezitë e Brodskijt, ne jemi të pranishëm jo në mësimin e historisë dhe kulturës ruse, megjithëse poezitë kanë personazhe dhe reale nga kjo epokë. Ne dëgjojmë ngashërimën, kujën, qoftë dhe të një shpirti të vetëm, i cili – duke ndërmendur gjithë çfarë ka përjetuar – gjakon t’i shkrijë këto përvoja të trishta në poezi, pra, në trajtën më të epërme që ka gjuha. Gjithësesi, kur lexojmë një vepër të arteve fine, sikundër është poezia, madje edhe pa asnjë paramendim për ta përkthyer, ne “përkthejmë” nga një gjuhë tjetër – nga ajo gjuhë në të cilën është shkruar vepra – në gjuhën e përbashkët amtare për të gjithë, pa dallim, që është gjuha e shpirtit. Këtë gjuhë ne e kemi harruar në kohërat e parrokshme nga kujtesa – që nga rrënimi i kullës së Babelit. Ne kapim, përthithim jehun, gjurmët e kësaj gjuhe në vargje, në rrëfimet e shkrimtarëve të mëdhenj, ndër të cilët është, padyshim, Josif Brodskij.
Për poezinë nuk është aspak e mjaftueshme përcjellja ad literam e përmbajtjes, saktësia e ftohtë e përcjelljes së origjinalit. Nuk më pëlqejnë përcjellje të tilla, që krenohen me saktësinë dhe humbasin muzikalitetin, ritmin dhe rimën. Një metodë e tillë mbisundon sot në disa kultura përkthimore bashkëkohore në Europë dhe Amerikë. Sikundër thotë dhe Benjamini në esenë e lartpërmendur: “Çdo përkthim që rravgon të përmbushë funksionin përcjellës, nuk mundet të përcjellë asgjë tjetër, përpos informacionit. Kjo është shenja që i dallon përkthimet e këqija”. Po cili është misioni kryesor sipas Benjaminit? “Misioni i përkthyesit është – të çlirosh në gjuhën amtare energjinë e asaj gjuhe të kulluar që është magjepsur (ngallmuar) prej një gjuhe tjetër, ta çlirosh atë gjuhë të murosur në burgun e veprës, me rrugën e rikrijimit të po kësaj vepre”.
Prandaj unë jam idhtar i flaktë i atij lloj modeli përkthimor që thotë, se poezia duhet të përkthehet si poezi. Me këtë dua të saktësoj dhe diçka tjetër, që rrezikon të keqkuptohet. Kur them poezia duhet përkthyer si poezi (dhe këtë mund ta bëjnë poetët apo ata që potencialish janë poetë edhe pse nuk kanë botuar poezi), nuk kam aspak parasysh konceptin e shqipërimit, që futi F.S. Noli në vitet ’20 të shekullit të shkuar. Shqipërimi është ngulitur si një traditë abuzive tashmë, duke nënkuptuar që ti ta lëmosh e ta stolisësh poezinë, sipas qejfit, për lexuesin amtar, duke ia zhveshur apo këmbyer asaj pajën e begatë të origjinalit. Domethënë, ta përshtasësh atë, duke e bërë origjinalin vetëm një shkas për një biçim krijimtarie personale përballë lexuesit amtar, që nuk është në gjendje ta njohë tekstin origjinal. Jo! Përkthimi duhet të jetë përkthim i përpiktë edhe i saktësisë, dhe besnikërisë kuptimore duke përfshirë besnikërinë e përcjelljes së imazheve dhe metaforave, që së bashku përbëjnë manierën e shkrimit, diksionit, sikundërse, padyshim, dhe masën e vargut, muzikalitetin, ritmin dhe rimat.
Kemi të bëjmë këtu me thënien dymijë e ca vjeçare të Ciceronit: “Përkthimi është si një grua. Nëse është e bukur, është tradhëtare. Nëse nuk është e bukur, është besnike”. Unë mendoj dhe, së paku jam përpjekur ta pajtoj këtë kontradiktë: që përkthimi të jetë një grua edhe e bukur, edhe besnike. Kuptohet përkthimi nënkupton vetvetiu edhe njëfarë sakrifice apo firoje të origjinalit. Një përkthyes i mirë mat, peshon, se cilin element me më pak peshë të sakrifikojë për hir të muzikës dhe rimës. Pra, cilën grimcë të shtojë apo të heqë, pa i ndryshuar gjë fizionomisë së origjinalit. Prandaj duhet të kemi një qasje dhe kuptim shumë të lartë të origjinalit dhe se, patjetër, e përsëris, poetët duhen përkthyer nga poetët. Me këtë kam parasysh poetët e vërtetë me kulturë të gjerë, jo çfarëdolloj bejtexhiu.
Thënë më troç, mendoj se përkthyesi, gjithashtu, duhet medoemos ta kuptojë në detajet më të përimëta poezinë që përkthen; madje ta kuptojë atë po aq sa poeti i origjinalit; d.m.th, të gjitha, edhe inverset, rimat, të cilat ka zgjedhur poeti, ndoshta pavetëdijshëm, nën ndikimin e lavdishëm të muzës dhe se, të gjitha këto elementë, duhet të jenë objekt analize për një përkthyes. Në radhë të parë duhen kërkuar burimet e poezisë, duhet gjakuar të kapësh me veshin e mprehur e vigjilent dhe jehun e krijimeve të tjera, të tretura në atë poezi që përkthen.
Një parim i tillë më ka udhëhequr gjatë rikrijimeve përkthimore të veprave të Brodskijt. Për një shpallje kaq të hapur, ndoshta dhe vetlëvduese, le të më ndëshkojë lexuesi besnik i poezisë.
Çdo poezi e kuptuar dhe e përjetuar mirë, e ka çelësin e përkthimit brenda. Më pëlqen koncepti i “binjakësisë” së Shën Agustinit, sipas të cilit, siç ka shpirtra të lartë krijues të teksteve, gjenden dhe lexues të po asaj lartësie shpirtërore, që bëjnë të mundur horizontin e ndriçuar të kuptimit. Analogjikisht pra, siç ka poezi origjinale të frymëzuara, ka dhe poetë-përkthyes që e rikrijojnë magjinë e origjinalit në gjuhën amtare. Rrjedhimisht, siç ka një muzë të krijimit origjinal, ka dhe një muzë të poetit-përkthyes.
Duke pasur një marrëdhënie të gjatë e të pandërprerë me krijimtarinë e Brodskijt, zbulova një gjë me rëndësi thelbësore për qasjen e përkthimit të poezisë së tij – leximin e ngadaltë, të përsëritur, të dendur; mësimin përmendësh dhe recitimin, apo më saktë do të qe – këngëzimin me vete, duke depërtuar në dy lloj linjash paralelisht: në linjën tingullore/muzikore, me të gjitha efektet e llojit të vargut, ritmit dhe rimës dhe një linjë tjetër, kuptimore, që u jep jetë imazheve dhe ftillon fijet e panumërta të përfytyrimit, i dendëson ato me poliseminë dhe asociacionet.
Më kujtohen, jo pa nostalgji, shëtitjet e mia të vetmuara nëpër rrugicat e Moskës, udhëtimet me trena pyjeve apo rrethinave, duke përsëritur në mendje me dhjetra herë poezitë e Brodskijt. Është pikërisht kjo, ajo që zbulova tek Brodskij: poezia e tij nuk përkthehet pa u përjetuar me të gjitha nuancat, sperktrin e dritës dhe mugëtirës, harmoninë tingullore dhe metafizikën e përfytyrimit. Nëse thjesht, leximi i poezisë së Brodskijt parakupton një rezonancë shpirtërore, përkthimi i poezisë së tij lypte, para së gjithash, pjekjen e atmosferës poetike, familjarizimin e veshit me muzikën e tij dhe, më së mbrami, frymëzimin, thjesht frymëzimin për të shkruar po të njëjtën gjë sipas rregullave dhe skemës që dikton origjinali, por duke e krijuar këtë, natyrisht, me mjetet e një gjuhe tjetër. Pra, ndërmjetësimin me atë që pak më lart e quajta “muza e përkthyesit”. Vetëm pas muajsh e muajsh përsëritjeje përmendësh, kam mundur të përkthej secilën prej këtyre poezive, sidomos poezitë me masë prozodie e rima.
Një tjetër poet nobelist rus, Borsi Pasternaku, njëkohësisht dhe një nga përkthyesit legjendarë në Rusi, ka shkruar se “për përkthyesin është e domosdoshme të kalojë në po ato gjurmë, në po ato gjendje që ka bujtur më parë demiurgu paraardhës”. Për Brodskijn, që e shpallte veten “klasicist të rëndomtë”, elementi më i vyer i poetikës së tij, përveç intonacionit ligjërimor (diksionit individual, strukturës grafike, strofike e ritmike, masës së vargut, sistemit të rimave), është sintaksa poetike, bash ajo, që më së shumti nëpërkëmbet nga përkthyesit përtacë.
Brodskij është poet që përmbledh një shumësi përvojash poetike e prozodike nga traditat e poezisë ruse nga njëra anë, dhe nga poetikat anglo-saksone, nga ana tjetër, kryesisht me traditën e metafizikëve anglezë (Xhon Don, Herbert, Marvell, Aleksandër Pop) e mandej, Eliotit, Rilkes, Odenit, Robert Frostit, etj. Ky formim shënonte shkrirjen e modeleve poetike ruse me modelet anglo-saksone, që gjenden në një simbiozë eklektike në poezinë e tij. Dhe kjo duhej marrë fort parasysh. Kam qenë krejt i vetëdijshëm që fenomeni Brodskij nuk kishte paramodele në prozodinë e shqipes. A do ta pranonte vallë poetika (prozodia) shqipe këtë poet? Mirëpo vetë Brodskij, qoftë me përkthimet e tij, qoftë me poezinë origjinale, i zgjeroi parametrat prozodikë të poezisë ruse. Madje ai thoshte se “e shumta që mund të sjellë një poet në poezinë kombëtare, janë risitë që ai sjell në prozodi dhe mjetet e shprehjes”. Kësisoj, ndërdyshja ime reduktohej: A do ta pranojë vallë prozodia shqipe modalitetin poetik të Brodskijt? A do të hynte Brodskij në parametrat e vargëzimit shqip, dhe më kryesorja: a do të përvetësohej vallë poezia e tij, duke u bërë pjesë e kodit kulturor poetik shqiptar? Edhe tani që shkruaj këto shënime, nuk jam krejt i sigurtë, pavarësisht entuziazmit me të cilën është pritur Brodskij nga poetët e brezit tim me ciklet e botuara ndër vite në “Drita”, “Aleph”, “Fjala”, “Jeta e Re”, etj.
Tekembramja, përkthyesi, duke e shqyrtuar poezinë deri në imtësirat më vogla, duke jetuar e frymuar gjatë me të, duhet për njëfarë shkalle ta harrojë këtë botë, dhe, duke i besuar ndjeshmërisë së vet gjuhësore, të krijojë një botë të re, e cila do të jetë e varur nga ajo tjetra, e mëparshmja, nga origjinali, sikundërse kujtesa e një dite, varet nga po një ditë e mëparshme. Përkthimi, sipas kësaj mënyre, merr një jetë të re, jetën “pas vdekjes” së origjinalit.
Megjithatë, ndryshe nga origjinali që krijohet njëherë dhe është unik, i pandryshueshëm, përkthimi e ka një ngushëllim: atij mund t’i kthehesh sërish e sërish sa je gjallë, për të “përmirësuar” shkarjet apo keqkuptimet.
Ky vëllim është, sipas meje, përzgjedhja më e mirë poezive që përfaqësojnë portretin poetik të Brodskijt.
Maj 2021
LETRA MIKUT ROMAK
(Nga Marciali)
Tashmë fryn dhe dallgët ngrihen me tallaze.
Dhe gjithçka ndryshon këtu në prag të vjeshtës.
Ky ndrrim ngjyrash, more Postum, është mbase
nga gjithë veshjet e mikeshës më se prekës.
Femra të zbavit gjer në një farë caku –
për brryle e gjunjë të grin mandej bezdia.
Ah, ç’gëzim jashtë kurmi: aty së paku
nuk të prek as përqafimi, as tradhtia..
Po t’i nis me postë, Postum, këto libra.
Ç’kemi andej? Të shtrojnë butë? Fle beterr?
Ç’bën Cezari? Me se merret? Me intriga?
Sigurisht, me intriga, grykësi dhe sherr.
Ku unë prehem veç kandili kopshtit ndrin.
Pa mikesha, shërbëtorë, pa të njohur.
Mes të dobtësh dhe të fortësh pipëtin
paqësorja zhuzhimë kandrrash e përsosur.
Këtu prehet një tregëtar prej Azie.
Ish i zoti, punëmadh, s’ta zinte syu.
I ra shpejt: ethet. Për punë tregtie
lundroi, dhe jo të vdiste rrezikziu.
Bri tij – kuarci t’ashpër – një legjionar.
Perandorisë ndër beteja nam i dha.
Shkoi plak. Vrarë mund ta kishin mija herë!
As në këto gjëra, mor Postum, rregull s’ka.
Troç ta themi, Postum vëllai, pulën zog s’ma ke.
Por po pate trutë e pulës t’gjet qameti.
Po t’më binte në imperi të kisha lê,
larg do rroja, visesh shurdhe, buzë deti.
Larg më mirë nga çdo Cezar e çdo tufan.
Pa nguti e frikë që të bën sahanlëpirës.
Gjithë regjentët thua se hajdutër janë?
Po më mirë besa hajdutë, se gjakpirës.
Këtë rrebesh me ty po e kaloj, heterë,
jam dakord, po le t’i biem ujdisë:
t’i marrësh sestercë kurmit që t’ka mbështjellë
njësoj është si t’i shkepësh furgjat çatisë.
Më thua se pikoj? Po pellgun ku ma ke?
Nuk prishem që të lë pellgje asisoje.
Ja, do gjesh për vete ndonjë burrë dhe le
të ta fusë pikën ai përnën shtroje.
Eh, e hëngrëm përgjysmë torbën tashmë.
Siç më tha para taverne një skllav plak:
“Tek hedhim sytë pas: rrënoja dhe asgjë”.
Mendim tepër barbar, porse jepi hak.
Qeshë në male. Për një tufë lulesh blu.
Kërkoj një vazo të madhe, në ujë t’i fut…
Ç’bëhet në Libi, more Postum, apo ku?
A thua gjer më sot ende atje ka luftë?
Motra e regjentit, Postum, të ka rënë në vesh?
E hajthme, po me shalë të kolme-llokum.
Me të bile ti fjete… S’ka pak u bë priftneshë.
Priftneshë dhe flet me Zotin, mor Postum.
Duku për një çap bukë, një gotë venë.
T’na sjellësh habere prej andej nga vjen.
Kopshtit për nën qiell do shtrojmë të flemë, –
plot emra yjësish do mund të të them.
Yt mik që desh, Postum, mbledhje, shumëzime,
tash shpejti borxh të vjetër zbritjeve u ka.
Poshtë nënkresës mblidhi ndoca pak kursime.
Sa për varrim dalin, s’janë kushedi sa.
Shalo pelën tënde korb të zezë dhe bjer
te heterat n’shpi, ku ndan qyteti cakun.
Jepua pra hakun për çka m’deshën njëherë
që po për atë shkak, të vajtojnë hakun.
Blerim’ i dafinës në ngjethje ka shkuar.
Frëngjia e pluhurt, dera hapur rri.
Një shtrat i braktisur, tryezë e shkretuar.
Pëlhura nën diell mesdite u ngi.
Ndanë gjirit buçitës, pishat – gardh i vrarë.
Zgrip shkëmbit nën erë një jaht po pisket.
Plini Plak po rri stolave të tharë.
Mbi krip qiparisash një çoçërr rrëshqet.
1972
https://exlibris.al/agron-tufa-rreth-perkthimit-te-brodskijt-ne-shqip/