Fatin që shkruaj nuk e shoh as si privilegj, as si mallkim

Intervistë e shkrimtarit Agron Tufa, dhënë revistës “Brezi 9” (Tetovë) 

Dy fjalë lejenjoftimi

Ka disa maniera prezantimi dhe manierat priren drejt një ekzibicioni fallco, gjithë truke e artifica. Preferoj më të rëndomtën, stilin dëftor: jam lindur më 1967 në Sohodoll, një katund i madh në zonën e Kastriotit të asaj Dibre të mbetur brenda kufirit shtetëror. Aty ka kaluar fëmijëria, adoleshenca dhe rinia ime, midis një mjedisi arkaik fshatar, përplot paragjykime meskine e absurditet politik, varfëri, mungesa e sidomos dialekt. Dibranishtja është një nëndialekt gegë, tepër arkaik, thuajse i nivelit paraderadian, e megjithatë është një nëndialekt me fuqi të jashtëzakonshme shprehëse, tepër i lakmueshëm për gjuhën ezopiane (alegorinë). Harta e këtij nëndialekti ka një shtrirjeje të gjerë dhe përmbledh treva me një popullsi të madhe që shtrihen nga Tetova, Shkupi, Kumanova, Kërçova, Gostivari, Dibra e Madhe, Mati dhe Struga me pak variacione. Thelbësore për këtë nëndialekt është konstrukti i të folmes së organizuar me përpikmëri sintaksore. Kjo gjuhë nuk i duron kalamburet apo nonsensin e ligjërimit të çrregullt, fjalavjen, i ligjërimit parazitar, sikundërse e ndeshim në gjuhën standarte. Fola për gjuhën pse ajo është në rradhë të parë substrati ku ngjizet ndërgjegjia e një krijuesi letrar. Së këndejmi del se gjuha është organizmi prej së cilës mund të “klonizohet” gjenetikisht një shkrimtar.Fëmijëria ime ka rrjedhur gjithnjë në kushtet e një ekzistence tepër të vështirë. Kam qenë 3 vjeç kur tim atë e arestuan për “Moskallxim të bisedave armiqësore dhe pengim të organeve hetuese”. Isha më shumë se 10 vjeç kur ndesha atë figurë mitologjike që quhet Baba. Karakteri i tij i pakompromis është i vetmi autoritet, të cilit i drejtohem në gjendje të vështira.Gjatë gjithë fëmijërisë dhe më vonë, kam qenë i ndëshkuar me nofkën “i deklasuar”. Besoj e dini si mund të kundrohet bota përmes kësaj nofke. Kam punuar gjithfarë punësh të rënda që ka fshati dhe kooperativa; punë arash, grumbullim, ndërtim, minierë, ushtri gjer dhe mësues fshati. Shkollën e mesme e kam mbaruar pa u shkëputur nga puna, natën.

Mbi shtytjet për të shkruar

 Në mjedisin e varfër shtëpiak ku u linda nuk gjendej qoftë edhe një copë gazete. Pasionin për lexim e mësova nga dy vëllezërit e mëdhenj. Ata rrëfenin nganjëherë histori të çuditshme dhe më dukeshin tepër të privilegjuar kur tërhiqeshin të kredhur në lexim. Shpejt pasioni i leximeve u bë për mua ngushëllim dhe shpërblim i pakrahasueshëm me asgjë tjetër. Lexoja ç‘të më dilte përpara. Rekordin e kapa nga mosha 17 vjeç, kur në skedarët e letërsisë shqipe dhe të huaj në bibliotekën e Peshkopisë nuk mbeti libër i palexuar. Shtytja për të shkruar kanë ardhur përafërsisht në këtë moshë, kryesisht me vargje tepër të ngjyera në brenga ëndërrimesh e dashurish të pafata, shpesh të sajuara e të ekzagjeruara e si tepër demode me çka shkruhej asokohe në shtyp. Kisha për fat një mik të ngushtë fëmijërie, fanat leximesh dhe lodra e vargjeve na shtyu të dyve të bënim zbulimin e madh se “Toka rrotullohej”, edhpse pas dhjetra mijë vjetësh pas Galilejve të mëparshëm në këtë zeje. Ndjesia përvëlake e turpit ka qenë vazhdimisht shtysë për të mos u pajtuar me kësofarë “zbulimesh”.Natyrisht, shkrimi si mundësi njohje e qasjeje ndaj enigmës së ekzistencës, çudisë së kësaj ekzistence që bart, ka atribute shumë më të gjera që përfshin kategori sa filozofike, aq dhe mistike, mitologjike, psikologjike etj., dhe është një temë e nginjur me metafizikë personale, zor të verbalizueshme në fjalë, sa çmund të jetë e verbalizueshme, për shembull, metafizika e përceptim/përjetimit të të linjtave, nëse nuk kemi si ta banalizojmë më tepër. Një raport i tillë ultrapersonal me shkrimin është mëse me vend, sepse ka në vetvete vulën e papërsëritshme e arbitrare të individiumit.   

Mbi botimet e para

Krijimi ka një natyrë ambivalente: nëse në momentin kur krijon, nuk të intereson asfarë shqetësimi social (ndryshe nuk do të ishte shkrim), më pas ep të duket sociologjia (ana e jashtme e shkrimit – krijimit), pra nëse ky “unë” unikal, bëhet i transliterueshëm e i receptueshëm për të tjerë krijesa si ti, nëse ky thelb individual ka natyrën e unit kolektiv mbihistorik. Nëse “vikama” është lëshuar dhe “jehu” nuk kthen mbrapsht, fillon e dyshon në vetë “vikamën” tënde. E qenies njerëzore nuk i vjen hiç mirë kur belbëzon diçka (qoftë edhe klithmë, ankim, rrënkim) dhe të tjerët nuk e dëgjojnë. Kjo pak a shumë ka lidhje me frikën ekzistenciale të të qenit i pakuptuar që është shumë me e hidhur se të qenit i keqkuptuar. Në gjysmën e dytë të viteve ’80 dërgoja me dyzina vjershash në gazetën e lokale “Ushtima e maleve”, herë me zarfa e herë dorazi: asgjë nuk m’u botua. Për të botuar, redaktorët e asaj ere duhet të informoheshin tek sekretari i Partisë së zonës dhe aty dilte nofka ime “i deklasuar”. Në të tilla kushte, kur nuk sheh asgjë të botuar, procesi i krijimtarisë bëhet i rëndë, i vështirë, torturues. I vetmi shkrimtar që njihja në Peshkopi ishte Xhaferr Martini. Pas disa dhjetra tentativash i dola ballas: në bulevard. Ai u tregua shumë i mirë me mua. Kur më ktheu poezitë më tha: “Agron, ti je një poet i vërtetë, i vetmi poet i vërtetë që njoh prej kaq vitesh. Ti shkruan shumë më mirë prej gjithë paçavureve që botojnë. Nuk ka rëndësi fare nëse të botojnë ose jo”. Ky burrë i mirë ka qenë ai që më ngjalli besimin tek poezia në atë stinë të thatë.Por cikli i parë poetik erdhi në rrethanat më të pabesueshme për mua: kur isha ushtar. Poezitë ia çova dorazi poetit Ilirian Zhupa që atëherë punonte në seksionin e poezisë në Sh.b. “Naim Frashëri”. Pasi i lexoi ai shkroi ngutazi një letër dhe më nisi tek Preç Zogaj që mbante asokohe faqen letrare tek “Zëri i Rinisë”. Zogaj pasi lexoi letrën e Zhupës me kërkoi poezitë, të cilat i lexoi menjëherë. Pa më thënë gjë, më mori në kafen poshtë KQ të PPSH-së dhe teksa pinim kafen në këmbë me tha: “Agron, ke poezi shumë të mira. Do të të botoj një cikël të gjerë, veçse duhet të presësh pak se do të fillojë konkursi vjetor për poetët e rinj”. Mandej me pyeti me zë pak të ulët: “Si e ke biografinë?”. Mendova ta gënjej, por o nga respekti që kisha ndaj tij si poet, o nga mënyra jashtëzakonisht xhentile si u soll me mua, i thashë: “S’di si ta them… por në përgjithësi… sterrë”. Pastaj meqë do të kaloja nga stacioni i trenit, Preçi më përcolli, mbaj mend, deri tek ish-klubi i gazetarëve “Bashkimi”. Kur u ndava më tha: “Mos u mërzit, unë megjithatë do ta botoj ciklin tënd”. Kisha bindjen se kjo ishte hera e fundit që drejtohesha në redaksira dhe se atë ditë mbyllej dhe kjo sagë. Por u gabova. Pas dy muajsh kur një të shtune kisha marrë liridalje nga rep. Ushtarak për në Shkodër, iu afrova kioskës së gazetave dhe bleva “Zërin e Rinisë”, duke bërë ritualin e zakonshëm, kurrë pa shpresuar në mrekullira. E mbaj mend tronditjen time, kur pothuaj gjithë faqja e tretë ishte mbushur me poezi që u printe një parathënie redaksionale dhe emri im. Ngazëllimi ishte i fortë, i papërballueshëm. Ecja kuturu, instiktivisht të shpërqendrohesha nga porcioni trallisës i lumturisë që më kishtë rënë në kokë.Një javë më vonë me vjen një letër nga redaksia “Ushtima e maleve” (dyert e së cilës i kisha shturmuar për një pesëvjeçar), – me ftesën për të çuar një cikël “që do ta nderonte gazetën tonë”. Gjatë gjithë vjeshtës, çdo të shtunë, lexoja cikle të mrekullueshme poetësh, me të cilët, më vonë, do të bëheshim miq të ngushtë: Mark Marku, Ervin Hatibi, Rudian Zekthi, Lindita Arapi, Ilir Belliu, Rudi Erebara etj. Në fund të vitit cikli im u nderua edhe me çmim kombëtar. “Zëri i Rinisë” ka qenë një ndër gazetat më liberale asokohe kur e ka ka drejtuar faqen letrare Preç Zogaj. Ka qenë dhe koha kur u shfaq për herë të parë një avangardë krijuese autentike në letrat shqipe, e cila nuk kishte asgjë të përbashkët me poezinë e shkruar gjer atëherë.  

Mbi përmbledhjen O MOJ SHQIPNI dhe lirika ë tjera

Në tetor të vitit 1990 u organizua në Korçë nga LSHA Konferenca Kombëtare e talenteve të rinj. Javë më parë ishte arratisur Kadareja, duke kërkuar strehim politik në Francë. Ndjehej një atmosferë e elektrizuar edhe nga prania e Foto Çamit aty. Por gjithësesi aty parandjehej gremisja e afërt e stalinizmit shqiptar. Unë kisha ardhë me përfaqësuesit e rrethit të Shkodrës, jo të Dibrës dhe isha i vetmi me rroba ushtarake (kjo duket edhe në foton e përbashkët me miqtë e mi). Për mua është e rëndësishme të shënohet kjo, sepse aty u takova me poetët që i kisha lexuar përmjet “Zërit të rinisë”. Gjatë tre ditëve aty u mblodhëm për herë të parë tok: Mark Marku, Rudian Zekthi, Rudi Erebara, Ervin Hatibi, Dritan Xhelo, Eneida Topi, Ilir Belliu, Alban Bala. Aty ka filluar edhe ngjizja e grupit që më vonë do të legalizohej si shoqata e parë letraro-artistike në Shqipëri me emrin e rëndomtë “RLA” (Rinia-Letërsia-Arti), madje përpara partisë së parë opozitare “Partia Demokratike”. Miqtë e mi ishin tepër të lirë, tepër të guximshëm, moskokëçarës e pak si të çmendur, sidomos kur u mblodhën qysh natën e parë dhe ashtu në grup-gjysmërreth, në këmbë e solemnisht, – mu në mes të qytetit, – pshurrëm mbi monumentin e Enver Hoxhës. Një muaj e ca më vonë, me të nisur revoltat e studentëve të dhjetorit, unë “dezertova” nga ushtria dhe i kalova ato ditë në konviktin e Q.S, mes po këtyre miqve, në dhomën e Markut dhe Rudianit, duke parë me kërshëri si vithisej gërdalla e komunizmit shqiptar.Një vit më vonë (1991)isha student i filologjikut, tashmë përfundimisht me ta. Të gjitha ngjarjet historike që zhvilloheshin rreth nesh i perceptonim me një ironi karagjozësh, krejt të zhytur në sofizma e rafinime gjysmëfilozofike, gjysmëestetike, – një perceptim i botës alla Rabële. Më duket se ka qenë ideja e Rudianit dhe Markut për të hartuar të parën antologji të grupimit poetik deri atëherë. Si titull u diskutua “Gjymtimi i ujit”. Nuk më kujtohet si u ndërrua me “O moj Shqipni dhe lirika të tjera”. Autorët qenë 9 poetë (Agron Tufa, Dritan Xhelo, Eneida Topi, Ervin Hatibi, Ilir Belliu, Mark Marku, Pëllumb Zekthi, Rudi Erebara dhe Rudian Zekthi) me nga 7 poezi që përveç Pashko Vasës (të cilit i kishim lënë motivin patriotik), asnjëri prej nesh as edhe gjysmë vargu, mor qoftë dhe aludimin nuk bënte në anë të “patriotizmit”, që për ne, me modelet e derathershme quhej një gjë e dalëboje. Antologjia u shtyp në Elbasan me 500 kopje. E solli me thes Rudiani. Ne të tjerët e pritëm në stacinin e trenit. Pastaj e festuam me ca shishe konjaku, rakie a fërneti. Antologjia kishte pamjen e një broshure për pushkët gjysmëautomotike mode l 56 dhe mbi 400 kopje na i vodhën pas dy ditësh. Vjedhësi u dekonspirua pas dy vjetësh, por tashmë ai ndodhej emigrant në Greqi dhe për ne nuk ishte më aktuale kjo ngjarje. Motivi që e kishte frymëzuar atë në aktin heroik, paskësh qenë thjesht “xhelozia”, një nocion që s’hynte dot në parametrat e përjetueshmërisë tonë. Megjithatë 100 kopjet e tjera qenë shpërndarë dhe kaq qe e mjaftueshme të shkaktonte reaksionet nga më ngzëllimtaret gjer në refuzim kategorik. Pak a shumë kështu qenë pritur edhe numrat e gazetës tonë që doli në pranverën e vitit 1992 me titullin e papërshtatshëm “E për-7-shme”, numrat e së cilës askush nuk i blinte, madje sikletosja qe e tillë sa kalimtarët ndjeheshin të fyer kur nuk arrinin të lexonin dot as titullin, sajuar me shkronja çatrafilas, përmbys. Kryeartikuj të tillë si “Lufta për jetën në WC-të publike”; “Epshianizmi”; “Fëmijët e duan nënat e tyre të virgjëra”; “Nën palmat e mia një ditë kaloi Zoti”, “Të shtyhen Zgjedhjet (një ditë para zgjedhjeve)”; “Si nxihet qielli”; “Jogët kundër Anjshtajnit”; “Dy të vërteta dhe dy pandehma për lehjen e qenve”; rubrika e famshme “O popull, popull!”, ku gjendeshin pseudoaforizma të tilla si “Shëtitjet me kalë ndihmojnë në rritjen e flokëve”; ”Largësia nga Poligrafiku në Qytet Studenti, pasi je përplasur pas një shtylle, të del një televizor me ngjyra” etj, ishin një provokim i rëndë i truve të mësuara me leximin e gazetave “ZP” dhe “RD”. Në përgjithësi gjuha që përdornim secili nesh ishte e denjë për entuziazmin tonë të përbashkët, por jo për më gjerë. Sidoqoftë, parë nga një distancë mbi dhjetëvjeçare, them se kanë qenë poezitë më të çuditshme e më serioze që qenë shkruar gjer atëherë në gjuhën shqipe, një përputhje adekuate mes një gjuhe të re dhe perceptimi të ri të qenies dhe botës. Prandaj produkti poetik i këtij brezi, nuk ka pikë lidhje dhe asgjë të përbashkët më brezat paraardhës, thuajse u takojnë civilizimeve krejtësisht të ndryshme. Asnjëri prej nesh nuk lakmoi as karrierë politike, as administrative. Leximet autodidakte, diskutimet që rrallë kishin të bëjnë me letërsinë e që zgjasnin me orë të tëra filozofimesh kanë qenë të vetmet gjera të hajrit në formimin e çdocilit e aspak Fakulteti Filologjik. Për një fillim të fuqishëm në letërsi, nuk kishte gjë më të begatë se grupi ynë. Dhe në përgjithësi, në çdo grupim letrar grupime të tilla kanë rëndësi vendimtare në formimin e të ashtuquajturit individualitet artistik. Ne para së gjithash kemi qene miq idealë dhe pas kaq vitesh qëndrojmë në po ato raporte miqësore.

Mbi studimet në Moskë

Nuk kam qenë aspak optimist kur u paraqit ky rast. Por për t’iu shmangur mërzisë dhe rutinës i bëra lak kohës me këtë “rrokadë” shahu. Përveç Rudian Zekthit (që të dy kishim njëfarë alergjie të hapur për Rusinë), gjithë grupi tjetër prej 6 studentësh të instituit “Gorkij” ishte i panjohur për mua. Që në fillim na habiti eksitimi i të tjerëve për Moskën (ata besonin vërtet që në çdo hap që hidhnin do të takonin nga një Natasha Rostovë apo ndonjë heroinë tjetër romanesh ruse) dhe patën kohë të zhgënjeheshin shumë shpejt: gjithkund trishtimi i perandorisë gërdallë që qe kish ndehur potkonjtë. Mandej dëshira për t’u kthyer. Tekefundit qëndrimin tim deri në fund ia mvesh dashurisë për letërsinë dhe shkencat letrare ruse, artin, muzikën dhe gjuhën. Gjatë pesë viteve të studimit në institutin Gorkij, përveç gjuhës dhe leximeve krejtësisht autodidakte, nuk kam mësuar asgjë të jashtëzakonshme. Madje sfera më interesante ndodhej jashtë Institutit, kryesisht shoqëria me poetë bashkëmoshatarë rusë dhe pjesmarrja nëpër mbrëmjet dhe sallonet poetike moskovite, jashtëzakonisht të gjalla. Kam qenë student shumë i mirë, por gjërat ishin pakashumë të njohura, pa ndofarë sensacioni, përveç aspektit ekzotik. Moska më dha mundësinë të lexoja shumë pikërisht atë lloj literature, të cilën nuk e gjeje kurrësesi në shqip, kryesisht filozofinë, shkencat humanitare, kulturologjike. Këtë e bëja thjesht për zgjerim të interesave të mia personale, pa iu detyruar programit. Në Rusi përkthehet pothuaj çdo gjë me vlerë që ka farë peshe. Nga kjo kam nxjerrë përfitimin maksimal. Njohja me letërsinë ruse të shek XX e sidomos përkthimi i autorëve më në zë, ishte një përvojë unikale, e panjohur më parë. Shijen e vërtetë të dijeve joformale e jopedante e kam ndjerë në vitet e studimeve postuniversitare (1999-2001), në Institutin e Kulturave Europiane, një Institut i krijuar nën tutelën e Sorbonës dhe Shkollës së Franfurtit. Gjatë këtyre viteve jepnin cikle leksionesh korifej të kalibrit europianë, rusë dhe të huaj: Umberto Eko, Julia Kristjeva, Zhorzh Niva, Zhak Derida, Jurgen Habermas, Boris Dubin, Mihaill Jampolskij, Cvetan Todorov, Riçard Rorti, Vladimir Bibihin, Valerij Podoroga e shumë të tjerë. Zor të përfytyroj studime më të mrekullueshme e më jokonformiste.

Mbi përbmledhjen RRETHINAT E ATLANTIDËS

Ngjarja më me rëndësi në botimet e mia ka qenë kur më erdhi në Institutin “Gorkij” libri im i parë me poezi “Aty te portat Skee” (Onufri, 1996, 106 fletë), më saktë, ndjesia e çlirimit të brendshëm pas leximit të tij dhe rënia plotësisht dakord me këtë libër. Me këtë libër të seleksionuar rreptë merr fund periudha ime e parë, e përbashkët me miqtë e mi të “O moj Shqipni…”. Libri ka spontaneitetin e papërsëritshëm të kërkimit dhe pozicionimit tim në poezi, të cilën nuk e përsëris më kurrë. Pas këtij libri, u desh një distancë gjashtë vjeçare deri në botimin e vëllimit të dytë “Rrethinat e Atlantidës” (Aleph, 2002, 137 f.). Mërzia e stilit për mua është gjeja me pakëndshme që mund t’i ndodh një krijuesi. Në përgjithësi mërzia është ajo gjë që “të trishton gjakun”, sikundër thotë Konradi. Poezitë e librit të dytë janë një manifestim i vullnetit në formë e gjuhë, duke iu kthyer më shumë modelit të formave klasike me brendi krejt joklasike, sikundër duket në lëvrimin e formave të ngurtësuara siç është soneti. Jam përpjekur ta impostohem nga libri i parë, duke i dhënë dhantinë pentagramit muzikor dhe diksionit, aq të lënë pas dore në poezinë e sotme. Shumëkush e quan anakronike muzikën dhe rimën sot: unë mendoj se këto janë vetëmse virtyte. Gjatë 7 viteve larg mjedisit shqip dhe thuajse pa folur shqip, mu edukua një sensibilitet krejt tjetër edhe ndaj leksikut, duke aktivizuar fjalë krejt të harruara, forma e përftesa dialektore që shkaktojnë një farë tensioni gjuhësor në miksturën artikulative e zanore. Nuk e di sa ka qenë i ndërgjegjshëm e sa i pavetëdijshëm, por sonoriteti ndoshta ka ardhur edhe si ndikim nga poezia ruse, në rradhë të parë nga poezia e Osip Mandelshtamit. Nga ana tjetër mendoj se nuk ka ndonjë vullnet që mund t’i imponohet stihisë së poezisë, pasi fill pas këtij libri, është shkruar cikli i gjerë “Avangardë engjëjsh” (tashmë vëllimi i tretë), mbi njëzetë poezi që janë shkruar me një muzikë të shurdhër, pa rimë, ku principi bazë që organizon sintaksën ligjërimore është “ritmi i ankthit”, “mallit kozmik përtej kufijve të mbarueshëm të qenies së këtushme”, madje poezitë kalojnë edhe në prozë poetike. Ndërkohë, poezitë që shkruaj këtu në Henrich Boll-Haus i rikthehen klasicitetit të butë muzikor.

Mbi suksesin e romanit DUELI 

Ka qenë aventura ime e parë me prozën. Romani është shkruar pa ndërprerje për gjashtë ditë, deri kur nuk mund të hidhja më asnjë fjalë. “Dueli” është shkruar në pushimet e dimrit fund shkurti – fillim marsi 1998 me ndërprerje vetëm shëtitjet nëpër borën e pambarimtë moskovite. Verës së atij viti ia dhashë Mark Markut dhe Gentian Çoçolit për ta lexuar, vetë pa ia hedhur sytë asnjeherë qyshse e pata shkruar. Kisha ndjesinë e turpit dhe s’isha hiç i sigurtë në kisha gatuar farë çorbe. Marku më tha: ”Është roman i mrekullueshëm”. Në përgjithësi, ai, maksimumi për raste të tilla shprehet: “ka edhe me keq!” Në shtator ika në Moskë, ndërsa Marku dhe Gentiani e kishin botuar në revistën letrare “Aleph 5”. E papritur m’u duk fraza lëvdonjëse e Kadaresë në një intervistë, të cilën ma lexuan në telefon: “Romani “Dueli” i Agron Tufës është një ndër veprat më të bukura që më ka rënë të lexoj këto 10 vjet postkomunizëm”. Kjo më shumë më shqetësoi, në nivelin e përgjegjësisë. Unë nuk e njihja personalisht Kadarenë ateherë. Megjithatë i jam shumë mirënjohës, jo në fatin e këtij romani (për të cilën është shkruar shumë e bujshëm), por për rritjen e besimit tek letërsia, çka është vendimtare për nje krijues rishtar. Dhe ky është një gjest fisnik i Kadaresë. Nga ana tjetër ky fakt është munduar të manipulohet prej mini-salierthëve tanë që gëlojnë si krymbat në të dy anët e murit shqiptar, duke thënë se gjoja, e gjitha kjo qenkësh “nënshkrimi i një kontrate me Djallin”, sikundër shprehet një jeshilishte e thartë si Blendi Kraja. Suksesi i “Duelit” mendoj se është dhanti e poezisë: çdo poet i mirë, mund të zbulojë edhe antipodin tjetër, prozën. Pak rëndësi ka zhanri. Tani mendoj për të tjera gjera dhe të jem i sinqertë, jo për letërsinë. Në vend që të mendoj për të, më mirë ulem e shkruaj kur ai që “vranë e kthjell” ep shenjën.

Mbi qëndrimin në vilën e H. Bëlit

Katër muaj qëndrim në Shtëpinë e Nobelistit gjerman më duken shpërblim pas përjetimit të atij ferri të përditshëm psikotropik shqiptar. Thjesht të shkruash “si ka dhënë Zoti”, pa beterr në qafë, pa sforcim, të ndjehesh i lirë dhe i pavarur prej mëgojzave të ndërvarësive e kushtëzimeve sociale. Gjatë kësaj kohe kam shkruar aq sa nuk kam mundur ta bëj për dy vite. Shkrimtari shqiptar është i mallkuar të mos ketë kohë të gjallë me letrën. Edhe nëse tepron farë grimëkohe, ajo i vjen e dhunueme, e vdekur, dhuratë e ngordhur që s’di ku ta çosh e çfarë të bësh me të. Është vështirë të kesh një kohë tënden pasi në beft rri kaosi që gllabëron gjithçka. Koha që po kaloj, zor se do të përsëritet, por është material meditimi për të kuptuar fundin Gropës ku gjendemi e në të cilën e mundojmë veten dhe të tjerët përreth. Të shkruash i qetë dhe pa pikë sforcimi, – ja gjendja normale e një krijuesi normal.   

Mbi angazhimet aktuale

Gjendja e përhershme kur ndjen se “nuk di ku ke kokën”. Përballimi i përditshmërisë është një grusht me xixa. Nganjeherë mendoj se nuk mjaftojnë jetëra për të mbaruar një pjesë të asaj që ke më të shtrenjtë. Kjo gjendje është e njohur besoj për shumëkënd. Jam shumë i lidhur me suplementin “FjalA” (të gazetës “TemA”), të cilën e drejtoj qysh ditët e para që shkela në Shqipëri (Gusht 2001). Jam shumë i angazhuar me përkthimet letrare, filozofike, kritiko-teoretike për FjalA dhe revistën letrare “Aleph”. Gjithashtu nga fillimi i këtij viti jam i përkushtuar edhe ndaj leksioneve me studentët e mi në Fakultetin Filologjik të Tiranës, ku punoj si lektor i letërsisë së huaj të shek. XX.Planet janë kaq të dendura sa pengojnë njëri-tjetrin: shkrime të ndryshme të karakterit social, përkthimet poetësh e prozatorësh që bëhën disa libra si dhe botimet e librave të mi, dy romaneve dhe një vëllimi poetik që duhet të dalin brenda këtij viti. Duhet, po ku i dihet?

Mbi suplementin letrar FJALA

Që nga gushti i vitit 2001, “FjalA” është tashmë një suplement gjerësisht popullor i përjavshëm që shitet ende pa mbërritur ora 11 e së dielës. Me 16 fletë, “FjalA” ka ditur të tërheqë një rreth krijuesish të rinj elitarë, por edhe personalitetesh të njohura në Shqipëri, poaq edhe nga Kosova e Maqedonia, sikundërse dhe nga diaspora e shpërndarë. Nëpërmjet rubrikave të saj të lëvizshme, FjalA është e vetmja gazetë ku mund të botohet krijimtari serioze, e kualifikuar profesionalisht, e vetmja gazetë ku polarizohen energjitë krijuese të jetës së sotme letrare ne Shqipëri dhe sidomos, e vetmja gazetë që mban tash dy vjet e ca dinamikën e përjavshme kulturoro-letrare, me eseistikën, teorinë, kritikën, recensionin, tregimin, studimet, poezinë e përkthimet e në mënyrë të veçantë, problematikën e kulturës kombëtare. I jam përkushtuar shpirtërisht e me kënaqësi mbajtjes profesionale të kësaj gazete për kushtet që ka.

Mbi mënyrën e mbajtjes në jetë të revistës

E para duhet falenderuar drejtori i gazetës “TemA”, gazetari dhe intelektuali Mero Baze. Këtë duhet ta kenë parasysh mijëra adhurues të “FjalA”. Kur qesh kthyer nga Rusia dhe kërkoja të bëja një suplement letrar të këtillë (sikundërse e kemi pasë bërë bashkë me Mark Markun në gazetën “Zëri i Rinisë” për një vit e gjysmë me suplementin “Contrapunkt” – 1993-1994), mbaj mend se ua ofrova idenë të gjitha gazetave “të mëdha” të pavarura-proqeveritare: askush nuk deshi. Për paradoks, Mero Baze që drejtonte gazetën më të varfër financiarisht dhe më të sulmuarën nga qeveria socialiste, pranoi e madje me entuziazëm. Gazeta “TemA” ka kaluar kriza të imponuara nga gjobat absurde qeveritare e megjithatë, kurrë nuk e ka ndërprerë mundësimin financiar të suplementit FjalA, çka ka bërë në fakt që FjalA të krijojë një koherencë të vazhdueshme me puplikun e saj. Ndryshe asnjë numër i Fjalës nuk do të dilte. Kjo u provua edhe me orvatjen për t’u kërkuar ndihmë të gjynahquajturave fondacioneve Kulturore të tipit “Soros” etj, anipse dihet tashmë, që në Shqipëri s’ka forndacione kulturore, por konjukturore. Dhe të mbash një gazetë letrare-kulturore prej 16 fletësh, kjo është thjesht heroizëm fisnik.

Mbi paramodelet

“Zoti e krijoi njeriun sipas trajtës dhe shembëlltyrës së tij”, thuhet në Biblën e shenjtë. Kjo ka patur e ka një jehonë të vazhdueshme disi spekulative në filozofinë e mitkrijimit në përgjithësi. Njeriu krijues (Homo faber) kundrohet si krijues që krijimin e ka trashëguar nga Krijuesi i Madh (Demiurgu). Diç e përngjashme me reaksionin zinxhir në fizikën bërthamore ose termodinamikën e shpërthimeve të mëdha. Modelet frymëzojnë dhe mbështesin modele të reja, e të gjitha këto e kanë zanafillën tek Paramodeli, Demiurgu. Nga një aspekt kulturofilozofik edhe Robinson Kruzo, i mbetur tek-pullë e le-nane në Ishull (medemek simboli i Vetmisë), i vihet krijimit të një bote në rrethana të ngjashme me njeriun e parë, krijon duke u mbështetur gjithashtu në modele e sidomos, në Paramodelin (ai e dinte shumë mirë Biblën si kristan i mirë). Megjithatë, ka diç që ia nxjerr veshët simbolikës Kruzo në orvatjen e Krijimit të Botës nga e para. E kjo është pikërisht Përvoja. Kruzo, ndryshe nga Njeriu i Parë, krijon duke imituar gjithçka empirike. Që të shpikësh diçka origjinale duhet të jesh Njeriu i Parë, pa mostra e modele, pa përvojën e njerëzimit. Që t’ia arrish kësaj, duhet të injorosh përvojën njerëzore. Mirpo nëse e injoron ti, s’të injoron ajo! Prandaj krijimi njerëzor imiton modelet e mëparshme, gjer tek Paramodeli, në trajtën e të cilit beson se është krijuar.Ndryshe nga modeli i Krijimit Biblik është ai i shenjtë, Kuranor. Sipas këtij Shkrimi të Shenjtë, Zoti nuk ka krijuar sipas “trajtës dhe shembëlltyrës së vet”. Kjo thjesht nuk dihet.  Pra Allahu a.s është joantropomorfik. Unë mendoj se modeli i veprës së Franc Kafkës paraqet një shmangje nga civilizimi antropomorfik Judeo-kristian. Hierarkia e pafund që ndërton Kafka për personazhin e “Kështjellës”, Klamin, është një shprishje e modelit antropomorfik dhe është kjo që i llahtaris lexuesit. Klami është thjesht i paimagjinueshëm dhe gjitha gjasat e gojëdhanat mbi të, janë thjesht broçkulla, pasi na del, se asnjë vdektarë nuk e ka parë Klamin, asnjë nuk është në gjendje ta përshkruajë. Unë mendoj se në letërsi ndodh pak a shumë diç e ngjashme: ka një rracë shkrimtarësh që ndjekin modelin antropomorf me paramodel Demiurgun (në terrenin letrar ky mund të jetë Homer, Virgjil, Dante, Gëte, Servantes, Shekspir, Flober, Tolstoi, Xhojs, Prust, Muzil etj), por ka një rracë tjetër që nuk mbështeten tek modeli antropomorf dhe nuk kanë në krijimin e tyre asgjë të trashëguar, sikundërse është Gogoli, Kafka, Shulc, Kalvino, Buxati. Ata i ngjajnë Njeriut të Parë, pa asnjë pikël dije empirike dhe nuk e ndjejnë të nevojshme të imitojnë, thjesht se e kanë bërë copë zinxhirin e shkaqeve e pasojave të imitimit. Ta kthesh personazhin njerëzor nga njeri në kandërr, kjo është e tmerrshme dhe e llahtarshme. Njeriu si në jetë, ashtu dhe në letërsi i bindet një ligjësie: lindet, rritet, plaket dhe vdes i shoqëruar me gëzime e pikëllime, me tragjedi e farsa, me dashuri e zhgënjime, gjithëpo në logjikën njerëzore. Por që të dalësh nga ky rregull, që njeriu të mos e perceptojë dot hyun e vet, që njeriu të flejë njeri e të gdhihet kandërr, kjo është prishje e modelit, është krijim i një modeli tjetër, me Paramodel Zotin kuranor, të panjohur e të paperceptueshëm. Me këtë nuk dua t’i jap përkatësi fetare Kafkës. Jemi tek paramodelet. Ato mund të mbeten prore paramodele, pa u bërë dot të imitueshme, sikundërse Gogoli ose Kafka ku personazhi të endet pas vdekjes në kërkim të mantelit të grabitur ose zgjohet kandër. Parapëlqej pikërisht këto paramodele.

Mbi letrat shqipe

Letërsia shqipe është e ngjashme me reliefin e thyer të hartës gjeofizike të atdheut. Përveç Fishtës, Camajt e Kadaresë, pakkush e ka plotmërinë e tyre me një opus veprash cilësore e imponuese. Por letërsia shqipe ka vuajtur nga mungesa e autorëve të plotë e me një sistem veprash, të gjitha të nivelit mbi mesatar. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur përjashto Camajn dhe Kadarenë në këtë gjysmëshekull. Edhe letërsia e Pashkut, për fat të keq nuk arriti njëfarë sasie imponuese, pavarësisht se krijoi modele të përkryera stilistike me një roman, dy drama dhe disa tregime. Një shkrimtar i mirë e me botë artistike duhet t’i ketë 4-5 romane kryevepra, të paktën në kuptimin e terrenit letrar shqiptar. Letrsia shqipe nuk ka autorë të tillë që të mund t’i imponohen botës me një seri romanesh a vëllimesh poetikë të niveleve të përkryera, që të mund ta justifikojë këtë me një sistem koherent në vëllim e cilësi, përveç Kadaresë, Camajt, Podrimjes, Shkrelit e tash së fundi Kongolit. Por këta njihen tashmë. Të tjerë janë në formësim e siër. Të paktën tash për tash. Personalisht puna e vëllim-sasisë nuk më duket korrekte, as arsye, ama agjentët e huaj botues nuk rrezikojnë me libra fillikatë, pasi ata e kanë të qartë që “njëherë edhe macja mund ta kapë lepurin”, veçse jo më shumë. Botuesve të huaj u duhen zagarë gajhu që të gjithmonë të kapin lepuj, nëse shprehemi figurshëm. Letërsia shqipe ka pësuar një shembje tektonike të rëndë në mes, mespërmes shekullit XX, një shukundullimë që ndërpreu logjikën e natyrës dhe natyrshmërisë së gjërave. Ne flasim shpesh për traumat që pëson një njeri nga fëmijëria dhe mblidhen kapicë psikoanalistë e psikiatër ta ndreqin këtë qenien fatkeqe e të çartallosur. Ne flasim e diskutojmë hollësisht për shtypje instiktesh e trauma përjetimesh dashurore apo atësie. Ndërsa shtiremi iniferentë kur nuk marrim parasysh atë çka ka ndodhur me një psiqikë nacionale, me strukturën etnogjenetike të rracës, me degjenerimin dhe zvetënimin e kësaj rrace gjatë 50 vjet stalinizëm. Ajo çka ka ngjarë me letërsinë shqipe (si organizëm dikur i gjallë) nuk mund të reduktohet në një shtypje instinktesh apo traumë fëmijërie. Ajo është një shkundullimë dhe gjendje lëngate në koma. Nga ky tërmet janë devijuar përbrenda saj strukturat molekulare, janë prishur kanalet dhe lidhja logjike mes kohërave e trashëgimive. Brendapërbrenda saj ka hedhur shtat një mish i huaj, në terren jonatyror, – realizmi socialist. Shpesh e mbrojnë krijimin e kësaj letërsie gjoja me besimin naiv në idealet humane të komunizmit. Kurse unë them: Jo! Kjo letërsi është shkruar me paramendim, që të jetë konform doktrinës partiake, që të shërbejë levë ndihmëse dhe psikologjia zanafillore e këtij shkrimi 50-vjeçar i ka rrënjët jo në naivizmin romantik apo utopik e human, porse në kurvërimin e pandërprerë të burrave tanë që lanë njolla në Hist. e Let. Shqipe. Kjo vjen nga dëshira për të qenë dhe ata “diç” në “fugën e madhe të mortit” që hidhte valle egërsisht mbi gjithçka të arritur me mund, dhimbë e sakrificë ç‘prej Buzukut. Rrënjët e këtij shkrimi të çojnë në gatishmërinë e njohur shqiptare për të qënë mercenarë, prandaj dhe propozoj që këtë lloj letërsie ta quajmë jo letërsi e “realizmit socialist”, porse letërsi e “perversionit mercenar”. Unë mendoj se letërsia shqipe tash po zgjohet prej kome. Sinjalet janë dhënë. Ajo duhet të fitojë imunitetin prej goditjesh të reja të paradigmave ideolologjike – sikundërse i ka gjasat sot globalizmi, fruthi i integrimit dhe hupja pa nishan në laringjet e gjuhëve të huaja. Gjuha shqipja i ka të gjitha aftësitë të shenjojë shkrimtarë të mëdhenj të formateve botërore, sikundërse është munduar deri më tash ta shprehë denjësisht.E adhuroj Martin Camajn në gjithçka që ka shkruar. Është i paimitueshëm. Gjithashtu Mjedën dhe Pashkun. De Radën, Lasgushin, Koliqin pjesërisht. Migjenin edhe më pjesërisht. Më plqen Kuteli pa novelat dhe poezitë, po ashtu Koliqi pa romanin dhe poezitë. Mund të lexoj kurëdo disa romane të Kadaresë (“Breznia e Hankonatëve” – është kryevepër botërore, mandej Kronika, Pallati, Viti i Mbrapshtë… siç e shihni janë shumë). Më pëlqen “Stina e Stinëve” dhe “Odin Modvalsen” i Trebeshinës. Parapëlqej letërsinë e pas ‘90-ës, prozën e F.Kongolit, Ridvan Dibrës, Virion Graçit, poezinë e P. Zogajt, R. Zekthit, E. Hatibit, I. Belliut, G.çoçolit, P. Teferiçit, L. Arapit, A. Lekës, L. Ahmetit, M. Krasniqit, B. Çapriqit, S. Bashotës, Ibrahim Berishës etj., – ndjehem mirë pikërisht në gjithçka shkruajnë këta krijues.

Mbi shijen tonë estetike

Unë them se gjithçka në botën e artit dhe më gjerë, në botën e të frymuarit bukur është estetikë. Edhe vetë filozofia, edhe filologjia edhe letërsia – gjithçka janë estetikë. Njeriu është një organizëm që prihet nga arsyeja, instikti dhe afeksionet. Të qenit në harmonia me këto kategori krijon pozicionimin e qartë autentik individual ose mistikën e papërsëritshme të idividiumit. Shija estetike është koncept shumë i gjërë dhe e kam vështirë të flas për të pasi duhet konkretizuar/fokusuar në diçka. Ajo është vula me të cilën janë përcaktuar gjerat në pranueshmërinë/papranueshmërinë time. Nëse juve ju servirin një verë të famshmë “Bordo” në një sapllake alumini të ngrënë e gjithë quka llomi, oksidi e vrugu, atëherë shija juaj prej terjaqiu të rafinuar verërash fine do të gjendej në pikë të hallit dhe do ta kishit ndot ta vinit në buzë. Ama, nëse po këtë verë (qoftë edhe më të palavdishme), do t’jua servirnin në një gotë elegante qafëgjatë e këmbëhollë prej kristali, shija juaj e rafinuar prej njohësi verërash do të ndjehej e dalldisur: në gjithë qenien tuaj do të depëtronte ideja ideale e verës në përgjithësi dhe shija karakteristike e “Bordosë” në veçanti.Pakashumë kështu qëndron puna me letërsinë. Sado e mirë e tërheqëse qoftë historia, ta shpif fraza beterre, sintaksa e çakorduar, leksiku i bezdisshëm, kompozicioni rrumpallë etj. Le pastaj kur të gjitha këto të meta bashkohen edhe me pretendimet për tema të mëdha! E padurueshme. Neveria që më jep një tekst i shkruar keq bëhet shkak që të mos e lexoj më kurrë aksh autor. Në letërsinë shqipe ka shumë banalitet, demarshe vulgare, shije të trashë e orekse që hapen me një grykësi plebeje. Unë e ndjej si konvulsojnë këto tekste prej këso libidoje dhe më ngjethet shtati nga neveria. Përmes tekstit mbërrijnë në veshë gromësimat dhe vizionet psikopatologjike të heronjve plebej kur flasin për të bukurën, ëndëroren. Në letërsinë shqipe të habit edhe sot e kësaj dite moskokëçarja në raport me atë që quhet tekst letrar. Vetëm ata pak sosh që e kanë kuptuar kaq pakogjë marr t’i lexoj. Mua nuk mund të më pëlqejë, fjala vjen, letërsia e filan shkrimtari, por nëse ai di të krijojë tekst, ai quhet shkrimtar, pavarësisht shijeve të mia. Më saktë kjo ka të bëjë me profesionalizmin apo paranojën në shkrimin letrar.

Mbi statusin e krijuesit

Statusin social? Nuk ia vlen të flasim: është ende heret. Gjithë krijuesit shqiptarë nga kjo pikëpamje janë Akakij Akakieviça, personazhë të “Mantelit”. Po kjo është një çështje private e shkrimtarëve e krijuesve shqiptarë. Nëse do t’i mblidhje të gjithë shkrimtarët shqiptarë dhe t’i veçoje në një krahinë idealisht të izoluar nga njerëzimi tjetër, atëherë jam i sigurtë se shumica dërmuese do ta braktisnin përfundimisht shkrimin për të përballuar ekzistencën. Kjo është normale. Do të mbeteshin të patundur pesë a gjashtë dembelë që kokfortësisht do të lypnin e do të bjerrnin karakter e dinjitet duke iu përshpirtur të tjerëve, e mes sosh, kushedi, ndofta-ndofta mund të ketë a s’mund të ketë një Gjeni të vërtetë, shenjt në kuptimin e përkushtimit shkrimor.Fatin që shkruaj nuk e shoh as privilegj, as mallkim. Ajo është një mënyrë për ta justifikuar ashtu si dua unë eszistencën time në këtë botë. Kujt nuk i kam borxh dhe as s’më ka borxh kush, kështuqë nëse ka vështirësi ekonomike, dëshpërime të tjera etj, këto janë probleme krejt të miat dhe do të më vinte turp të më mëshironte kush. Parapëlqej vizionin e shkrimtarit që e ka një punë stabile që i sjell të ardhura sa t’i sigurojë atij një jetesë modeste e po iu dha fati, edhe më shumë. Gjithçka tepër kësaj, pretendimet e ulërimat, janë qesharake e shitmendëse. Shtetit e shoqërisë s’ke pse i pëllet, përpos se në ato raste kur bëhet fjala për projekte e strategji zhvillimi gjithëkulturor.  

Mbi lirinë krijuese tek ne

Është si tepër e madhe dhe tepër e keqkuptuar, e keqadministruar. Fakti që nuk ka më tabu, nuk të ep të drejtë të prishësh paratë e familes a të gyrbetit duke botuar gjithfarë llomhonesh e përçartjesh. Shtëpitë tona botuese janë kovaçhanat prej nga dalin rrangullat e bëltucuna të mëhallës, por edhe të hallkut. Shtëpitë tona (sa)botuese veçse shtojnë kësodore reparte të ndryshkura SMT-je. Shtepitë tona (sa)botuese udhëhiqen prej injorantësh të rëndë e të pashërueshëm në atë se çka do të thotë libër, porse aspak injorantë për të të zhvatur para me një përllogaritje skuthe tregtarësh çifutë. Po, tek ne ka liri krijuese, por nuk ka fuqi botuese për veprat e mira. Rëndom ato që shkruajnë mirë nuk qëllojnë të jenë njëkohësisht dhe të pasur, kështuqë titujt botohen rëndom nga adoleshentë që u gumëzhijnë trutë e qelizat nga tromaksja hormoniale, nuse e gra të martuara që pas saharasë së martesës kanë zbuluar oazën e “poezinë” që përvidhet sipas një këndi të pjerrët midis telenovelave dhe avujve të guzhinës; gyrbetqarëve që largësia dhe kujtimi i transfiguruar psiko-frojdist derdhet në vargje të ngjyera lyrshëm në brengë, pensionistët që ndërmjet intervalit të dominove dhe lajmeve i pushton shakullima patriotike si dhe një soj furrtaresh-poetë që kanë livadhisur gjithë terracat e viteve ’60, ’70 e ‘80-të dhe i bien me të njëjtin ritëm legenit.Poetët e vërtetë botojnë rrallë, shumë rrallë. Ata janë kyçur në karantinë të kujdesen për higjenën e vet.

Mbi ndikimet në letërsi

Ndikimi është gjeja më e natyrshme, pa të cilën nuk do të kishin lëvizuar rrymat, modat, shkollat, stilet. Aq më tëpër në botën e sotme. Ndikimi është vala e një shpërthimi deri sa dobësohet e ndërpritet nga një shpërthim tjetër i ri. Në organizmin e një kulture kjo është krejt e natyrshme, çka e dëshmojnë ekzistanca e gjeneratave krijuese, lidhja mes tyre, shtegëtimi i elementëve syzhetorë, stilistikë, kompozicionalë nga njeri brez krijuesish tek tjetri. Ndikimet janë të pashmangshme, pasi siç kam shkruar diku: “Kultura është një palimpsest, ku njëri ha çka tjetri dhjes”. E kqeja e letërsisë shqipe është epigonizmi, plagjiatura, vjedhja, si në letërsi edhe në shkencat letrare.Gjatë gjithë viteve të soc-mercenarizmit, ka patur plagjiatura të neveritshme nga letërsia sovjete. Duke qenë se kam kaluar një 7 vjeçar brenda kulturës e lëtërsisë ruse, kam patur rastin të evidentoj një sasi katastrofikisht të madhe veprash-plagjiaturë që shkrimtarët shqiptarë kanë kopjuar nga sivëllezërit e tyre sovjetikë. Ani, dihet, plagjiatori është i neveritshëm dhe as nivelin nga ka kopjuar nuk e mbërrin dot, pa marrë parasysh se edhe origjinali nga kanë kopjuar është një mënxyrë letrare. Pothuaj gjithë veprat e “seria e romanit të zgjedhur”, janë plagjiatura të pështira të romaneve sovjetike, me në ballë Fatmir Gjatën, Shuteriqin, Musarajn etj. Të mos flasim për poezinë. Kjo është një teme e përveçme studimi. Por ka ndikime që ia lejon vetes me dashje, kur kjo bëhet për qëllim starategjie (çka s’e ndjej të afërt), ka edhe ndikime të pavetëdijshme, reminishenca leximemesh që ndikojnë padashje në psiqikën e ndjeshme të shkrimtarit (ky lloj ndikimi është jashtëzakonisht i frytshëm e krijues). Pastaj ka përngjasime, kur aksh poet sikur komunikon me valë me një poet tjetër të panjohur dhe anipse krijojnë në kohë të ndryshme apo paralel, kanë të njëjtat imazhe. Mua më ka ndodhur kjo një herë me Paul Celanin, një herë tjetër me Osip Mandelshtamin dhe Salvatore Kuazimodon, kryesisht në ngjashmërinë e një substance imazhi.

Mbi raportet mes krijuesish të brezave të ndryshëm

Mund të flas për bresin tim të pas ‘90-ës. Trashëgiminë e brezave të para ‘90-ës në më të shumtën unë e quaj “trashëgimi të rëndë”, “kaba”, “Gërdallë”. Thjesht kur nuk mund ta lexosh më një libër, kur s’ke më durim ta humbësh kohën mbi vepra të mërzitshme e të shkruara keq, atëherë me gojën plot duhet thenë se kjo letërsi ka VDEKUR. Ajo që ka shpëtuar, ka shpëtuar me kohë dhe ajo letërsi që u mbyt, u fundos bashkë me Anijën e dehur jo nga frymëzimi naiv, human e utopik, por u fundos ngase kjo letërsi qe propogandë mercenare, majmunizim dhe përdhosje e idesë së letërsisë në përgjithësi. Raportet e mia me breza të këtillë janë të një nëverie të thellë. Ekzistojnë raporte personale, por ato s’kanë të bëjnë me kontekstin letrar.

Mbi krijimtarinë soc-realiste

Nëse do të isha një mësues filloreje, i devotshëm, zemërgjerë e i ngeshëm, do t’i merrja përditë fëmijët dhe t’i shpija nëpër biblioteka, nëpër të gjitha vendet ku gjenden bukinistë dhe t’u tregoja dhjetra-mijëra libra të shkruar nga autorë socrealistë. T’u shpjegoja mandej fëmijëve që gjithë këta gjyshër e xhaxhër qënë edhe më të verbër së lakuriqët e natës, se si ngatërruan ata kohë, vend e sokak. Mandej do t’u flisja pa dredha për ndonjë subjekt karakteristik të librave të tyre dhe do të kënaqja kurreshtjen me hutimin e tyre.

Qindra-mijëra libra krijimtari soc-realiste! ç‘trishtim! Tashmë nuk e kanë as vlerën e glasave të thara dhe e shumta, po i hape, prodhojnë veçse teshtima.

ç‘të flasësh më për një gjë që nuk ekziston veçse si njollë turpi. Socrealizmi? Është siç e thua ti në një ese tënden: “Lulja e marres”.

(nëntor 2003)

Intervistoi: Fatmir SULEJMANI