Home Poezi Kuadrati i zi, I

Kuadrati i zi, I

Paracaktimi

Shitohen ditët lik përbri
dhe mineral’ i territ rëndet.
Unë rrah të shpik një histori
që shap’ i shpirtit të mos çmendet.

Më kanë lëshuar pa më pyetur:
“Ji dhe mbroje këtë trajtë!
Dhe kur ky mish të jetë venitur,
do çojmë një engjëll të të mbartë.

Po që kjo trajtë të mbijetojë,
ky shap i mish-e-shpirtit tënd,
është parathënë që të durojë
gjithësa vdektarëve iu rënd.

Ia bëmë bimës rrënjët zorrë –
dhe ty – idesh të ngjizëm Frymë.
Krijimit tonë i vumë kurorë:
Ti mos e lër ta përkasë brymë!”

Me këtë kumt – ogur të zi
dënuar jam të kalamendem,
të shpik, ëndërroj një histori
që shap’ i shpirtit të mos çmendet.

Nyja

…E tash gjithçka vjen lidhet nyje
që duhet zgjidhur herëdokur.
Mes tokë-e-qiellit asnjë fije
siç duhet shthurur, nuk u shthur.

Na vijnë së largu ca t’vërteta,
me shushurimë, me pëshpërimë.
Drithmohet hithra dhe lëpjeta:
jo zemra jonë, jo veshi ynë!

Ajme, si mblidhet-kutull vjeshta –
i lashti fat si një iriq!
Një garderobë sajon gënjeshtra
për të vërtetën lakuriq.

Dhe shkepet klithma gjer në yje
dhe sprapset-gozhdë përmbi qivur:
mes tok-e-qiellit asnjë fije
siç duhet shthurur, nuk u shthur.

 

Enigma

Me ankth të pjekur e zemër të mekur
pranoje enigmën e madhe:
enigma e vogël ka mbetur paprekur,
në shmang, e flakur jashtë radhe.

Ti ditët njëlloj vazhdon t’i shtysh,
si shtjella trallisur ndër valle.
Enigmën e vogël e vdire prej sysh
si çelësin e shpisë së madhe.

Do shtrihesh nga lodhja, dërrmuar të flesh
me fllugën e gjumit ndër valëza.
Prore kanatesh shtëpinë do ta kesh
për hije, kukudhër, fantazma…

Mbi truall të dobët – fundamenti yt –
gulçon nën ngrehinën e errët.
Gremisja – dije – në ndodhtë një ditë, –
enigma e vogël hakmerret.