Zbulova se kisha shumë dashamirë të fshehtë.
Ku kishin qenë?
Pse nuk qenë dukur më parë, fjala vjen, në çastet më të vështira të jetës sime?
Pse nuk më kishin ndihmuar më parë?
Dhe kryesorja: çfarë i ka penguar të jepeshin të dukeshin?
– Janë pyetje të marra, se, sidoqoftë, ata dhanë të duken. Apo jo?
Pas këtyre pyetjeve, dhanë turr edhe të tjera pyetje më të vogla, por jo më pak të rëndësishme, derisa, në njëfarë pike, e humba krejt fillin, se s’po dija më – çfarë ishte kryesore dhe çfarë më pak e tillë. Ndjeva se njëpasnjëja e tyre ishte e pandalshme, e pashmangshme. A kishin lidhje ndërmjet vedi dashamirët e mi të fshehtë? Ndofarë organizimi? Dhe nëse po, a e ruanin sekret këtë solidaritet ilegal, të pavënë re? Ose: Çfarë mase ndëshkimore ndërmerrnin dashamirët e mi të fshehtë ndaj besëthyesve që dilnin gallof, ditën për diell në mbrojtjen time? Dhe më tej: a i bren sadogrimë ndërgjegja dashamirët e mi të fshehtë për faktin se ata asnjëherë nuk më kanë pyetur në e jap apo s’e jap pëlqimin tim për kësi mbrojtësish, të njohur qofshin a të panjohur? E gjithsesi, me çfarë, me çfarë i kam magjepsur e robëruar këta dashamirë të fshehtë? Pas fshehjes së tyre qëndron frikacakëria apo ndonjë cilësi tjetër më e lartë se trimëria?
Ama, një gjë bën “mjau”: dashamirët e mi të fshehtë duhet të kenë lindur si pasojë e degradimit të dashamirëve të mi të hapur. Ata me siguri janë krijesa të lindura nga dhimbja që shkaktojnë veprimet dhe gjestet hipokrite të dashamirësve të mi publikë. Kinse. Vetëm kjo e shpjegon shugurimin dhe përbetimin e tyre të heshtur për të përzënë cilindo sosh që guxon të dalë faqeza.
Që nga çasti kur kapa sinjalet e para, e mandej, kur ekzistenca e dashamirëve të mi të fshehtë bëhej gjithë e më e ndjeshme – ani pse nuk pashë kënd për fytyrë – jeta ime ka filluar të ndryshojë e të trishtohet, por edhe të thjeshtohet nga shumë besime veresie (Ej, kalamanit i duhet të rritet një ditë, apo jo?). Kush ka thënë se njeriu duhet të besojë në të ngjashmin e vet? Person qoftë ky apo turmë legjislative? Ja pra, dashamirët e mi të fshehtë këto ditë më dhanë të kuptoj (me gjithë dyshimet e ra), se qiejve të këso besimi fluturon veç preshi. Qiejt kurvërohen në diatezë vetvetore dhe pësore: në kësi rastesh këta qiej bien e digjen si këmisha të tejdukshme tek shfletohen ashtu, si revista të ilustruara pornografike, siç më shkruan një prej dashamirëve të mi të fshehtë anonimë.
…Se letrën e tij jam duke lexuar.
Letra është një pusullë me një shkrim të pjerrët e imcak, që bën fjalë se si në një mbledhje, dora e hekurt e dashamirëve të mi të hapur, nën buzëqeshje të përmbajtura, po e ngushtonte kërcënueshëm rrethin në qendër, mu aty ku krejt i pavëmendshëm prisja unë. Më tej pusulla hidhte dritë mbi hamendjet e mia për natyrën aktive dhe mënyrën se si e konstruktonin vetveten këto soj dashamirësh të padukshëm:
“Duke qenë se jam një dashamir i juaji i pavarur dhe, duke dëshiruar të mbetem i panjohur në harmoninë që më sjell dalëzotësia, ju bëj me dije o mik, se i kam rënë më të një kontradikte të keqe të dashamirëve tuaj publikë. Ndoshta pa dashje, mik i dashur, keni bërë që me rritjen tuaj, të pëlcasë ajo kornizë ku ju kanë kuadratuar. Mirëpo, i dashur mik, korniza ishte, gjithëqysh, maksimumi që mund të bënte intelekti i tyre për t’ju varrosur në një skemë. A ju ka shkuar ndonjëherë në mend se një vepër arti ndodh ta ketë suksesin veçse tek korniza? Për shembull, mund të ketë korniza të pafundme të Boshit, e për këta dashamirë është e rëndësishme jo çka gjendet brenda kornizës, se sa sakrilegji i pafalshëm që nis me daljen jashtë kuadratit: njaty or mik fillon zona e lirë e paragjykimit. Fillon zona e lirë e paragjykimit – por ju lutem, mik, vini re – aty mbyllet dhe qarku i dashamirëve tuaj të hapur. Dhe ju tashmë jeni i dënuar të gjykoheni me miopinë e tyre që shkon pandalshëm drejt verbimit. Në çdo fjalë që thonë, në çdo gjest që bëjnë, në çdo prezantim të tyre, nuk do të përftohet thelbi juaj – ajo çka keni ju më të shtrenjtë, ajo çka rravgon në botën tuaj – porse katrori i zbrazët, asgjëja absolute, refuzimi për të parë më, hipokrizia dhe cinizmi. Kështu dhe ju, i dashur mik, do të keni hyrë, pa e kuptuar as vetë, në një zonë të dendur heshtjeje që ju çon drejt memecërisë së zërit tuaj, si në atë vargun e Cvjetajevës: “Poeti e çon larg ligjërimin e tij,/ ligjërimi e çon larg poetin”. Atëherë si t’i perceptoni më qartë dashamirët tuaj të fshehtë? Jua rekomandoj: si barna të reja dhe ngushëllime të vjetra. Se, tekefundit, në këtë botë, edhe pse boll të sofistikuara, enigmat kanë fatin e përkohshëm të atyre virgjëreshave në skutat e errëta. Krejt puna është të zotërosh lartësinë e vështrimit të fajkoit, të cilit nuk i shpëton nga kaltërsitë e zenitit as lëvizja më vogël e një zhapiku, jo më taksa në natyrë e një venere të kompleksuar. Gjithçka krijon sistemin e vet imun ndër kategori të reja që janë, siç ka thënë filozofi, “përtej së Mirës dhe së Keqes”.
– E pse ta ndërlikojmë aq shumë, – thashë me vete për dashamirin tim të fshehtë e të panjohur: – themi thjesht “përtej së Mirës” dhe i kemi thënë të gjitha.
Madje kemi zgjeruar dhe larminë në grupimin e punëve të këqija të këso bote.