Home Poezi Kuadrati i zi, III

Kuadrati i zi, III

Newcastle Beach, New South Wales, Australia, 2000; photograph by Trent Parke

Kalorësi

Me flatrat e krillave u bart perëndimi
dhe ra si ndryshku i plugut.
Një bronx i sëmurë në pisk të thëllimit
larton statujën e muzgut.

Mes malit e fushës, kur jelet e zeza
të territ të prekin në tokë, –
zvarrë do ta heqë dikë në varreza
Kalorës’ i Dyrerit galop.

Ti portën e kyç dhe ndjen si përjashta
statuja e muzgut mësyn: –
rishmi rikthejnë ndijimet e lashta
që tjetër Kujtesë përtërijnë.

“Ti nuk m’i nderove altarët e mi,
as Frymët ndër kafshë e natyrë.
Ti engjëjt m’i talle! Më mbetet tani
demonë të të çoj mysafirë”.

Portën e ndjen si shkallmohet, gjerkur –
shpirtin ndër lutje përndezë –
Kalorës’ i Dyrerit fytyrëqivur
ta merr me galop në varrezë.

 

Ndjenjat

I
Ndjenjat janë pleh i mirë,
pleh i ndezur me ferment.
Me to gjembaçë ke përtërirë.
E tash, indiferent

sheh se ndjenjat shterrën krejt:
djerrina ditësh zverdhen.
Gjembaçët bëhen më të mprehtë
sa zogu braktis çerdhen.

Fushëtira shtrihet e përpiktë
nën brymë, frymëmekur.
Elmaz’ i hënës thërrmon yjtë
dhe çan kungujt e egër.

II
Me ndjenja rriten veç gjembaçë.
Më mirë pa ndjenja fare.
Më mirë shalo të ziun vraç
t’absurdes natë shqiptare.

Dhe kur të msysh të katër anët –
shushatur në mërzi,
hapësirë e kohë si verbanët
t’i bësh lesh e li,

pa ditur ku, pa ditur pse,
pa shkak, pa qëllim,
përsa kjo natë një hon e fsheh
të terrtë, pa mbarim.

E kur galop në zgrip ia beh
pa prerë vrull, as turr,
të ftohtën flatër honi ndeh
tash a herëdokur.

Me ndjenjat rrisim veçse gjemba
se jemi fis gjembaçësh:
na rreh absurdi nëpër rremba –
ky zell shqiptar palaçosh.

 

Materia

E errët materia hedh shtat
me rrathë pikëllimesh përbrenda:
shungullimën e zisë ma shugat
ky kurm kur kridhet në ëndrra.

Dhe mjaltin e gjumit shkullon
me buzët e agut të etur:
ky kurm, si një huall pikon
nektarin e huaj, të vjedhur.

Skarpati i ditës mësyn
me kryqe të tjera të rënda:
drejt natës – i vetmi shpëtim,
dhe gjumë… si në legjenda.

 

Shpirti

Ç’ta bëj, si ta mbroj këtë shpirt
të ngrënë nga përdorimi?
Ky kurm që e barti çdo ditë –
bregore e lartë pikëllimi.

Sa trupa, sa trajta braktisi
ky shpirt i pangushëllim?
Mos ndoshta Udhën që nisi
e ngryska në kurmin tim?

Dua t’ia di gjitha Udhët,
bujtinat, sfilitë ndër shtresa.
Ç’më solli nga kohë e mugët
dhe cilat reminishenca?

Që ditën kur kurmin ma veshi
si rrobë dhe m’u ngul në ashtnor,
ky shpirt m’i kalli gjithë pengjet
e fatit të lashtë njerëzor.