Aty ku zihet dhembja dhe imagjinata e Agron Tufës

Mbi romanin “Tenxherja”

Idro Seferi

Një vështrim për fjalën

Ka pak njerëz që mundohen ta shkruajnë, e aq më pak ta kuptojnë e lexojnë dhembjen shpirtërore, kohën që vjen e shkon e pas së cilës asgjë nuk është njësoj. Ashtu siç ndahet edhe jeta e atyre që përjetojnë një luftë, para dhe pas saj. Ndonjëherë nën dritën e hënës në net të kthjella, njeriu rri ulur në një karrige në mes ndërtesash të larta që vrasin bukurinë e reve që duken si në letër, me nuancë të kaltër të rëndë dhe me hije të zezë. Është kohë kur gjyqet shpesh bëhen pa praninë tonë, na gjykohet, na thuhet fajësia, pa të drejtë mbrojtjeje shqiptohet ajo dhe ne ikim në dyert e zeza pa na vërejtur askush që jemi dhe që rrimë po aty. Retë në ajër dhe rrugët që ecin mbi mua në tren shpesh më tërheqin të humbas nga përditshmëria, të largohem nga dridhja e duarve si në çmendinë nga stresi i përditshmërisë që vret si një vrasës serial, jo vetëm kujtimet, por edhe imagjinatën tonë. Por ndonjëherë ato mbesin, të paktën për të qenë aty. Agron Tufa është një shkrimtar që ka kaluar një kohë në Rusi, në Moskë dhe ka sjellë pak art nga vendi i Dostojevskit dhe Josif Brodskijt, Danjill Harmsit, Leopold fon Zaher Mazohut, Vladimir Çertkovit, Mihajll Bullgakovit, Olga Sjedakovës, Osip Mandelshtamit, G.G. Markez – M. V. Ljosës, Paul Celanit, Lev Tolstoit, njerëz që është marrë me ta dhe i ka sjellë në shqip. Kishte kohë kur në Tiranë, te “Myslym Shyri”, e kisha blerë një libër që mbante titullin “Dueli”. Jo aq për faktin që më tërhiqte kjo gjë dhe më thoshte se duhej të merrja pjesë në një duel, por më shumë për faktin se doja të shihja nëse mund të lexohet në shqip prej dikujt që ka shkruar shqip dhe përse shkrimtarët që shkruajnë në këtë gjuhë nuk lexohen. Ndoshta, mendoja, kanë të drejtë ata që ankohen dhe thonë se nuk ka lexues, e ndoshta mendoja, ngaqë ka aq shumë shkrimtarë që shkruajnë dhe ikin pa lënë gjurmë në fjalë dhe pa prekur e djersitur shpirtra. E lexova në një udhëtim me tren të keq nga Podgorica deri në Beograd dhe nuk ndalova së lexuari. Në po atë rrugë kisha lexuar një libër tjetër të hollë e të ndjeshëm, “Një ditë e Ivan Denisoviqit” nga Aleksandër Solzhenicin. Ishte një libër që ta qëronte ndjenjën e të qenit në një kamp, në një gjendje ku drejtësia dhe motivi i jetës në kampet e internimit në Siberi bazohej në 200 gramë më shumë bukë që Ivani mund t’i fshihte në një mëngë të posaçme dhe aksioni që ky njeri merrte duke përdhosur shpirtin për të pasur pak liri. E tmerrshme ishte bota e tij. A ka dhembje më të madhe se këto përshkrime dhe kjo luftë? “Dueli” i Agron Tufës fliste për disa kujtime në Rusi me një armik imagjinar dhe me një dashuri të habitshme që të fut në mendime për atë që mund t’i ndodhë një njeriu dhe për dashurinë në kohë komunizmi, për internimet, pisllëqet, seksin, për fajësinë dhe viktimën, për përshkrimin e hollë, të butë e të ëmbël që gjakon në fjalë. Ai sjell libra shkurt dhe bukur. Kur doli libri i dytë “Tenxherja”, e dija afërsisht se për çfarë do të bëhej fjalë në këtë imagjinatë të autorit dhe e dija historinë e tij familjare, por nuk e prisja të vinte në mënyrë aq të thjeshtë. Ashtu sikundër gëzohem sa herë e përjetoj agimin e ditës tjetër me sy hapur, u gëzohem edhe udhëtimeve sipër qiellit. Aty në ditë lodhjesh njeriu dallon kulturat, duke parë tokën e një vendi dhe ndjesinë ndaj saj. Por, edhe lexon ndonjë gjë që mund ta çojë në lartësi të madhe, më të madhe se vetë avioni, në kohën kur veshët të mbyllen nga presioni. Duke udhëtuar në një rrugë Beograd-Zyrih-Hanover i rashë në fund librit të fundit të vitit të kaluar të Agron Tufës, “Tenxherja”, dhe u binda se ka shqiptarë që mund të lexohen, përveç figurave të mëdha të letërsisë, ka edhe të rinj që munden dhe mund ta përziejnë këtë botë reale, që nuk e harrojnë bashkëkohoren dhe kontekstin kohor e lidhin me fjalët që disa njerëzve u duhen dhe pa të cilat nuk jetojnë dot. Jo vetëm për të dëgjuar një rrëfim tjetër, por për ta përjetuar një dhembje, për ta marrë dhe ndjerë atë në shpirt. Dhe ndoshta, banalitetin e saj. Arti kurrë nuk është shkruar në kushte të përkryera ndjesish, luks të madh e formë të përshtatshme dhe aq më pak, në rrethana të mëdha lumturie. Shkrimtari ose është ose s’është, ai nëse nuk ka dhembje të vetën, di ta lexojë dhembjen e tjetrit, di ta kuptojë atë dhe të mos e braktisë, sepse për shkrimtarin dhembja nuk është vetëm gjak, nuk është thjesht fizike. Ajo rrjedh ndryshe. Tufa në “Tenxheren” e tij kësaj radhe sjell një rrëfim personal të ndërthurur me një botë të shkuar, i mbijetuar i së cilës është, viktimë dhe i pushkatuar përbrenda. Ai sjell rrëfimin për jetën e një 18-vjeçari, për fajësinë kolektive të kohës së komunizmit në Shqipëri, që shumë njerëz kanë mbartur mbi supe dhe sjell zhvillimin paralel të personazheve të tij, rritjen dhe pjekjen e parakohshme, thyerjen njerëzore që shumë njerëz e përjetojnë në kohë të vështira. Por, ky është dallimi mes asaj që e bën dikë të madh dhe të vogël, se sa arrin të ketë një identitet njerëzor dhe të mos e ndryshojë atë kur e gjunjëzon bota, kur fajësia i shqiptohet pa dije apo kur është vetë ai që dënon dhe vret. Libri i tij flet për një 18-vjeçar që dënohet për shkak të një tenxhereje që i gjendet në udhëtim, kur një fqinjë e retarduar e denoncon pa vetëdije një të ri dhe e mallkon atë pa qenë në rrugën e gabuar. Romani tregon historinë familjare në detaje, forcat dhe keqpërdorimet njerëzore që i ka bërë një diktaturë e egër një populli përmes individëve të librit të ti. Ai flet për hovin që merr një i ri, për ditarët dhe ndodhitë që dëshiron t’i ketë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij dhe mohimet që i bëhen. Tenxherja i takonte një miku të babait të tij, asaj kohe e sjellë nga burgu me dy mbishkrime, që e lidhnin emrin e tenxheres me emrin e një armiku të pushtetit dhe që e shpallin fajtor për dhjetë vjet burg njeriun e ri po në ditën kur do të duhej të festonte 18-vjetorin e lindjes. Kjo ishte gjoba që do t’i bëhej për shkak se i ati nuk kishte qenë kurrë me pushtetin. Dhe sjell historitë shqiptare në një stil universal, të nëpërtejmë dhe që sheh një dritë dhe mënyrë rrëfimi të bukur, duke kaluar kufijtë e një historie që mund ta mbante atë vetëm në kufijtë e Shqipërisë. Ai i tejkalon ato në mënyrë të lehtë dhe e bën rrëfimin të përgjithshëm. Agron Tufa, i lindur në Dibër dhe shkrimtar me shumë çmime, një pedagog në Tiranë, shkrimtar e përkthyes, në rini punëtor minierash, sjellë pak stoli nga thellësia e dhembjeve të tij. Nëse në panairet e librit shqip marrin pjesë pak shkrimtarë dhe botues, ata duhet ta kenë parasysh që në shqip mund të lexohet, por duhet të shkruhet bukur. Tufa është një nga njerëzit që ia vlen t’u falet koha.

03.11.2010