“Vlerat kulturore e zbukurojnë shtetësinë, i japin asaj ngjyrë, formë dhe, nëse doni, edhe gjini”
“Fjala dhe Kultura”, Osip Mandelshtam
Nëse u referohemi qeverive që kanë sjellë pushtetet politike në Shqipëri – 20 vjet pas rënies së komunizmit dhe marrëdhënieve institucionale që kanë ndërtuar këto pushtete ndaj kulturës, padyshim që për çdo njeri me mendje të shëndoshë rezultatet dhe bilancet janë dëshpëruese – e nëse nuk e teprojmë – indinjuese.
Gjatë gjithë hapësirës postkomuniste nuk ka pasur strategji kulturore – as kombëtare, as rajonale. Strategji nuk ka pasur se nuk është menduar asnjëherë seriozisht për këtë sferë të aktivitetit shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Në vend të strategjive e vizionit të qasjes ndaj kulturës, problemeve e dilemave që shtron kultura shqiptare, me specifikën e saj krejt të veçantë, është vepruar në mënyrë drejtvizore gabueshëm, me diletantizëm e sidomos pa përgjegjshmëri. Kjo vlen për të dy qeveritë dominuese në Shqipëri, por përmasat katastrofike të klisheizmit, klaneve, pazareve dhe idelogjizmit zunë të përshkallëzoheshin nga viti 1997 deri mësot.
Unë flas këtu, në radhë të parë, kryesisht për strategjinë e kulturës kombëtare që duhet të realizojë institucionalisht shteti nëpërmjet instrumentit shtetëror–vendimmarrës që, si kudo e gjithkund, njihet me emrin Ministria e Kulturës, ose siç na paraqetet me emërtimin e gjatë sa një fjalim – Ministria e Turizmit, Rinisë, Kulturës dhe Sporteve (me kohë, ndoshta i shtojnë edhe ndonjë merak të vjtër, si p.sh., “e Veteranëve, Invalidëve, Depove dhe SMTV-ve…”
Mungesa e ndjeshmërisë dhe përshkallëzimi i hidhur burokratik i qasjes së pushtetit ndaj kulturës ka sjellë, rrjedhimisht, një traditë të keqe, moskokëçarëse, që me kalimin e viteve për një dekadë e gjysmë është klisheizuar aq shumë, sa ka sjellë një deformim të mentalitetit ndaj kulturës, filozofisë dhe rolit të saj në shoqërinë shqiptare. E meta kryesore e politikave kulturore në Shqipëri janë procedimet abstrakte, teorike, pa patur parasysh asnjëherë dramën e brendshme dhe shprishjen e kodit që ka pësuar kjo kulturë nën trysninë e një ideologjie të egër totalitare për gjysmë shekulli. Ndërkaq, praktikisht, një shumicë e madhe aktivitetesh, që përfshijnë kryesisht kulturën masive, bien vetvetiu në reminishenca ideologjike.
E meta tjetër e trishtueshme e gjoja politikave tona kulturore është se projekt-programet e saj, legjislacioni e deri edhe forma e konceptimit strukturor të institucioneve të kulturës – janë thjesht e paturpshëm të kopjuara, të imituara e të vjedhura nga ministritë homologe, kryesisht të Evropës Lindore. Prandaj, them se ngjet një kontradiktë e madhe midis programeve e platformave dhe ndeshjes së tyre me problematikën e koklavitur të kulturës sonë kombëtare, specifika e së cilës, me problemet e trashëguara nga e kaluara dhe nevojën e një reformimi të thellë përballë sfidave të sotme globaliste, nuk ngjet aspak me peisazhin kulturor të vendeve eurolindore dhe sidomos, nuk ka të njëjtën gjenealogji të problematikës së saj me to. Qasja vizionare ndaj kulturës dhe sferave të artit që përfshin ajo, duhej të kishte synuar në radhë të parë krijimin e një konteksti të pandërprerë e dinamik gjithëshqiptar sipas boshteve Tiranë-Prishtinë, Tiranë-Tetovë, Tiranë-Ulqin, me qëllim që bota kulturore gjithëshqiptare të gjendej në një rezonancë, në një ritëm, në një frymëmarrje. Të paktën kjo bëhej e mundur për ato aktivitete që prekin thelbin e fizionomisë kombëtare të kulturës. E njëjta moskokëçarje (madje katastrofike) është treguar në lidhje me artet tipike kombëtare të trashëgimisë kulturore, që përfshijnë zhanret pamore, muzikore dhe artet e fjalës së shkruar, duke e zhvendosur vëmendjen drejt shfaqjeve e spektakleve të lira televizive apo show-t banal. Të mos flasim për shkretëtirën kulturore të provincave tona, ku mungojnë madje edhe bibliotekat publike dhe ku i vetmi imazh që përbën “kulturën” e këtyre provincave, janë tregjet e dyqanet plot çimento, parafabrikate ndërtimi, kallama banane, gozhdë e aksesorë gjithëfarësh. Një shembull i mungesës së vullnetit shtetëror e politik ndaj kulturës janë titullarët e emëruar në krye të këtyre institucioneve, persona që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën, përkundër neverisë që ndjejnë për të. Në këtë mënyrë, kemi titullarë që proklamojnë programe të kopjuara dhe asnjë garanci se diç do të realizohet.
Mungesa e kriticizmit konseguent dhe këmbënguljes për t’iu kundërvënë traditës së indiferentizmit pushtetor ndaj problemeve dhe fatit të kulturës kombëtare – tregon gjendjen e mefshët, kaotike e pa vizion të inteligjencies tonë, e cila pa pikë dyshimi, është bashkëfajtore me pushtetin. Ndërkohë, hapësira 20 vjeçare postkomuniste është e denjë të mbushet me meditim, refleksion dhe analizë në kushtet e sotme të përballjes me sfida e dilema kanosëse të cilat, kështu si po shkojnë punët, do t’ia fshijnë fizionominë identitetit tonë kulturor, gjerkur ta kenë shndërruar atë në hije, fantazmë, njollë të zbehtë në sfondin e identiteve të tjera kulturore nën kushtet ekspansionit të fuqishëm globalist.
Gjatë këtyre 20 vjetëve, shteti, edhe pse i vetmi dalëzotës i kulturës, në gjithë projektet dhe strategjitë ministrore, buxhetin dhe mundësitë e tjera financiare, nuk ka arritur të bëhet asnjëherë protagonist me ndonjë gjest kulturor domethënës. Përkundrazi, kanë qenë individë të veçantë, artistë, shkrimtarë, shoqata apo klube artistike – ata që, si të thuash, “i kanë shpëtuar nderin” kulturës tonë kombëtare, kanë qenë pikërisht ndërmarrjet personale, private të tyre, në rastet dërrmuese, jo vetëm të refuzuar nga Ministria e Kulturës, por edhe të luftuar, sabotuar apo konkuruar pandershëm npërmjet strukturave xheloze e meskine të kësaj ministrie.
Fakti që kjo ministri duhej të realizonte një mision tepër të rëndësishëm në unifikimin dhe konsolidimin e një fryme bashkëpunimi kulturor mbarëkombëtar midis shqiptarëve në Gadishull dhe jashtë tij (gjë të cilën as nuk mënoi ta ndërmerrte), flet dukshëm për një mentalitet të trashë pazarllëku dhe kundrimin e saj si pre për të kënaqur epshet politike, sa herë shpallen fitimtarët e rinj. Personalitetet që kanë drejtuar këtë institucion, kanë qenë vazhdimisht figura pa biografi artistike, shpeshherë pa asnjë lidhje me artin dhe ndjeshmërinë ndaj kulturës, gjersa në 20 vitet zgjedhja e figurave ne drejtimin e kësaj Ministrie kaloi çdo limit të shakasë së tejzgjatur. Askush nuk na garanton (megjithë optimizmin tonë) se tash e tutje nuk do të ngjasë ashtu. Se qasja ndaj kulturës – kësaj sfere shpirtërore të shqiptarëve – kërkon një strategji e filozofi largpamëse e, më së pari, ndjeshmëri për vlerën, ndjeshmëri për të bukurën, alergji ndaj pazarllëkut, alergji ndaj banales. Dhe këtë ndjeshmëri e kanë ato personalitete që kanë hyrë me dashuri në tempull, që frymëmarrin organikisht në ritmin e krijimit të kulturës, ata që këtë ritëm nuk e matin me intervalet mes mandatit qeverisës, por me përvujtni të madhe i shërbejnë tempullit të frymës artistike, të bukurës së përjetshme si kategori estetike dhe etike, e cila nuk matet me kohën mes dy mandateve.
Çdo popull e ka pjesën e vet idealiste, me priftën të përkushtuar që i shërbejnë gjithë përvujtni tempullit. Ata edhe në momente të vështira dinë ta përftojnë perspektivën, dinë ta projektojnë të tashmen në një ardhmëri të humanizuar me energjinë e madhe shpirtërore që ka e bukura, pasi vetëm përmes së bukurës, vetëm përmes Estetikës ka lindur Etika.
Në Shqipërinë postkomuniste, kultura, padyshim, vazhdon të krijojë konturin e saj, me trillet, kapriçot, dredhitë e konjukturat. Vazhdon të krijojë mitet apo pseudomitet. Por cilësia e saj mbetet zhaurima kakofonike, konfuzioni dhe diskursi i mbrapshtë ose mungesa e diskursit. Nëse ritmi i saj nuk organizohet, njeriu ynë i kulturës rrezikon të mbetet njeri amorf, i paformë, një personalitet i paorganizuar, çka mund ta kesh kur të duash – armik të shoqërisë, ose, si minimum, cinik të saj. Një shoqëri e organizuar, duke e ngritur atë nga kaosi gjer te qenësia e organizuar harmonikisht, e fut njeriun në përgjithësi dhe atë të kulturës në veçanti, në ritmin e vet, duke realizuar sintezën e njeriut dhe shoqërisë në kolektiv. Ndërsa kolektivi tek ne nuk ekziston. Ai duhet të lindë. “Kolektivizmi ka lindur para kolektivit. Dhe nëse edukata sociale nuk i vjen në ndihmë njeriut, ne na kanoset rreziku të mbetemi me kolektivizmin pa kolektiv” (O. Mandelshtam). Nëse njeriu ynë do të rritet deri te kultura, shtetësia jonë do të jetë më në fund kolektiv; ndërsa kultura do të kryejë atëherë funksionin e saj të munguar: ajo do t’i diktojë njeriut dhe kolektivit tonë – shtetësisë – ritmin e harmonisë universale. Por nëse kjo strategji e konjukturës dhe zellit politik do të vazhdojë ta kryesojë kulturën, me njerëz që i “zë libri”, punët do të shkojnë keq e më keq dhe ne do të na mbeten në derë jo vizionarë të kulturës, por papagaj të saj.