Paqja e përgjakur e Adamit – ftesë për lexim
nga Ervin Nezha
Atje ku ka një Adam ka edhe një plagë të hapur në brinjë, një Evë, një djall dhe një paqe të prishur. Kjo është përmbledhtazi e gjithë panorama simbolike e romanit “Paqja e përgjakur e Adamit” e shkrimtarit Agron Tufa — mbi këtë shasi strukturore qëndrojnë “të montuara” të gjitha kuptimet, përsiatjet, poetika e ironisë, fryma narrative, thyerjet kronologjike të një megateksti që i ngjet një dallge që duke i afruar bregut zmadhohet me peshën e një cikloni.
Romani i Tufës përbëhet nga dy pjesë lehtësisht të dallueshme, të veçuara mekanikisht por edhe stilistikisht prej njëra-tjetrës edhe për faktin se shërbejnë si njëlloj gracke, gjysmë ideore e gjysmë ndërvepruese, që përplaset dhe kujdeset që hapësira për heroin e romanit, Adam Zaganjorin, të mos zgjerohet. ( Zgjerimi është perspektivë për liri ).
Fabula e romanit është në dukje e thjeshtë: Adam Zaganjori, emigrant, kthehet i nxitur nga pronari i tij italian, të hapë në atdhe një fabrikë të prodhimit të tapave të shisheve. Puna për Adamin ecën vaj, fabrika shumëfishon klientët, Adami ka një shtëpi të mirë, ka para dhe ka një familje të lumtur. Kjo është “Parajsa e Adamit”, jeta e qetë që ai ka ëndërruar. Por kjo është paqe e përkohshme dhe e brishtë, ngase në “kopshtin e tij” ka hyrë edhe një “gjarpër”, shoku i fëmijërisë Visar Hoti.
Këtu fillon ngjizja e mëkatit të madh, kafshimi i frutit të ndaluar, “mëkati i Evës” që e largon Adamin nga Toka e premtuar dhe e kthen parajsën e tij në vendin ku përplaset e keqja me të keqen, ndyrësia me të paturpshmen; ku çdo iluzion, hamendje dhe dyshim, është një e vërtetë që pret vetëm të konfirmohet. Por mjeshtëria e autorit qendron në faktin se lexuesi nuk arrin të identifikojë të vërteten ulëritëse në momentin e duhur. Kjo vjen për faktin se deduktimi, shpërndarja e rasteve, bëhet në trajtë gjysmë të fshehtë. Domethënë, narratori ka të vërtetën e vet krejt të hapur që është afër kanoneve morale, ndërsa personazhet kanë të vërtetën e tyre krejt personale por të mbyllur. Kjo e mban zgjuar lexuesin edhe kur intriga fle.
Në pjesën e dytë të librit situatat lëvizin më shpejt. Tashmë “dallga e madhe narrative” përmbyt personazhe dhe ngjarje, madje në momente të caktuara rrezikon edhe vetë narratorin — që arrin të mbijetojë vetëm falë ca “marifeteve” akrobatike mjaft të rrezikshme — që nuk ka më asnjë fuqi të frenojë ngjarjen apo personazhet. Intrigat e mbjella që në pjesën e parë të librit tashmë janë hardhisur, dhe të luftosh kundër tyre është një luftë sfilitëse dhe e pabarabartë. Adami e humbet qëndrueshmërinë individuale për faktin se në çdo situatë ai ndjehet i bllokuar, jo më nga mungesa e iniciativës si në fillim por nga dyshimi në gjithçka. Çdo personazh, sado “i parëndësishëm” në tekst, zotëron shumë më tepër informacion për të (babai i sëmurë, vëllezërit tutkunë, madje edhe nëna e vdekur ) sesa di ai vetë për veten. Kjo e mbush me ankth ngaqë i duket se jeta e tij, para se të niste furtuna, ishte një çështje që i përkiste vetëm atij dhe nuk ia kishte marrë mendja se kjo jetë u kishte bërë përshtypje edhe të tjerëve. Përmes një realizmi psikologjik, personazhet e Tufës janë në një evoluim të vazhdueshëm, ata bëjnë kthesa në mënyrën se si e perceptojnë realitetin por nuk kanë asnjë mundësi të abstenojnë lidhjen me realitetin, ngase jo vetëm që janë pjesëmarrës, por janë njëherazi edhe fokusi edhe sfondi i këtij realiteti.
Në fillimet e romanit, veç aftësive praktike të Adamit, jepet edhe fakti se ai është piktor amator dhe kërkon të thellohet në art. Kjo është një premisë se Adam Zaganjori e ka jetike krijimin e një bote të trilluar paralele, një parajse ku do mund të arratisej për të rilindur; por kjo tentativë që merr hov, vjen edhe zbehet. Për herë të parë as arti nuk mundet ta rilindë njeriun, për faktin se bota e vërtet, ajo e njëmendësisë, arrin ta gllabërojë botën ende embrionale të Adamit. Në pjesën e dytë, kjo botë perspektive, e cila tenton të lindë në pjesën e parë, shkërmoqet. Adami i ka humbur tashmë të gjitha: familjen, punën, paratë, fabrikën, nuk bëhet dot piktor, ngase nëse do të behej ndoshta do të kishim idenë e një stabilizimi të qëndrueshmërisë individuale dhe, praktikisht, një fillim të ri. Por dëmi që ka pësuar Adami është i parikuperueshëm dhe është shumë vonë që Adami të këmbejë identitetin e tij për të filluar një jetë të re. Tentativën e fundit për këtë gjë e bën Visar Hoti, “gjarpri i kopshtit”, që pasi ka marrë gjithçka do nga Adami dhe pasi e ka bërë kopshtin e tij një vend mëkatesh të parrëfyeshme, shtrin dorën e të ligës për të përvetësuar edhe Adamin. Refuzimi është logjik. Finalja ka nota artifice, më tepër se dramatike, por kjo është logjike ngaqë narratori kujdeset që kjo botë e molepsur të shkatërrohet. Projekti i Adamit të tij, njëjtë si projekti i Adamit të Zanafillës, është një dështim. Njeriu është i lidhur pazgjidhmërisht me mëkatin, ndërsa “Kopshti i Edenit” herët a vonë do të përlyhet në mëkat.
E sugjeroj këtë libër për lexim sepse çdokush mund të nxjerrë brenda tij këndvështrime e lexime të përvojave personale dhe të çuditet se sa e ngjashme është historia e jetës sonë me atë të Adamit.