Shënime mbi romanin “Mërkuna e zezë” të shkrimtarit Agron Tufa
nga Ervin NEZHA
“Shpirti im kaherë e bën këtë rrugë, pa mundur të shkëputet soje nga vesi i moçem ( mos t’i themi peng, ngase kush s’arrin të çlirohet prej pengjeve të veta,, a prej atyre që ia lanë trashëgimi të tjerëve, pengu shndërrohet në ves). Kështu, për vite me rradhë, u bie prapa gjurmëve që më sollën e më ngulën përjetësisht në fshatin Ivranaj, duke përcjellë për të mijëtën herë karvanin e vogël prej pesë kuajsh, me dajë Rexhën prapa tyre, i cili tash ka filluar të mbahet pas bishtit të kalit të mbramë.”
Me një retrospektivë të thellë drejtuar kah vetja e fillon romanin e tij “Mërkuna e zezë” shkrimtari Agron Tufa. Nuk është vetëm fshati Ivranaj, mjedisi ku autori ka vendosur ngjarjen, një botë e trilluar, e cila pret një të sapoardhur, Gurin, por gjithë bota njëherazi qëllon të bëhet e trilluar dhe vihet në shërbim të disa ngjarjeve kobëzeza që ndodhin papritmas. Ndërsa Guri, i cili shkon për vizitë te nënëdaja, detyrohet ta pranojë realitetin e ri, pozicionin e të rënit në grackë, sepse nuk ka asnjë mundësi arratisjeje dhe ky pozicionim, që vjen jo vetëm nga nevoja e autorit për të siguruar një regji të nevojshme, e cila do të mbaj ndezur një ekran të madh ngjarjesh që kanë ndodhur, ndodhin, e do ndodhin në fshat, por edhe për faktin për të mbajtur ndezur botën e përjetueshmërisë dhe imagjinatës (edhe këto po kaq të rëndësishme sa vetë bota e rrëfimit), që ne si lexues të lumturohemi që gjendemi në një botë tjetër për arsye krejt të tjera.
Jo pa qëllim, rrëfimi në këtë roman bëhet në vetën e parë, pra rrëfyesi bëhet vetë pjesëmarrës në ngjarje, dhe konflikti i rrëfyesit/ personazh ndodh çuditërisht në konceptimet e njëtrajtshme të ligjërimit dhe veprimit. Në gjykimin tim modest, ky rezulton të jetë një roman psikospektiv, i cili merr formë në një rrafsh origjinal dhe tepër të vështirë për tu realizuar. Ngjizja e një topike frojdiste me një traditë të lashtë bestytnhie popullore, ose një rrekje për të çelur ca shtigje mjaft të errëta psikoanalitike në mendsinë tradicionale shqiptare.
Nuk përjashtohet fakti, që pas Gurit (personazhit), të fshihet vetë fëmijëria e Agron Tufës, që kurrësesi nuk kërkon të bëjë një autoportret, por të nxjerrë veten në një rrafsh të favorshëm e t’ia tërheqë vemendjen lexuesit aty ku do ai. Përkundër kësaj që thamë “Mërkuna e zezë” mbetet një roman ngjarjesh dhe jo personazhi, për disa arsye. E para dhe më e rëndësishme është fakti, se personazhi i përshtatet ngjarjes, pra ai shërben si mjet, ndërsa ngjarja shëndrohet në qëllim për vetveten. Ky pozicionim bën që paralel me historinë e rrëfyer aq thjeshtë, të vërshojë edhe një lumë i nëndheshëm komenti psikologjik, i cili u jep jetë, persiatjeve dhe nënlinjave të romanit. Personazhi që në paragrafin e parë të romanit, identifikohet të jetë një shpirt i ngallmuar, i cili ndjek shpresëkotë karvanin e përherëshëm, që ngjanë me një kapsulë kohe, e cila lidh fshatin e izoluar Ivranaj, një botë që udhëhiqet nga ligje të tjera, me botën e madhe.
Ky shpirt që ka humbur trupin, përmes një vëzhgimi të maksimizuar (edhe pse në roman vëzhgimi ka karakter fragmentar), nis e rrëfen historinë e tij të pabesueshme dhe të trishtë, e cila përfundimisht, mbetet e varruar në fshatin e ngadhmuar nga magjia e zezë, Ivranaj.
Në momentin që karvani kalon urën e gurtë, që lidh botën e madhe me fshatin e humbur, dy janë gjëndjet që përjeton personazhi, një pendesë s’dihet pse, për udhën që ka nisur, dhe e dyta është kujtimi i babait që tashmë e konsideron të rritur, burrë. Mjaftojnë këto elementë, për të krijuar kushtet për një rrëfim të jashtëzakonshëm, ndërkohë që gracka për personazhin sapo është ngritur. Shpejt personazhi kupton se shumë gjëra nuk shkojnë si duhet, në fshatin ku ka shkelur, dëbora që nuk pushon thuajse kurrë, mungesa e deleve të bardha (prania vetëm e të zezave), mungesa e burrave, gra të zhytura në botën e magjisë dhe misterit. Fshehtas, qëndron i ngritur një kult matriarkal, “Mërkuna”, një kult magjistricash, seksi, epshi që dalngadalë merr formë dhe zbulohet në sytë e djaloshit të ri, i cili përjeton eksperienca nga më të jashtëzakonshmet dhe njëkohësisht të frikshme.
Agron Tufa është një autor i pashoq në lëndinën e rrëfimit të vet. Përmes një lirizmi të thellë psikologjik, frazave të ekonomizuara, projeksioneve të shkëlqyera dhe besueshmërie të lartë estetike, arrin të rrëfejë të parrëfyeshmen, të pashpjegueshmen, të mistershmen.
Bota e trilluar e Tufës, nuk është thjeshtë një surealizëm, ajo e tejkalon një fantazmagori apo simbolikë të thjeshtë dhe rreket drejt formave të epërme të të ashtuquajturit Realizëm Magjik. Gjithsesi për të tilla përcaktime do të duhen lexues e studiues më të mençuar si dhe praktika më të thelluara studimi.
Më tej nuk ndiej fort çapin të sigurtë, të rrok të gjitha idetë e krijuesit, ndaj ftoj të tjerë leçitës të lënë shënimet e tyre për këtë roman kaq të bukur dhe të veçantë të letërsisë bashkohore shqipe.
29/ 02/ 2020