Home Kritikë mbi autorin Proza e Agron Tufës – një përmasë europiane e tekstit

Proza e Agron Tufës – një përmasë europiane e tekstit

Gazeta “Nacional”, 9 tetor 2011

Vetë fakti që njeriu jeton me gjësendet dhe natyrisht se ato formojnë kornizën e tij sociale, do të thotë se njeriu gjithmonë kërkon të ”transcendentojë” këtë gjendje dhe të lidhet me diçka më të qartë se vetja, por që del nga vetja.”

Nga Dr. Rovena Vata

“Përderisa imagjinata e ka krijuar botën, është ajo që e udhëheq atë.” Me këtë shprehje nis romani “Mërkuna e zezë” i shkrimtarit Agron Tufa. Arti në përgjithsësi dhe letërsia në veçanti janë botë e imagjinimit dhe botë imagjinare. Kur letërsia buron në imagjinatë atëherë ajo ngrihet mbi imagjinimin e autorit/subjektit krijues i cili pastaj me anë të shkrimit e objektivon atë imagjinim dhe krijon botë imagjinare apo “botë-besim”. Kendall Waltson do të thoshte se imagjinimi mund të jetë spontan dhe intencional. Teza kryesore e Waltson-it është teza se fiksioni është art i imagjinuar që na bën të besojmë në të. Mirëpo ajo që duhet ritheksuar është fakti që letërsia e mirë jo vetëm që na shtyn të besojmë botën e saj të imagjinuar mirë, por edhe na tregon se është botë e imagjinuar.Pra, letërsia është një ftesë e autorit që na fton në botën e tij të imagjinuar: “Ju ftoi të imagjinoni botën time!”.
Mirëpo, letërsia është burim i autorit që imagjinon në mënyrë të thukët, evokative, të rrjedhshme dhe kontemplative duke krijuar botë imagjinare mbi karaktere dhe ngjarje që rrezatojnë botën reale. Ajo nuk bazohet në imagjinatë që lejon lexuesin të konsumojë atë vetëm sipërfaqësisht. Letërsia e imagjinuar e mban lexuesin në maje të gishtave për të parë botën nalt matanë.
Letërsia e mirë është “botë-besim” matanë që e ndihmon lexuesin të gjejë udhën e vet në botën në këtë anë duke bërë pyetje, duke menduar, duke u fisnikëruar e duke gjetur domethënie. Letërsia si qenie e botës imagjinare ajo ka status të saj specifik që matet me qenësi estetike: pra, duke e parë se sa e thukët dhe sa e imagjinueshme, sa imagjinare dhe sa imagjinim-nxitëse është ajo.
Roland Barthesi, merr rolin e demistifikuesit të miteve të kulturës masive dhe tenton të na bëjë me dije se mitet nuk janë vetëm deluzione, truke apo struktura të fshehta që na e sajojnë botën para nesh, por ato rëndojnë rëndë edhe filmat, fotografitë, plastikën, sapunin, televizionin, veturat etj.
Duke marrë shkas nga thënia e Bardhësit në një ese të titulluar: “Sociologjia apo socio-logjika”, ku thotë se çdo shoqëri tenton të strukturojë realitetin dhe për këtë arsyje nevojitet të kemi analiza struktuale. E njëjta shprehje vlen edhe për romanin në fjalë.
“Gjatë gjithë asaj dite, si dhe ditët që vijuan, i ndihmova gjyshes të ushqenim bagëtitë. Më bëri përshtypje numri i madh i deleve të zeza. Gjyshi këtë e quante shenjë të keqe. Ai thoshte se ndër 100 dele të bardha, qëllon një e zezë. Kurse në tufën e gjyshit prej nëntëdhjetë e nëntë delesh, vetëm njëra ishte e bardhë. Për ta zbutur pak këtë raport, gjyshja kishte porositur pesëmbëdhjetë dele të bardha në lagjen e poshtme që thoshte se do t’ia binin ato ditë. Gjyshja thoshte se delet e bardha nuk rronin, sëmureshin ose ngordhnin. Në pranverë thuajse nuk mbijetonte asnjëra. E keqja qe se kurrë nuk u mor vesh ndonjë sëmundje. Gjyshja thotë se kjo ndodh prej mësyshit, ndonëse ka kohë që s’e beson as vetë këtë gjasë”.
Syri i keq haset edhe marrje mësysh. Ashtu si në Lindjen e Mesme, në Shqipëri mendohet se një vështrim keqdashës vetvetiu mund të bëjë dëm. Prandaj, njerëzve që besohet se kanë një vështrim të tillë, pra sy të keq, nuk u dilet përpara. Fëmijët e vegjël, bagëtitë e tufës ose gjërat me vlerë nuk bën të lëvdrohen para të tjerëve, në mënyrë që të mos i zerë syri i keq. Rreth qafës së bagëtisë shpesh varej një lugë druri, kurse në ballë të foshnjës në djep vihej një monedhë, ose në hundë i ngjyhej një pikë bojë ndryshku, që të shërbenin si hajmali kundër syrit të keq.
“- Zanati, moj loçka e gjyshes, nuk epet: ai rrëmbehet, vidhet. Zanati i dhanun nuk asht i hajrit, nuk asht i amël. Ai asht vetë msheftësia. Asht vetë rravgimi i femnës, jeratisun prej Mërkunes.
– Kush asht kjo Mërkuna, gjyshe?- pyeta i çuditur.
Gjyshja më pa me mosbesim. – falë i qofshim kah na rri mbi krye me furkë e gërshanë në dorë! Falë i qofshim kah na thur e shthur fatet tona, Zanës tonë shejte! Ajo asht Zana e grave qi mbarson e zanon, bir i gjyshes!
-Unë dua ta shoh, gjyshe. – Larg qoftë, loçk’ e gjyshes! Ajo i shtangon burrart…. S’ka punë me ta!
– Po ti, gjyshe, a e ke parë Mërkunën?
– Jo bir, ajo të del me t’rraposë kur i hyn në hak. Por unë e kam ndie afër Frymën e mbarë të asaj Fatbardhe…”
Sipas besimit popullor, nga të gjitha ditët e javës, e Marta quhet në Shqipëri, ashtu si në Turqi, “dita më terse”. Është terse sidomos për t’u nisur për udhë. Shumë gra shqiptare nuk bëjnë punë shtëpie të martave, sepse e marta e ka “një sahat ters”. Plakat nuk e lanin kokën të martave, as nuk e derdhnin ujët e enëve pasi i lanin. Ky besim është i përhapur në Shqipëri edhe sot. Punëtorët e ndërtimit shpesh nuk hedhin themele të reja shtëpish të martave, kurse shumë njerëz në këtë ditë nuk i bëjnë sefte rrobat e reja. Kleriku Italian Ernesto Cozzi (1870-1926) nga Trentoja ka shënuar shprehjen gegërishte: “Zoja e marte asht e idhun.”
E mërkuara sipas besimit popullor kanë qenë quajtur ditë të pavolitshme për të qethur dhentë.
Djalli shfaqet në shumë trajta në mitologjinë tonë dhe për të ka një numër të madh termash: djall, nga lat. diabolus, ’djall; dreq, nga lat, draco, ’dragua’; satan; termi mysliman shejtan, nga hebraishtja satanas; dhe lucifer. Për arsye tabuje, zakonisht përdoren edhe eufemizmat: qoftëlargu, larg këtej, e barasvlershme me gr. e sot., i mallkuar, i paudhë. Djajtë shpesh marrin trajtën e cjapit.
“ – A të kanë ngucë mysafirët e natës?”, – e pyeta.
“Mbramë ka qenë hata e madhe”, – tha. “Vlonte vendi nën hanë. Kishin msy edhe shpirtna të xhuxhtë, femna shtatshkurtna, shëmtaqe, cubele. Disa sosh, mbulue prej flokësh kryekreje”.
Kur m’i shploi kambët i qenë mbushë pika-pika kafe, si vezë fëllanxe. Tha se kishte dremitë nji copë herë, por kur qe sque, tue plasë drita, kishte pa ato fshesa të vogla, të ngjyme në asi lëngu qoftëlargu.

Ta kesh burrin sa më larg
Ndilli burrat var-e-varg
Zgjidhe njenin topemadh
Me t’a kullot njat livadh
Me t’kullot at’bar prendvere
Qite burrin tand përdere,
Mos le mashkull nën çati,
Kshtu t’urdhnon motra Kumri.
Se për vjerrin jena vet,
Nadje lig e kem zatet”.

Në këtë sekuencë jepet shfaqja e Mërkunes në trajtën e një njeriu që ka vdekur që 7 vite, duke i paralajmëruar gratë që kishin punuar në ditën e saj që kjo gjë herë tjerër të mos përseritet se marrja e shpirtit të tyre prej saj do të jetë në mënyrë fatale.

– “Unë nuk jam hallë Gurija. Ajo ka shtatë vjet kallur në dhe. Unë jam Mërkuna, Nata e Mërkurë! Sa herë ju kam thanë të mos punohet në natën timë?! Të mos qe hatri i kësaj sabie (ajo dëftoi me gisht djepin ku flinte ferishtja), të mos që mikpritja jote zemërbardhë (ajo dëfteu me gisht grumbullin e arrave, mollave, ftonjve e dardhave dhe filxhanin e filluar të kafesë), do të ta merrja shpirtin me vete për gazep, atje përfund, në dynja të poshtme!”, -tha, duke m’i shti duert e gjata me thonjt e verdhë rrastas për fyt. Si i tha këto, e pashë vetë qysh u shndërrua në firomë, qysh rrëshqiti prej meje dhe u fut në katrorin e vogël të shporetit, qysh u ngjit me brambullimë e poterë për burive të sobës, tue u tretë e u ba fir”.

Mërkuna e zezë është perëndia e grave e gjithëpushtetshmja që i mbronte gratë, por edhe i ndëshkonte me vdekje, kur ato nuk i bindnin urdhrave të saj që të mos punohet punëdore ditën e martë, pra e marta e zezë, kjo gjetje është e autorit dita e Mërkure dhe jo e Marte edhe pse e thote diku brenda romanit ditën e Marte që nuk duhet punuar punëdore.

“- Shshshsh! C’hall të ka zënë moj Fatkë? Pa tregoji vëllait…- thashë, duke gjakuar ta marr me të mirë. – Si nuk e kupton? Ato janë shtriga! Ato thirrën ardhjen e Natës së Mërkurë! Shihe, këtë shi do ta ndajë dëbora. Për këtë i hodhën veglat e punëdores në pus. Ata iu lutën Natës së Mërkurë. E Mëkura e Zezë është shpirti i përjetshëm i femrave që ngrihet kundër kësaj feste”.
“Unë nuk dëshiroj ta shoh. Por e ndiej. Po të dua dhe mund ta shoh, por mos mendo se mund ta shohësh thjesht si një shoqe. Ajo shfaqet në trajta shumë të parrokshme, në gjendje gjysmëkllapie, njohurish, ashtu sikur iu shfaq gjyshës atë natë.. në trajtën e hallës Gurije”.
Barthes-i kërkonte që kultura të ketë ’pak dije, pak urti, aspak fuqi…por sa më shumë shije’ (duhet dalluar fjalën shije këtu sepse Bardhes e përdor këtë duke konotuar impresionin sensual që jep teksti e jo shijen estetike të bazuar në kanon, apo tradtë estetike).
Në këto vargje jepet funksioni i Mërkunës së zezë që rrënonte burrat dhe mbronte gratë, por vetëm atëherë kur këto të fundit kishin vepruar siç ka urdhëruar zonja Mërkunë:

”Mërkunë e Madhe kësoane, shkreti, shkreti burrat tanë!
Jepna fronin e shtëpisë, parësinë mbi rrung-e-trung,
Hapna udhën t’u vëmë këmbën meshkujve që na gërganë
Edhe femrave sojsëze, lidhjua fatin nyje, cung!

…………………………………………………………………..

O Mërkuna jonë e Madhe, Mërkunë e Zezë e këtij viti!
Shpirtin tonë që t’u robtua, si qëmoti bëje rojë!
Rritna thonjtë t’ua çjerrim zemrat burrave që të koriti
Delezezën, shpirtin tënd, përdhunuar shkrumb-e-plojë.

Vetë fakti që njeriu jeton me gjësendet dhe natyrisht se ato formojnë kornizën e tij sociale, do të thotë se njeriu gjithmonë kërkon të ”transcendentojë” këtë gjendje dhe të lidhet me diçka më të qartë se vetja, por që del nga vetja.