Home Përkthime Letërsia dhe jeta

Letërsia dhe jeta

Zhil Delëz

Të shkruash, sigurisht, nuk do të thotë t’ia imponosh formën (e shprehjes) materies së përvojës së konsumuar. Letërsia, më së pari, priret për kah e paformësuara apo e pakryera dhe, siç thoshte Vitold Gombroviçi, për kah e realizueshmja. Shkrimi është çështje e formësimit (ngjizjes), gjithëherë e pambaruar, gjithnjë në gjysmëudhë drejt formës koherente tërësore; ajo del jashtë suazës përmbajtjesore për të qenë e shterur ose e përvojës së shterur. Kemi të bëjmë me një proces, domethënë me një rrjedhë Jete që kalon si përmes asaj që mund të jetë përjetuar. Shkrimi është i pandashëm nga formësimi (ngjizja): në letër ai shndërrohet-femër, shndërrohet-kafshë apo-bimë, shndërrohet-molekulë, gjer në atë pikë sa të shndërrohet i padukshëm. Këto shndërrime mund të jenë të lidhura ndërmjet vedi me disa linja, si në romanet e Zh. M. G. Le Klezio-së; ose ata mund të bashkëekzistojnë në çdo nivel, duke ndjekur lëvizjet, kufijtë dhe zonat që ngjizin një gjithësi të tërë, si në shumë vepra të G. K Laukraft-it. Formësimi nuk shkon në asnjë drejtim, nuk mund të bëhesh kurrësesi Njeri, gjersa njeriu paraqitet në cilësinë e formës dominante të shprehjes, e cila kërkon t’ia imponojë veten çdo lloj materieje, ndërkaq që një grua, një kafshë apo një molekulë gjithnjë presupozojnë një prirje që nuk i nënshtrohet formalizimit. Turpi i të qenit njeri – a ka vallë shkak më të mirë se ky për të shkruar? Madje nëse formësimit i nënshtrohet një femër, ajo duhet të bëhet femër dhe ky formësim nuk ka asgjë të përbashkët me atë gjendje, të cilën ajo mund ta kundrojë si personalisht të vetën. Të formësohesh do të thotë të mos përftosh formë (përmes identifikimit, imitimit, mimesisit), por të zbulosh zonën e afërsisë, të padallueshmërisë ose mosidentifikimit, në të cilën nuk është më e mundur ta veçosh veten prej femrës, kafshës ose molekulës – as prej më pak të ngjashmëve, as prej të përgjithshmëve, por prej prej më të paparashikueshmëve dhe të padallueshmëve, më saktë prej më të veçuarve nga popullimi, sesa prej atyre që kanë formë të caktuar.
Mund ta formësosh zonën e afërsisë me çfarë të duash, me kusht që për këtë të krijohen mjete letrare. Andre Dotel, për shembull, shfrytëzon astrën: diç ngjet ndërmjet sekseve biologjike, llojeve ose mbretërive [1]. Formësimi ngjet gjithëherë “ndërmjet” ose “mes”: femra ndërmjet femrash ose kafsha ndërmjet kafshëve të tjera. Por forca e një artikulli të papërcaktuar shfaqet vetëm atëherë kur termi në formësim është i privuar nga karakteristikat formale që na shtrëngojnë ta artikulojmë (“kjo kafshë para teje…). Kur Le Klezio bëhet indigjen, është gjithmonë jo krejt indigjen, i cili nuk di “si riprodhojë misrin apo si të ngjeshë kanoe”; pa patur karakteristika formale, ao hyn në zonën e afërsisë [2]. Po ajo gjë ndodh te Kafka, me kampionin për not, i cili nuk di se si të notojë. Shkrimi presupozon atletizëm, por, aspak pa e barabitur letërsinë me sportin dhe pa e shndërruar letërsinë në garë olimpike, ky atletizëm shtjellohet përmes vrapimit dhe shkatërrimit të trupi organik – atlet në çarçafë, siç thotë Anri Misho. Por prapë se prapë bëhen kafshë, kur kafsha vdes, në të përkundër me paragjykimin spiritualist, vetëm kafsha e di se si vdes, vetëm ajo di të ndjejë apo parandjejë vdekjen. Letërsia zë fill me vdekjen e trajtës kafshërore, në akord me Lourensin apo me “Vdekjen e urithit” sipas Kafkës: “…putërzat tona të vockla, të kuqërreme e të dobëta, janë të zgjatura si thirrje ngushëllimi përkujdesës”. Siç ka thënë Karl–Filip Moric (1756-1793), shkruhet për hir të viçave të vdekur[3]. Gjuha duhet t’ia kushtojë veten shtrirjes së këtyre rrugëzave të ngjashme femërore, kafshërore dhe rrethore, ku secila sosh është pikë vdekjeje. Nuk ekzistojnë linja të drejta, as midis sendeve, as në gjuhë. Sintaksa është një radhë rrugësh të pashmangshme, të cilat krijohen çdo herë me qëllim që të zbulojnë jetën ndër gjësende.

Të shkruash nuk do të thotë të mbledhësh memuaret apo udhëtimet e tua, fiksimet apo hidhërimet e tua, ëndrrat dhe fantazitë e tua. Kjo është po e njëjta gjë – të mëkatnosh me bollëkun e realitetit dhe të imagjinatës. Në të dy rastet një strukturë të pambarimtë edipale baba-mama, e cila projektohet në reale dhe introjektohet në imagjinare. Në akord me këtë koncepsion infantil të letërsisë, qëllim i fundmë i udhëtimit apo strumbullar i ëndrrës na del ati (babai). Shkruhet për hir të baba-mamasë. Marta Rober e ka shpënë këtë infantilizim apo “psikalizim” të letërsisë, pa i lënë romancierit asnjë fat tjetër, përveç fatit të të lindurit jashtë ligjit (kopili) apo të dështuarit (të hedhurit jashtë barre) [4]. Madje as zënia e kafshëve nuk është e mbrojtur reduksioni i mundshëm edipal, të tilla si “macja ime, qeni im”. Sikundër thotë Lourenci: “…nëse jam një xhirafë dhe anglezët e mirë që shkruajnë për mua të jenë këlyshë, atëherë u pa puna, kemi të bëjmë me kafshë të ndryshme… Ajo kafshë e cila jam unë, juve instiktivisht nuk ju pëlqen ” [5]. Rregulli i përbashkët qëndron në faktin se për fantazinë, e papërcaktuara është thjesht maska personale apo vetjake: “Fëmijën e rrahin” shpesh transformohet në “babai im më shemb në dru”. Porse letërsia shkon në një rrugë krejt të përkundërt dhe ekziston vetëm atëherë kur hap/shfaq pas personaliteteve konkrete forcën e patrajtë – e cila është e përgjithshmja dhe në një shkallë edhe më të madhe – individiumi: burri, gruaja, bisha, stomaku, fëmija… Dy vetat e para nuk janë kushte për veprimtarinë letrare; letërsia fillon vetëm atëherë, kur brenda nesh zgjohet një vetë e tretë, që na privon nga pushteti i të folmes me “unë” (“e mesmja” e Blanshosë [6]. Po sigurisht, personazhet letrarë janë krejt individualë dhe nuk dalin as të turbullt, as të përgjithshëm, porse të gjitha tiparet e tyre individuale i shpien ata në një vegim të tillë që i largon në të papërcaktuarën, mu si një formacion i cili është shumë i madh për ta: Ahavi dhe vegimi i Mobi Dikut. Kopraci nuk është tip; përkundrazi, tiparet e tij individuale (Dashuria ndaj vashës, etj.) e shtyn atë drejt vegimit: ai e sheh floririn në mënyrë të atillë, sa e shtrëngon atë t’ia mbajë përgjatë linjës shtrigane, ku ai përfton fuqinë e të papërcaktuarit – të kopracit…, pak florinj, shumë florinj… Letërsia e ka të pamundur pa vepra, por, ashtu sikundër ia doli ta shihte vetë Bergsoni, vepra – funksioni i krijimtarisë – bazohet jo tek imagjinata apo projektimi i saj. Përkundrazi, ajo mbërrihet me anë të vegimeve, ajo e përnaltëson veten deri në formësimin e qëndrueshëm së forcës.
Shkruajnë drejtëpërdrejt nervozët. Nervozët apo psikozët nuk janë rrjedha e jetës, janë gjendja në të cilën ne biem kur procesi ndërpritet, bllokohet apo devijohet. Sëmundja nuk është proces, por stacioni i procesit, si në “rastin Niçe”. Përveç kësaj, shkrimtari si i tillë nuk është pacient, por më saktë, mjek i vetvetes dhe i botës. Letërsia atëherë shndërrohet në mundësi përftimi të shëndetit; kjo nuk do të thotë që shkrimtari ka me domosdo shëndet të mirë (kemi kësisoj një dykuptimësi si në rastin e ateizmit), por ai zotëron një shëndet të brishtë, të përcaktuar nga fakti që ka parë e dëgjuar gjëra, shumë më të forta, shumë më të mëdha e shumë më të papërballueshme nga ç‘është në gjendje të mbajë ai dhe se veprimi i këtyre gjërave e privon atë nga fuqitë e në të njëjtën kohë e shpërngul në pozicione të tilla, që nga pikëpamja e shëndetit të fortë do të dukeshin të pamundura [7]. Shkrimtari rikthehet nga ajo çka ka parë e dëgjuar, me sy të kuq dhe timpan të plasur. Po çfarë shëndeti duhet që të mund ta çlirojë jetën, të burgosur prore në burgun e njeriut dhe brenda tij? Kjo është e ngjashme si me shëndetin e dobët të Spinozës, i cili gjer në fund dëshmonte për një vegim të ri, ndaj të cilit ai kishte qenë shumë i ndjeshëm. Shëndeti, si letërsia, si shkrimi, qëndron në shpikjen e një populli të kurrëekzistuar. Të shpikësh një popull – ky është funksioni i misionit të krijimtarisë. Ne shkruajmë jo me ndihmën e kujtimeve, nëse kjo nuk do të thotë të bësh burimin e tyre, por fatin kolektiv të një populli – tradhtinë dhe shprehësinë e këtyre kujtimeve. Letërsia amerikane zotëron një aftësi të mahnitshme për të lindur autorë, të cilët mund të rirrëfejnë kujtimet e tyre, por si kujtime të një populli universal, të mbledhur prej emigrantëve të të gjithë botës. Tomas Vulf “e vizaton Amerikën në letër, ashtu sikundër mund ta gjesh dhe në përvojën e një njeriu të veçantë” [8]. Ky është jo një popull i grishur të sundojë mbi gjithë botën. Ky është një popull i vogël, pafundësisht i vogël, i joshur drejt formacioneve revolucionare. Ndoshta kjo ekziston vetëmse në atomet e shkrimtarit, një populli të jashtëligjshëm, të kalbur, të atrofizuar, gjithëherë të formësuar, gjithëherë të thërrmuar. Fjala “i lindur jashtë ligjit” dëften tashmë jo gjendjen në familje, por lëvizjen dhe përzierjen e racave. Unë jam kafshë, zezak, njeri i një race të ulët në të gjitha kohët. Kjo është pra lindja e shkrimtarit. Kafka (në Europën Qendrore) dhe Melvili (në Amerikë) përfaqësojnë letërsinë si një shprehje kolektive e popullit të vogël, apo e gjithë popujve të vegjël, të cilët gjenë shprehje vetëm tek shkrimtari dhe përmes tij [9]. Pavarësisht nga fakti që ai gjithnjë aludon për dofarë agjentësh të veçantë, letërsia është një ansambël kolektiv i shprehjes. Letërsia është jermi, por jermia nuk është i lidhur me babë-e-nënën; jermia gjithmonë kalon mespërmes popullit, racave dhe fiseve dhe sjell pas një histori universale. Jermia është bota historike “përzierja e racave dhe e kontinenteve”. Letërsia është jermi dhe fati humbet ndërmjet dy poleve të jermisë. Jermia është sëmundje, sëmundje par excellence, kur ajo e ngre racën që pretendon hegjemoninë dhe pastërtinë. Por kjo është gjithashtu edhe masa e shëndetit, kur ai zgjon racën e kalbur e të jashtëligjshme, e cila pandërprerë ngrihet kundër sundimit, i kundërvihet gjithçkje që e shtyp dhe e mbyll në burg, racës që përbën relievin e letërsisë si proces. Po sërish ka prapë rrezik që gjendja e sëmurë e ndërpret procesin apo formësimin; shëndeti dhe atletizmi ndeshen me këtë dyfishësi, me riskun e përhershëm që jermia e sundimit përzihet me jerminë e jashtëligjësisë, duke e shtyrë letërsinë drejt një fashizmi latent, sëmundjeje me të cilën ato përleshen, madje edhe nëse kjo nënkupton diagnostikimin e fashizmit. Qëllimi final i letërsisë qëndron në mishërimin e një krijimi të tillë të shëndetit apo të përftimit të popullit – domethënë, mundësisë së jetës – në jermi. Të shkruash për një pupull që nuk ekziston…
Ne mund të shohim edhe më qartë se si ndikon letërsia në gjuhë: siç thotë dhe Prusti, ajo hap brenda gjuhës amtare diç të ngjashme me gjuhën e huaj, e cila nuk është as ndonjë gjuhë tjetër, as e folur e rizbuluar, por formacioni formësimit të një gjuhe tjetër, “përzvogëlim” i gjuhës së madhe, është jermia që e ka përpirë atë me një linjë shtriganie dhe që priret nga dominantja e sistemit. Kafka e bën të thotë kampionin e notit: Unë flas në po atë gjuhë si ju, porse nuk kuptoj asnjë fjalë tuajën. Krijimtaria sintaksore apo stili – është pikërisht formësimi i gjuhës. Krijimi i fjalëve apo neologjizmave nuk ka kuptim, nëse nuk ndikon në sintaksë, në të cilën ata përpunohen. Kështu, letërsia demonstron tanimë dy aspekte: duke krijuar sintaksën, ajo sjell jo vetëm dekompozicionin apo destruksionin e gjuhës amtare, por shpik edhe një gjuhë të re në gjuhë. “E vetmja mundësi për ta mbrojtur një gjuhë është të shkruash në të”. “Çdocili shkrimtar është i detyruar të krijojë gjuhën e tij personale”. Gjuha duket sikur është ngërthyer nga jermia që e konfronton atë me një tren të dalë shinash. Sa i përket aspektit të tretë, ai rrjedh nga fakti që është e pamundur të ndash/veçosh gjuhën e huaj në gjuhën tënde, pa e zbythur gjuhën në tërësi dhe pa e shpënë atë në ekstrem, në anën e jashtme apo të prapme që përbëhet nga Vegimet dhe Tingujt, të cilat nuk takojnë më asnjërës gjuhë. Këto vegime nuk janë fantazira, janë Ide të Vërteta, të cilat shkrimtari i sheh dhe i dëgjon në plasaritjet e gjuhës, në intervalet e saj. Këto nuk janë ndërprerje në proces, por thyerje që përbëjnë pjesën, të ngjashme me përjetësinë, të cilën mund ta zbulosh vetëmse në formësim e sipër, apo të ngjashme me peisazhin që shfaqet vetëmse në lëvizje. Ata nuk janë të jashtme për gjuhën, ata janë më të jashtme se gjuha. Shkrimtari si njeri që sheh e dëgjon, është qëllimi i letërsisë: kjo ëhstë rrjedha e jetës brenda gjuhës që lind Idetë.
Të tre këto aspekte, të cilat ndodhen në lëvizje të përhershme, mund t’i gjesh tek Antonen Arto: rënia e germave si rezultat i dekompozicionit të gjuhës amtare (R, T…); inkorporimi i tyre në një sintaksë të re apo të emrave të rinj me anë të importit sintaksor, ajo çka shpie në krijimin e gjuhës (“eTReTe”); dhe, së mbrami, fjalët e shkurtra, caku asintaksor, drejt të cilit gjakon gjuha. Madje dhe tek F. Selini nuk mund të rrimë pa përmendur se sa mprehtësisht e ndjejmë këtë: “Udhëtim në fund të natës” apo dekompozimi i gjuhës amtare; “Vdekje me kredi”, me sintaksën e tij të re si gjuhë brenda gjuhës; dhe “Banda e Ginjolit”, me pikëçuditëset e varura si cak i gjuhës, si vegime shpërthyese dhe tingullore. Që të shkruash duhet patjetër, ndoshta, të ndjesh neveri ndaj gjuhës amtare, se vetëm kësodore krijimtaria sintaksore mund të zbulojë në të një gjuhë të huaj, mirëpo gjuha në tërësi është në gjendje ta zbulojë të prapmen e saj përtej cakut të çdo lloj sintakse. Ne nganjëherë i urojmë shkrimtarët, por ata e dinë që janë larg nga përftimi i formësimit të tyre, larg nga mbërritja e cakut që ata i kanë caktuar vetes dhe i cili gjithë kohës u përvidhet e u rrëshqet. Të shkrush është po njëlloj sikur të shndërrohesh në një tjetërkush se sa të jesh shkrimtar. Atij që pyet se çfarë është letërsia, Virxhinia Vulf i përgjigjet: me kë i bëni pazar ju letrat që shkruani? Shkrimtari nuk e vret mendjen për këtë, atë e shqetëson diç tjetër.
Nëse do t’i shqyrtojmë këto kritere, atëherë do të vëmë re se midis të gjithë atyre që krijojnë libra me qëllimësi letrare, madje dhe midis të çmendurve, vetëm capak mund të quhen shkrimtarë.

Përktheu: Agron TUFA

————————————————————————

[1] Shih. Andre Dhotel, Terres de memoire (Paris, 1979), p. 225,  La Chronique fabuleuse (Paris, 1960).
[2] J. M. G. Le Clezio, Hai (Paris, 1971), p. 5. Në romanin e tij të parë Le Proces-verbal Le Klezio e paraqet madhnueshëm personazhin e joshur në të formësuarit-grua, mandej të formësuarit-mi, mandej në të formësuarit-i padukshëm kur e fshin përfare vetveten. Cit. Le Clezio, Le Proces-verbal (Paris, 1963).
[3] Shih. Karl-Philipp Moritz, “Anton reiser”, në La Legende dispersee: Anthologie du romantisme allemand, ed. Jean-Christophe Bailly (Paris, 1976), p. 38.
[4] Shih. Marthe Robert, Roman des origines et origines du roman (Paris, 1972).
[5] D. G. Lourens, letër Xhon Midllton Murrit, 20 maj 1929, The Letters of D. H. Lawrence, ed. Keith Sagar and James T. Boulton, 7 vols. (Cambridge, 1993), 7:294.
[6] Shih. Maurice Blanchot, La Part du feu (Paris, 1949), pp. 29-30. “Di po ngjet çme personazhet], kështu që ata mund të mbijetojnë vetëm nëse refuzojnë pushtetin e tyre për të folur “unin” (Blanchot, L’Entretien infini ç1963; Paris, 1992], pp. 563-564). Lëtersia këtu përgënjeshtron koncepsionin linguistik, i cili e konsideron të drejtuarit, veçanërisht në vetat e para, si kushtin e vetëm të shprehjes.
[7] Mbi letërsinë si ushtrim të shëndetit, por jo për ata, të cilët këtë shëndet s’e kanë apo tek ata që e kanë të dobët. Henri Michaux, në “Mes proprietes”, La Nuit remue (Paris, 1972), fq. 191-195. Le Klezio gjithashtu shkruan: “Herëdokur në, ndoshta do ta kuptojmë që nuk ka patur asnjë farë arti, ka patur vetëm mjekësi” (Le Clesio, Hai, p. 7).
[8] Andre Baj, Parathënia për Thomas Wolfe, De la mort au matin (Paris, 1987), p. 12/
[9] Shih. Përsiatjet e Kafkës mbi të ashtuquajturat letërsi të vogla në shënimet e ditarit të tij të datave nga 25 dhjetori 1911, The Diares of Franz Kafka, trans. Joseph Kresh, ed. Max Brod. 2 vols. (New York, 1948). 1:191-198, dhe po ashtu përsiatjet e Herman Melvilit mbi letërsinë amerikane në librin e tij “Hawthorne and His Mosses” në Herman Melville, ed. R. W. B. Lewis (New York, 1962), fq. 37-55 dhe. 45-49.
Deleuze, G. (1997). Literature and Life. Critical Inquiry, 23, 225-230.]