Home Përkthime Fjala dhe kultura

Fjala dhe kultura

Osip Mandelshtam

Barërat e rimtë të rrugëve petërburgase janë filizat e parë të pyllit virgjin, i cili do të mbulojë vendin e qyteteve bashkëkohore. Ky gjelbërim i njomësht e i vllazhët, i habitshëm me brishtësinë e tij, i përket një natyre të re të animuar. Petërburgu është menjëmend qyteti më i parë i botës. Jo me metropolin, jo me grataçielat maten filizat e bashkëkohësisë: me shpejtësinë, me barin e hareshëm që përbirohet përposh gurëve të qytetit.
Gjaku ynë, muzika jonë, shtetësia jonë – të gjitha këto e gjejnë vazhdimin e tyre në qenien e brishtë të një natyre të re, natyrës-Psike. Në këtë mbretëri të frymës pa njeriun, çdocila pemë do të jetë driadë dhe çdocila dukuri do të flasë për metamorfozën e saj. Ta ndalosh? Përse? Kush e ndalon diellin kur ai rend me krahë harabeli në vatrën atërore, përpirë prej ethes së kthimit? A nuk është më mirë ta dhurosh atë ditiramb, se sa t’i lypësh lëmoshë?

Nuk kuptonte ai asgjë
Ligan e vuv si foshnjë-shkreta
Të huaj rob zinin për të
Peshq e bisha nëpër rrjeta.1

Ju falemnderëz o “njerëz të huaj” për kujdesin prekës, për tutelën e dhembshur ndaj botës së vjetër, e cila tashmë “është e qoftlargut” dhe që iku me shpresë e përgatitje për një metamorfozë të ardhshme:

Cum subit illius tristissima noctis imago,
Quae mihi supremum tempus in urbe fuit,
Cum repeto nocten, qua tot mihicava reliquit,
Labitur ex oculis nunc quoque gutta meis!*

Po, bota e vjetër – është “bota e vdekur”, por ajo është më e gjallë se kurrë ndonjëherë. Kultura u bë një kamp lufte: ne s’kemi ushqimin, por trapezën; nuk kemi dhomën, por qelën; nuk kemi rrobat, por veshmbathjen. Së mbrami ne kemi fituar lirinë e brendshme, harenë menjëmend të brendshme. Ujin në shtambat e argjilta e pijmë si verë dhe diellin e shijojmë më mirë në një kuzhinë manastiri, sesa në një restorant. Mollët, buka, patatet – ç’prej sodit shuajnë jo vetëm urinë fizike, por edhe atë shpirtërore. Bashkëkohësi nuk njeh veçse urinë fizike, veçse urinë shpirtërore. Për të dhe fjala është kurm, dhe buka e thjeshtë – hare dhe mister.

*    *    *

Të gjitha dallimet e tjera dhe kundërvëniet zbehen para dasive të njerëzve tash në miq dhe armiq të fjalës. Në qengja të vërtetë dhe në sqepër të vërtetë. Unë ndjej pothuajse një duhmë të gërbulur sqapi që kutërbon prej armiqve të fjalës. Kështu argumenti më se me vend që u adresohet këtyre të fundit, është: kundërshtari im kutërbon padurueshëm.
Procesi i ngrirjes së shtetësisë nuk mbetet në ndarjen e kishës nga shteti, sikundër gabohej revolucioni francez. Kthesa sociale solli sekularizme edhe më të mëdha.
Vihet re një tip i ri marrëdhëniesh të ndërsjellta që lidhin shtetin me kulturën, në ngjashmëri të plotë me atë se si princërit feudalë qenë lidhur me manastiret. Princërit e mbanin manastirin vetëm për këshilla. Me këtë shprehet gjithçka. Jashtëndodhja e shtetit në lidhje me vlerat kulturore e vendos atë në varësi të plotë nga kultura. Vlerat kulturore e stolisin shtetin, i japin atij ngjyrë, formë dhe, nëse doni, edhe seks madje.
Mbishkrimet që varen ndërtesave shtetërore, mauzoletë, harqet – e parandalojnë shtetin nga shkatërrimi prej kohës.
Poezia është një plor që e then kohën asilloj, sa shtresat e thella humusore të saj, dalin në sipërfaqe. Por bëjnë vaki të tilla epoka kur njerëzimi, pa u kënaqur me ditën e sotme, duke u përmalluar, njashtu si lavruesi – është i etur vetëm për celinën e kohërave. Revolucioni çon pashmangshëm drejt klasicizmit. Jo për shkak se Davidi ia mori të korrat Robespierit, porse kështu dëshiron toka.
Shpesh na bie të dëgjojmë: kjo është e mirë, porse është e ditës së djeshme. Ndërsa unë them: dita e djeshme ende nuk ka lindur. E djeshmja ende nuk ka ndodhur me të vërtetë. Unë dua sërishmi Ovidin, Pushkinin, Katulin.
Është përnjëmend e çuditshme, që, të gjithë merren me poetët dhe kurrësesi prej tyre s’shkepen soje. Të duket sikur, ja, – e lexove poetin dhe aq. E kam kapërcyer, si po thonë tani. Asgjë e këtillë s’ia ngjit. Boria e argjendtë e Katulit:


Ad claras Asiae volemus urbes
*

Të mundon e shkundullon më fort se çdocila enigmë futuriste. Këtë nuk e gjen në rusisht. Por ama, kjo në rusisht është patjetër e nevojshme. Unë mora vargjet latine, sepse për lexuesin rus ato përjetohen si kategori domosdoje: imperativi kumbon demonstrueshëm në to. Por kjo është veti e çdo poezie, përderisa ajo është klasike. Ajo përjetohet si diç që duhet të jetë, dhe si diç, e cila ka qenë.
Kësodore, asnjë poet ende s’ka mundur të jetë.
Ne jemi të çlirë prej barrës së hamendjeve. Megjithatë, sa parandjenja të hareshme: Pushkini, Ovidi, Homeri. Kur në qetësi dashnori ngatërrohet nëpër emra të dashur dhe bef ndërmend që këtë e ka përjetuar të ketë qenë: dhe fjala, dhe flokët, dhe këndesi, I cili këndonte matanë dritares, tanimë këndon në tristia-t e Ovidit, gëzimi I përmalltë I përsëdytjes e ngërthen, gëzimi marramendës.

Mu si një ujë të terrtë, pi ajërin e turbullt
   Koha lavruar me plor, dhe trëndafili qe tokë.

Kështu dhe poeti nuk u druhet përsëritjeve dhe dehet lehtë me verën klasike.
Ajo çka është e vërtetë për një poet, është e vërtetë edhe për të tjerë. Nuk ia vlen të krijosh asfarë shkolle. Nuk ia vlen të sajosh asfarë poetike.

*     *      *

Në jetën  e fjalës ka hyrë era heroike. Fjala – është kurm dhe bukë. Ajo pjesëton shortin e bukës dhe kurmit: vuajtjen. Njerëzit janë të uritur. Edhe më I uritur është shteti. Por ka diçka që është edhe më e uritur nga të gjitha: koha. Koha kërkon të mbllaçisë shtetin. Si tingull borie kumbon kanosja, gërvishtur nga Djerzhavini në dërrasën prej grafiti. Kush do ta ngrejë fjalën dhe t’ia dëftejë atë kohës? S’ka asgjë më të uritur se shteti bizantin i Leontievit*: ai është lemerisht më i uritur se njeriu i pangrënë. Përvujtnia ndaj kulturës që e mohon  fjalën, – është udha shoqërore dhe sakrifica e poetit bashkëkohor:

Kush ka zemër, duhet të dëgjojë, o kohë,
Se si anija jote drejt fundit kridhet…

Mos i kërkoni poezisë lëndë diskrete, konkretësi, materialitet. Kjo është po ai revolucion urie. Dyzimi i shën Tomës. E përse qenka e domosdoshme të ndjesh me gishta? Dhe kryesorja, përse u dashka të identifikohet fjala me gjërat, me sendin të cilin ajo shenjon?
Mos vallë gjësendi na qenka i zot i fjalës? Fjala është – Psikeja. Fjala e gjallë nuk e shenjon sendin, porse e zgjedh lirisht, mu si për banesë bujtjeje, këtë apo atë kuptimësi sendore, gjësendi, një trup të dashur. Dhe përreth sendit fjala bredh lirisht, njashtu si shpirti përreth kurmit të braktisur, por të paharruar.
Ajo çka thuhet për sendoren, kumbon disi ndryshe kur aplikohet ndaj imazheve:

 

Prends l’eloquence et tords-lui son cou!**

Shkruaj vargje pa imazhe, nëse mundesh, nëse ia del. I verbëri e njeh fytyrën e dashur, memzi duke e prekur atë me gishtat që shohin, dhe lotë gëzimi, gëzimi të njëmëndët i buisin syve pas një ndarjeje të gjatë. Poezia është e gjallë me imazhin e brendshëm, me atë plazmim kumbues të formës, e cila parathotë poezinë e shkruar. Ende nuk ekziston asnjë fjalë, ndërsa poezia kumbon tashmë. Kumbon kështu imazhi i brendshëm, të cilin e përçik veshi i poetit.

 Dhe e ëmbël është vëç grim’koha e njohjes.

Sot ka marrë famë e ashtuquajtura dukuri e glosologjisë. Në shtangimin e tyre të shenjtë poetët flasin në gjuhën e të gjitha kohërave, të gjitha kulturave. S’ka asgjë të pamundur. Ashtu si dhoma e të vdekurit është e hapur për të gjithë, ashtu dhe dera e botës së vjetër është e hapur kanatësh para turrmës. Papritmas gjithçka u bë pronë e të gjithëve. Shkoni dhe merrni. Gjithçka është e mundshme: të gjitha labirintet, të gjitha kthinat e fshehta, të gjitha hyjet e porositura. Fjala u bë jo shtatëgrykëshe, porse gajde njëmijëgrykëshe, e gjallëruar me frymëmarrjen e të gjitha shekujve njëherësh. Në glosologji ajo çka është e mahnitshme – është se folësi nuk e di gjuhën që flet. Ai flet në një gjuhë krejt të panjohur. Të gjithëve, dhe atij i duket se po flet greqishten e lashtë apo gjuhën Kaldejase. Diçka krejt e kundërt me erudicionin. Poezia bashkëkohore me gjithë koklavitjen e saj dhe përbirimin e brendshëm, është naïve:

 

Ecoutez la chanson grise…***

Poeti sintetik i bashkëkohësisë për mua nuk është as Vernharn*, porse një farë Verleni i kulturës. Për të gjithë ndërlikimi i botës së vjetër – është po ajo gajdeja pushkiniane. Në të këndojnë idetë, sistemet shkencore, teoritë shtetërore me po aq saktësi, sikundërse këndonin bashkëkohësit e tij bilbilat dhe trëndafilat. Kush tha se arsyeja e revolucionit është uria në hapësirat ndërplanetare?

Duhet të hedhim farën nëpër efir.

 

Shënime

Vetëm sa e çoj në mendje atë imazh pikëllimplotë,
Atë që qe nata ime e sprasme në qytet,
Veç sa e kujtoj, se si prej të shtrenjtëve të mi u ndava, –
Lotë sytë e mi rrjedhin dhe sot e kësaj dite.

(Lat.; Ovidi. Elegji të pikëlluara. Përkth. i përkthyesit)

  1. Vargjet e pamarkuara me yje, janë nga poezitë e hershme të Mandelshtamit (shën. përkth)

* Tekstualisht: “Ne gjakojmë qytetet e qashtra të Azisë” (‘lat., Katuli, Poezia, XLVI, vargu 6).
** Tekstualisht: “Merrë gojëtarinë dhe thyeja qafën!” (fr, nga vargjet e P. Verlenit “Art poetique”).
*** “Dëgjojeni këtë këngë të thjeshtë…” Kontaminim vargjesh nga poezia e Verlenit “Ecoutez la Chanson douce” (tekstual: “Dëgjojeni këngën e brishtë…” dhe “Art poetique” (“Rein de plus cher que la chanson grise…” – “S’ka asgjë më të shtrenjtë se këngëza e thjeshtë…”).

                                                                                                              (1921)

Përktheu nga origjinali: Agron TUFA