Bukë të rrumbullta kujtese
Piquni, piquni ju bukë të rrumbullta kujtese!
Rekrut i mobilizuem përgjatë kësaj linje muzikore, si kallëza të pjekuna mbledh brenga t’bame finjë. Çapëlehen e përgollen gojët e sendeve n’për dhomë e, një personalitet grykës shpërpushet ndër to. Më bëhet se e njoh këso libidoje: më bëhet se e shoh.
Piquni, piquni ju bukë të rrumbullta kujtese!
Si një kokërr drithi bjer, bjer në mulli, o ti, kafshë, barishte, mrekulli – shtatzanë, shpirtkë, o ti shtaza ime shtatpakët. Le të bjerë, le të shkrijë si fjollë bore e vërteta për ty! Ç’gatesë e trishtë ka me dalë, turtull o mëllenjë? Ç’mit? Ç’rrëfenjë? Dhe në vend që të kruhem, shkruej, – o kafsha ime stërnaze – bluej.
Piquni, piquni ju bukë të rrumbullta kujtese!
Territ ungjillor u shtri dhe preu hapësinat ajo dorë. Diptik zbrazëtie: bardh-e-zi. E bardhë, e bardhë, si një direk me vela, frushullonte frushkët andrra e tij, nësa për bashi përplasej e thyhej grimë, si shishe shampanje, pulëbardha torollake e Soreskut.
E hapësina?
E pamë qysh tallazitej, hapësina, qysh stërfryhej, shkumëzueshëm, hapësina, mu si një demon konkav, qysh shkurajohej saora, hapësira, pa aks e ashtnor.
Përanash e përskej e pamë qysh përvidhej epshi trupor i territ, e pamë qysh mbartej n’ato ethe ngutie, qysh avullonte e pamë mbi ujëra e stere epshin trupor të territ dhe e pamë, e pamë, e pamë qysh zbriti e mbet vjerrë – mjegullishtë, e pamë qysh varej i ngimë mbi lumë si plënc kau, epshin trupor të territ e pamë të mbartej nxitimthi, si mish kau vagonash të rëndë t’atij treni-fantazmë me binarë të lamë në djersë e dritë, dhe pamë, pamë, pamë, epshin, sidomos, mishin, vagonat dhe djersët në dritë etj, etj…
E drita, drita qysh?
Tembrâma, pasagjerë të ardhur ç’prej akseve të diptikut, e thënë qe t’përballeshim me këso bote, ku çdocili e njohu sozinë e vet me angrra e përbrenca engjëjsh përqafe.
Aherë nga perroni në sfond u ndje qysh kthehej nata tjetër me copat e gjarpnit të premë tek gjakonin me kapë njena-tjetrën – vagonat e trenit përplot me epshin trupor të territ; aherë u ndje qysh shpoi qiellin, si një i pa pikë kah yjzit një këngë n’arrati:
“Nënshkruaj, shpirti im, nënshkruaj,
edhe tregona qysh s’t’u përgjigj njeri…”