Kuadrati i zi, II

Pengu

                                                     “I tmerrshëm! Pikon dhe shkrihet në dëgjimin e vet!”
Boris Pasternak – “Kopshti”

Me çapet e shiut rrëzohet përtokë,
një hije që shket n’errësirë.
Kjo degë në kopsht e rrok a s’e rrok,
ç’ia shtiu atë drithëtirë?

Me barrën që mbajti tundet sikur
një “po” dhe një “jo” të kumtojë.
Po barra e Hijes rëndon si një gur
dhe fshihet pas shirash të pshojë.

Me çapet e shiut e ndjej si ofshan
ky peng i një Shpirti pa mort…
nga cila kohë, cila rrënojë,
dhe cilin ka zgjedhur t’ia thotë?

Po shiu ahtin e Bujtësit e fsheh
gjethnajës me fruta-purpur…
Mos kopshtin ndërgjegjja e ngjeth ende
e krimit që ndodhi dikur?

Mos ndoshta ky Shpirt kurrë s’do ikë,
mos ndoshta shirash pa fund,
pezmin e vet e zbraz pikë-pikë
ndërgjegjen e kopshtit të mundë?

 

Erëmimi

Këqyr këta plepa ndanë udhe…!
Rol tjetër s’kanë në histori:
të ndryjnë rrathësh si tru Bude
kohësinë që shket përbri.

E kur në mish të bardhë plepash
sakica, sharra do ngjërojë,
er’mim i njomësht të vërtetash
do të bredh’ rrugës i pagojë.

Diç do të thotë e s’mundet prore
ky erëmim që shket në rrugë,
se plepi zbrazi për çdo pore
atë që kish si plep, si Budë.

 

Fantazmat

Se si zë erret në rrethina,
dhe shurdhër shirat rrahin tokën!
Përreth qullen dy rjabina
dhe dy fantazma qesin kokën.

Njëra ndërmend një rrahje ore, –
një damar kohe lënë shkretë.
Tjetra me sy të tretur prore
diç duket pret e dot s’e pret.

Përskej rjabinash rrahin hapa
fusharakësh që nxitojnë.
U qepen fill fantazmat prapa
me sytë që ethshëm prushërojnë.

Dhe mu në prag të një shtëpie
përplasin krenjat aq rropamshëm,
dhe ndjejnë se mes kësaj njerëzie
qenkan të dy të Përmatanshëm.

Këta dy shpirtra harrakatë,
të kredhur rishmi në mërzi
rikthejnë të vrerët nëpër natë
ku qullen rjabinat në shi.