Shfaqja e një romani modern

Ali Aliu

Romani “Dueli” i Agron Tufës është tekst që të nxit për rilexim. I hapur si mesazh, ai do të vazhdojë ta provokojë lexuesin, duke rrezatuar reflekse të reja, në kontekste dhe rrethana të ndryshme, në kohë dhe në hapësirë

Dy vëllimet me poezi ka vite që e nxorën Agron Tufën në rrethin e poetëve të rinj të talentuar të viteve nëntëdhjetë. Pas qëndrimit studimor në Moskë, ai u kthye edhe me romanin e parë – “Dueli” (1998) – që e forcoi dhe konsolidoi opinionin letrar shqiptar se fjala është për krijues me mundësi të gjera ekspresive. Romani “Dueli” të bën për vete, para së gjithash, me rrjedhën dinamike të rrëfimit, me elegancën plastike narrative dhe me refleksione psikologjike. Fjala është për rrëfim me përmbajtje që nuk kërkon sqarime përfundimtare. Është një rrëfim-përmbajtje e hapur ballë përditshmërisë së gjallë, është vetë ritmi i të jetuarit që ecën, që kërkon të zbulohet, të shqiptohet. Ngasja e tillë për krijuesin është sfidë, sprovë e guximshme, e që, me këtë rast, Agron Tufa, falë fuqisë ekspresive, ka arritur që ne, lexuesit, ta dëgjojmë me vëmendje rrëfimin e tij, ta ndjejmë, përkatësisht, ta shohim. Dhe është forma pra, e rrëfimit, siç u përmend në fillim, parashenja kryesore e fuqisë ekspresive, pse, dihet: tërë rrëfimi njerëzor, imagjinativ, është variacion i pashterrshëm  rreth shtyllave kryesore: gjakimi për ta ndëshkuar të keqen në favor të triumfit të së mirës dhe magjia tërheqëse mes gruas dhe burrit, pas kësaj bukurie.

 

Dueli me vetveten dhe pengu i vjetër

Të dy shtyllat kryesore të ekzistencës, të zëna ngoje, i hasim të pleksura në romanin “Dueli”. Obsesioni i personazhit Martin Gega për të ndëshkuar të keqen shfaqet si ngasës kryesor, si nxitës i përhershëm i bëmave. Personifikim i së keqes, të koncentruar e të shtresuar nëpër mote dhe hapësirë, me këtë rast, është ai i Maksit. Dhe del se M. Gega sikur paskësh pritur tërë jetën për të dalë në duel me të. I rrëmbyer nga ky zjarr, po ashtu i shtresuar motesh dhe hapësirash, ai, Martin Gega, nuk don të mendojë fare për gjasat kurrfare në këtë dyluftim: në mos jo fizikisht, ai do ta mposhtë atë duke u sakrifikuar, si një Krisht apo si Don Kishot – njësoj. Ai vrapon drejt vendit të caktuar për duel si një i marrosur, si atij që i është dhënë shansi madhor që, me një të goditur, t’ia heqë kokën ligësisë njerëzore. Martini e di dhe njëherësh nuk e di përfundimisht gjendjen e vet, perspektivën sfiduese. E di dhe s’e di ç‘ka përpara, ç‘e pret, cili është raporti i tij me botën, kujt, pse, çfarë i ka hyrë në hak, përkatësisht kush e çfarë atij i kanë borxh. Në gjendje të tillë e zë dashnorja, Varvara Va, kur i nxjerr përpara duelin me Maksin. Atëherë, si nga një kaos i shtresuar i brendshëm ngjallet nevoja e heshtur për t’u përballur me pyetjen: Cili jam unë – cilët janë ata? Dhe, siç do të shihet, shpërputhja mes ëndërrimit të heshtur moteve dhe mundësive reale do të mbetet e pazbardhur, do të mbetet e hapur, në këtë rrëfim romanor të Agron Tufës. Fjala është për duel të brendshëm, duel me vetveten, e që është edhe dueli më i vështirë. “…të thellohesh në vetvete për të zbuluar rrënjët e vërteta të duelit” – do t’i thotë plaku Martin Gegës, në një takim të rastit. “Kushedi sa ujra kanë kaluar nga koha kur të kanë shpallur duel”, do të përsiatë ai. Dhe të gjitha ngasjet e shtresuara nëpër mote si sfida duelesh që vijnë si pluskime kaotike, paralajmërojnë “vetëm zgjim të pjesshëm të një pengu të vjetër”. Del se Martin Gega ka ngatërruar dhe e ka bërë lëmsh duelin peng, si kohë, si hapësirë. Mos vallë e ka të trashëguar në gen ndjenjën e të qenit peng i një dueli që do ta çlironte nga të gjithë duelet e humbur ndër mote, ndër shekuj? Mos është fjala për grimca të frustrimit historik të humbësit të përhershëm të betejave?

Personazhi-metaforë që reflekton fatalitet

As kësaj here Martin Gega, personazh metaforë, nuk arrin të dalë nga rrethi i të qenit peng – peng i vetvetes. Dueli i madh që u shfaq si shans jetik, si shans për një thyerje vendimtare të rrjedhës, fanitet dhe zhduket si fatamorganë: s’ka duel, s’ka shpërthim daljeje nga rrethi, as kësaj here. Se “kërkojeni duelin diku gjetkë, aty ku ju dhemb më shumë, në rrënjë, në zanafillën e dhimbjes suaj. Por ta dini mirë, ai është aty, peng mijëra vjeç. Do t’ju terrorizojë se nuk do të ndesheni me të aty ku ju pret”, jehon zëri i brendshëm, në brendinë e Martin Gegës, zi një zë orakulli që vazhdon të rrokulliset nëpër terrin e brendshëm. Do të ndodhë vallë ai duel çlironjës? Kështu afërsisht starton rrëfimi i kësaj ngjarjeje, në dukje si jashtëtokësore. Dhe, mes fillimit dhe fundit të kësaj marrëveshjeje, mes Davidit dhe Golijatit, që shtrihet në pak faqe të romanit, i mbetet që në meskohë që shtrihet në pjesën dërrmuese të tij, ta mbështesë gatishmërinë e Martin Gegës për duelin që nuk mund të fitohet. Dhe ajo që do të rrëfejë ai, personazhi në këtë meskohë, brenda njëzetekatërorëshit, e ndriçon ngasësin drejt kësaj marrëzie: që në hapat e parë në jetë, atij ia kanë vrarë ëndrrën, ia kanë dhunuar mizorisht dashurinë e tij të parë, Etlevën, bashkënxënësen e bukur: ajo, vajzë e një familjeje të internuar nga jugu në veri të Shqipërisë, nuk ishte nga askush e mbrojtur. Gjatë episodeve të rrëfyera në lidhje me dashurinë e tij për Etlevën, Martin Gega shpalos faqen më degraduese të moralit, personal dhe kolektiv nën diktaturë. Ky është zëri i parë, prania e parë në romanin “Dueli”. Zëri i dytë, që plekset me të parin, është i sferës psikologjike, edhe ai i shtresuar thellë në ndërdijen e personazhit: edhepse në të – Etlevën – zbrazet tërë fshati, ajo s’pranon që s’pranon të flejë me mua, edhepse e adhuroj – afërsisht do të ndjejë në çast një zë të tillë nga terri i brendisë së vet Martin Gega. Që të dy jehonat rrjedhin duke e plotësuar njëra-tjetrën, gjithnjë në funksion të ndërtimit të mbështetjes bindëse për veprimet e personazhit.

Pasioni për hakmarrjen e pësimit kolektiv

Pra, vendimin për të dalë në duelin e pafitueshëm Martin Gega nuk e merr as nga xhelozia, as nga pasioni për ta fituar Varvara Va-në, mbase as edhe nga sedra e ballkanasit, që edhe mund të duket që në fillim. Ngasjet drejt vendimit janë të thella dhe, në këtë rrëfim romanor vijnë si jehona nga një tunel i brendshëm. Barra e ngarkuar që nga mosha e re, si mbamendje, metaforizohet duke u shtrirë në kohë dhe hapësirë. Në fakt, personazhi Martin Gega, qyshse mban mend për vete, jeton si një i sfiduar i përhershëm nga një duel, ku përfundimisht do të hakmerrej dhe pastrohej nga të gjitha mëkatet kolektive, ku bën pjesë edhe ai. Ai, përmes duelit real dhe metaforik, vihet në kërkim të vetvetes, drejt shpalimit të shtresimeve të identitetit moral, psikologjik, profilit shpirtëror. I sfiduar tërë jetën nga një brutalitet në vendin e lindjes, ai sikur pret një shesh të mundshëm të përballet me një përçudnim, Martinit i vjen si i porositur, i del një Maks, në qenien e të cilit është bërë bashkë shëmtimi, e keqja. Martini, duke ndjekur hapin e vetëgjetjes, njëkohësisht mëton çlirimin nga një makth.

Romani “Dueli” i Agron Tufës është tekst që të nxit për rilexim. I hapur si mesazh, ai do të vazhdojë ta provokojë lexuesin, duke rrezatuar reflekse të reja, në kontekste dhe rrethana të ndryshme, në kohë dhe në hapësirë. Teksti që po ofrojmë është një përshtypje çasti.

                                            Marrë nga gazeta “Koha ditore” e datës 4 tetor 2003
Ribotohet me lejen e autorit