Konkurset

Tani ne kemi shtet, institucione dhe shoqëri civile (s’ban mâ me u zatet me korrupsione, me híle e lajka servile); se, si rregull, shtetin e kemi dhe nuk bën, ta zëmë, të shijmë në të si kalë në lëmë me të drejtat e… ariut.
Sa i përket njeriut – e kemi gjithë finesë, xhentilesë, elokuencë: nuk e ke për konkurencë, por për store e fantashkencë. Kot vërrasin: Dekadencë!
Ja, për shembull, si vendoset rend e rregull: çdo gazetë na i qet porsi rrushi përnën pjergull radhë njoftimet për konkurs. Do? Merr pjesë, kudo rrofsh, në Tiranë apo në Durrës. Çfarë nuk shkon? Në s’përton, merr sqaro në telefon. Dhe të thonë:
“Ky konkurs, fjala vjen, vlen për punë në Ministri”.
Për më shumë mbi k’të punë, gjerë e gjatë njoftimi merret… por për ty, me rëndësi është në i plotëson kriteret.

Ndritet – erret, ndritet-erret – brenga se s’i kap kriteret.
Pikë e helm teptis vreri, nuk plotësohet gjallë kriteri!
Ku nis drita dhe ndan terri, vidhet në kufij kriteri.
As Parajsa e as Ferri, çfarë na qenka vallë kriteri?

U pa puna: nis furtuna, ece-jake gjithandej. Pyet një e pyet dhjetë, por kriteri shkon përskej. Bie gjindja në mendime… si t’ia bëjmë, nga ta kapim?Dhe vandakë me aplikime gojët vuve mezi hapin:
“Unë, unë, unë, unë… jam i zoti, jam e zonja – hapet goja nëpër shkronja.
Jam i zoti, veç jep urdhër… Aplikim në vesh të shurdhër!
Jam e zonja, kam talente, kam dhe flokë aromë-mente.
Jam e drejtë si drejtëshkrimi; shihni: po më mbyt ngashërimi…
Unë, unë, unë, unë! Merrmë, merrmë, mos e zgjat: jam i vetmi kandidat…!”
Të pafatë! – thotë zyrtari zë lëmekur. I shikon. S’i lexon. Nuk zgjat dorën për t’i prekur. Pse t’i prekë? Ç’të mësojë? Mos i duhet të trishtojë, tek lexon si kapërthehet shpres’ e zbehtë nëpër rreshta? Mos i duhet të dëfrehet kur e di çfarë është gënjeshtra?
Ç’t’i lëçisë? Ç’t’i trazojë? Zell i hedhun dëm në lojë! Se kështu, gjithmonë, gjithmonë, çdo konkurs bëhet për hir të atij që e dimë mirë, kush ka qenë, kush është tani – dje dhe sot vashë-perri; s’do bëjë punë kushedisa, por ama do të dijë, t’i rrijë shefit në pëqi.
Ndaj – e denjë mbi konkurente! Më e mira pretendente! Ajo pret, hequr mënjanë, nimfë e bukur, zanë mbi zanë. Se kështu k’to punë e kanë: kështu mbyllet çdo konkurs. Nga Tirana gjer në Durrës transparenca është pasqyrë: t’knaqet shpirti për me u kqyrë – sheh dhe gjen në të veç – një të vetme shembëlltyrë: shefin që po bën gajret: i vetmuar pret në zyrë, gjer të sosë, të mbarojë, ky konkurs i pafytyrë.
Kurse ju me aplikime, vrarë në shpresë e në mendime, nëpër pritje endërritëse – ishit folje gjysmëndihmëse.
Dosjet tuaja të dorëzuara kanë të vetmen vlerë prike, që ndihmojnë, të tradhëtuara, infrastrukturat erotike.
Nëse s’del veç ky model, ka konkurse-karusel: kriteri rrethas rrotullohet, vetë enigma zë maskohet dhe s’i bie kurrë në të (çka u tha, çka u bë), por gjithnjë, do sajohet n’at’ mënyrë, që gjithkush po ta plotësojë, prore diç mos t’i mjaftojë.
Shkurt o miq, për mos m’e zgjatë – kandidati t’jetë sakat… !
Se për të ka qenë sajuar gjith ky lëmsh i ngatërruar; se i tillë e i këtillë, qoftë kushëri a kushërirë, qoftë vëlla, kunatë a nip, qoftë idiot a kokëqyp – do fitojë vetëm ai! Kurrë më tutje mos e lyp!
Ja kështu konkursi mbyllet, transparent e pa të sharë. Dhe nëse njerëzia sillet, me një barrë aplikime, kjo është veç një turmë e marrë.
Ndaj, sa humbni kohë, o miq, me oferta, intervista, me ndërhyrje ndër ministra, – sa dëgjoni prapë betimin (Aplikimin, Konkurimin!), këtë punë më mirë ta lëmë: pa filluar mirë kjo valle, vendi i punës është i zënë!
Po të doni, mos besoni. Ka prej sosh që s’heqin dorë…
Merrni pra të aplikoni!
I emëruari që më parë, po ju ndjek si spektator; fërkon duart, qesh, pret e ndjen çudi – qysh vraponi si të marrë, për diçka të rënë n’ujdi.
Shuhet shpresa, sos konkursi: Stop Tirana. Stop dhe Durrësi. Mundësia kaq e pat: se kriterin e përmbushi vetëmse një kandidat.
Një qyqar që ish sakat.