Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Agron Tufa: Nuk ekziston ndonjë realitet i tillë, i qëndrueshëm. Janë gjëra efemere. Lumturia për mua është tokësore. P.sh., të jetoj me ata që i dua, me familjen time, mundësisht jo në ambient urban, por as larg qytetit, në një shtëpi të bollshme në gjirin e natyrës, që ka detyrimisht një studio ku të mbyllem të shkruaj përditë nga pak, i rrethuar me libra, muzikë, albume dhe në mbrëmje të shëtis me fëmijët, ose të shoh herë pas herë ndonjë ndeshje të rëndësishme futbollit, film artistik e kësi gjërash.
Cila është frika më e madhe?
A. T: Humbja e njerëzve të familjes. Humbja e nderit dhe dinjitetit personal.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
A. T: Tim atë, ndjesë pastë. Përvojën e tij, ndërshmërinë, ndjenjën e vetësakrificës së tij, burrërinë etj, me pak fjalë – karakterin e tij.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
A.T: Nuk i dua përsëritjet. As identifikimet. Zoti çdo krijesë e ka unikale, të papërsëritshme në univers.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
A.T: Gjaknxehtësia.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
A. T: Paragjykimi gratis për tjetrin, mungesa e dëshirës për të njohur të vërtetën, përtacia intelektuale, papërgjegjshmëria, shpifja, intriga, servilizmi.
Në cilat gjëra e teproni?
A.T: Me duhanin.
Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
A. T: Vetëm kur e vërteta do të sillte turbullira dhe pasoja. Por mund të gënjej dhe thjesht, për qejf, nisur nga ndjenja e pamjaftueshmërisë së realitetit, duke dashur ta zbukuroj atë për vete e për të tjerë…
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
A.T: Në rrafshin konkret, gjithmonë, kthimet. Në rrafshin figurativ – udhëtimet në kujtesë dhe “sikuret”.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
A. T: “Interesante… interesante…”, që do të thotë, se pikërisht atëherë nuk ka asgjë interesante.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
A.T: Koha e humbur… Humbja e kohës me ata që s’mbushin. Hedhja e fjalës dëm me ata që nuk ndjejnë, nuk kuptojnë.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
A.T: Familja. Ime shoqe. Familja nga kam dalë dhe ajo që kam krijuar.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
A. T: Nxitimi për ta mbaruar këtë intervistë:))
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
A. T: Të lija duhanin.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
A. T: Së pari, formimin tim intelektual, me aq sa munda, i cili u duk në fillim, se qe kërcënuar rëndë nga komunizmi, deri në moshën 23 vjeçare, kur komunizmi, së paku formalisht, ngordhi; së dyti, veprën time letrare; dhe së treti (që duhet të ishte e para), krijimin e familjes me 5 fëmijë, po aq sa ç’kishte im atë.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
A. T: Do të nësoja nja dy gjuhë të vdekura dhe ndoshta po aq të gjalla. Do të udhëtoja për një farë kohe në dy-tri vende (kontinente) dhe kohën do ta vlerësoja në të mirë të pasionit tim kryesor: krijimtarisë letrare. Dhe thjesht, për disa marrëzira e budallëqe, nga ato që nuk i kam bërë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
A. T: Do të doja të isha ky që jam. Kështu që më mirë mund të kalohej kjo hipotezë pa rimishërime e pa rilindje, duke më lënë kështu siç jam.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
A.T. Nëse është fjala për gjëra abstrakte, më e shtrenjtë është Mendja. Nëse është fjala për sendet, gjëja më e shtrenjtë që kam janë librat.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
A. T: Njeriu i atrofizuar nga frika dhe shantazhi.
Ku do të dëshironit të jetonit?
A. T: Në Shqipëri ose Kosovë. Por jo në qytet, jo në apartament. Përndryshe, në të gjitha vendet ku bun shpesh imagjinata.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
A. T: Mendja e kthjellët, zemra e dhembshur dhe ndoshta, kuraja për të dhënë shembullin, kur të tjerët kanë frikë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
A. T: Natyrshmëria, brishtësia, altruizmi dhe mendja e bukur.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
A. T: Josif Brodskij (1940-1995). Poet e eseist i jashtëzakonshëm. Njeri i pakompromis. I burgosur e i përndjekur, i përzënë nga atdheu i vet, e megjithatë, triumfues mbi të gjitha vështirësitë. Fitues i çmimit Nobel (1987).
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
A. T: Ka plot. Të gjithë ata miq e të njohur që përballojnë vështirësitë e fatkeqësitë, duke ruajtur të pacënuar dinjitetin njerëzor dhe fisnikërinë e shpirtit.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
A.T. Të isha dhe ndërtues si im atë. Përndryshe, durimin dhe mendjen e paturbulluar.
Si do të dëshironit të vdisnit?
A. T: Mes njerëzve të familjes. I rrethuar nga dashuria e mirënjohja. Me mendje të esëllt.
Cila është motoja juaj?
A.T: Mos me ta mundë inati durimin.
04/02/2019