Home Përkthime Ligjërata e Nobelit – Josif Brodskij

Ligjërata e Nobelit – Josif Brodskij

I

Kur një njeri privat, një njeri që gjatë gjithë jetës ka pëlqyer kushtet e tij private më tepër se ndonjë rol me domethënie në shoqëri, dhe që në këto zgjedhje ka shkuar shumë larg – le të themi, shumë më larg nga mëmëdheu i vet, sepse është më mirë të jesh një dështak i marrë fund në demokraci se një martir ose ajka e ajkës në një tirani – kur një njeri i tillë e sheh veten papritur në këtë podium, është një përvojë disi e parehatshme dhe e sikletshme.

Këtë ndjesi ma përthellon jo aq mendimi mbi ata që kanë shkelur këtu para meje, sesa kujtimi për ata, të cilët ky nder u kaloi përskej, kush nuk mundi të drejtohet, si i thonë, “urbi et orbi” nga kjo tribunë dhe heshtja e të cilëve kërkon si të thuash dhe nuk gjen shtegdalje brenda jush.

E vetmja gjë që mund t’ju paqëtojë me një gjendje të tillë, është ajo arsye e thjeshtë, që – për arsye para së gjithash stilistike – shkrimtari nuk mund të flasë për shkrimtarin, veçanërisht – poeti për poetin; dhe se, po të ishin në këtë tribunë Osip Mandelshtami, Marina Cvjetajeva, Robert Frosti, Ana Ahmatova, Uinston Odeni, nëse padashje ata do të kishin folur për veten e tyre, do të ndjenin gjithashtu njëfarë sëkëlldie.

Këto hije më trazojnë përherë, më trazojnë dhe sot. Të paktën, ata nuk ma bëjnë hallall oratorinë. Në minutat më të mira, vetja më duket, si të thuash, shumë e tyre – por gjithnjë më pak se çdocili prej tyre marrë veçmas.

Sepse të jesh më i mirë se ata në letër – është e pamundur; e pamundër është të jesh më i mirë se ata edhe në jetë, e pikërisht, jetët e tyre pra, sado të hidhura e tragjike qenë, më shtrëngojnë shpesh, – ndofta, më shpesh nga sa duhet – të ndjej keqardhje për lëvizjen e kohës.

Nëse ekziston bota e përmatanshme – dhe unë nuk jam më shumë në gjendje t’ua refuzoj atyre jetën e përjetshme, sikundër nuk jam në gjendje të harroj ekzistencën e tyre në këtë jetë – pra, nëse jeta e përmatanshme ekziston, shpresoj atëherë që ata të më ndjejnë për cilësinë e asaj që do të marr të parashtroj: në fund të fundit, vlera e profesionit tonë nuk matet me sjelljen në tribunë.

Përmenda vetëm pesë prej tyre – ata, krijimtaria dhe fati i të cilëve është për mua i shtrenjtë, të paktën veç për faktin se, të mos kishin qenë ata, unë si njeri e si shkrimtar, do të kisha më pak vlerë: të paktën, nuk do të isha sot në këtë tribunë. Por kanë qenë më shumë syresh, kanë qenë hijet e tyre – më mirë tek e fundit, burime drite: llampa? yje? – më shumë, padyshim, atëherë vetëm pesë. Dhe çdocili syresh është i aftë të ma mbyllë gojën përfundimisht.

Numri i tyre është më i madh në jetën e cilitdo letrari të vetëdijshëm; në rastin tim, ky numër dyfishohet, falë atyre dy kulturave, të cilave fati e solli t’u takoj. Nuk e lehtëson punën gjithashtu dhe mendimi për bashkëkohësit dhe vëllezërit e penës në të dyja këto kultura, për poetët dhe prozatorët, dhuntinë e të cilëve unë çmoj më lart se timen dhe të cilët, po të ishin në këtë tribunë, me kohë do të ishin futur drejt e në temë, ngase ata kanë ç’t’i thonë më shumë botës se sa unë.

Prandaj po i lejoj vetes një sërë vërejtjesh – ndoshta, të pështjelluara, konfuze dhe që mund t’ju sëkëlldis me këtë mungesë lidhjeje. Megjithatë, sasia e kohës që më iku duke gjakuar të mbledh mendimet dhe vetë profesioni im, shpresoj të më mbrojnë, të paktën pjesërisht, prej qortimeve për kaotizëm. Njeriu i profesionit tim rrallë pretendon një sistematizim të mendimit; në rastin më të keq, ai pretendon një sistem. Por kjo, si rregull, është e marrë hua: nga mjedisi, nga rendi shoqëror, nga studimi i filozofisë në moshë të njomë.

Asgjë nuk e bind artistin më shumë në rastësinë e mjeteve, me të cilat ai operon për arritjen e një apo tjetër qëllimi – madje qoftë dhe i përhershëm ky qëllim, sesa procesi krijues, procesi i shkrimit. Poezia, sipas fjalëve të Ahmatovës, menjëmend lind nga plehërat; rrënjët e prozës nuk janë më fisnike.

 

 

II

 

Nëse arti diç edhe na mëson (artistit, në radhë të parë), atëherë kja ka të bëjë pikërisht me privatësinë e ekzistencës njerëzore. Duke qenë më e stërlashta – dhe forma më e fjalëpërfjalshme e iniciativës vetjake – ajo dashje ose pa dashje stimulon tek njeriu pikërisht ndjesinë e individualitetit, unikalitetit, veçanësisë – duke e shndërruar atë nga një kafshë shoqërore në personalitet. Shumë gjëra mund t’i bashkëpjesëtosh: bukën, shtratin, bindjet, të dashurën – por jo poezinë, të themi, të Rajner Maria Rilkes. Vepra e artit, letërsia në veçanti dhe poezia më përveçmas, i drejtohet njeriut têt-à-têt, duke u lidhur me të në marrëdhënie direkte, pa ndërmjetës.

Pra, për këtë arsye, nuk e kanë dashur artin në përgjithësi dhe poezinë në veçanti prijësit e të mirave të përbashkëta, sundimtarët e masave, tellallët e domosdoshmërisë historike. Sepse aty ku ka kaluar arti, ku është lexuar poezia, ata zbulojnë në vend të pëlqimit dhe solidaritetit – shpërfillje dhe kundërshtim, në vend të vendosmërisë për veprim – mosvëmendje dhe neveri. Me fjalë të tjera, nëpër zerot e vegjël me të cilët prijësit e të mirës së përbashkët dhe sundimtarët e masave priren të veprojnë, arti parathotë një “periudhë, periudhë, presje, dhe një minus”, duke e shndërruar çdo zero në një njeri të vockël, megjithëse jo gjithmonë të bukur.

        Baratinskij i madh, duke folur për muzën e tij, e ka karakterizuar atë si zotëruesen e “fytyrës me tipare jo të përgjithshme”. Në përftimin e këtyre tipareve jo të përgjithshme qëndron, si duket, kuptimi i ekzistencës individuale, sepse nga kjo e pa-përgjithshme, ne jemi gatuar tashmë gjenetikisht. Pavarësisht faktit në është shkrimtar një njeri apo lexues, detyra e tij është të jetojë jetën e tij vetjake dhe jo jetën e imponuar apo të diktuar nga jashtë, sado fisnike të duket ajo. Sepse ajo është e vetme për secilin prej nesh dhe ne e dimë mirë qysh do të mbarojë. Do të ishte për të ardhur keq ta bjerrnim këtë mundësi të vetme mbi paraqitjen e dikujt tjetër, mbi përvojën e dikujt tjetër, mbi tautologjinë – do të ishte për të ardhur keq akoma më shumë sepse tellallët e domosdoshmërisë historike, te të cilët ndikimi mbi një njeri mund të jetë përgatitur t’i bindet kësaj tautologjie, nuk do të shkonin me të në varr ose nuk do t’i jepnin atij më shumë se një “faleminderit”.

        Gjuha dhe, siç më duket mua, letërsia – janë gjëra më të lashta, më të pashmangshme, të më të përjetshme sesa çdo formë e organizimit njerëzor. Zemërimi, ironia apo indiferenca e shprehur nga letërsia në lidhje me shtetin, është në thelb, reaksioni i të përhershmes, më saktë të themi – i të pafundmes, kundrejt të përkohshmes, të kufizuarës. Të paktën deri atëherë kur shteti do t’i fusë hundët në punët e letërsisë, letërsia ka të drejtën e vet të ndërhyjë në punët e shtetit. Sistemi politik, forma e rendit shoqëror, sikundërse çdo sistem në tërësi, është, për vetë natyrën e saj të përcaktuar, formë e kohës së shkuar që rreket ta quajë vetën formë të së tashmes (shpesh herë edhe të së ardhmes), dhe njeriu, profesioni i të cilit është gjuha, është i mbrami që mund t’i lejojë vetes ta qesë në harresë këtë gjë. Rreziku i vërtetë për shkrimtarin nuk është dhe aq mundësia (dhe shpesh siguria) e përndjekjes nga shteti, sesa mundësia për t’u ndjerë i hipnotizuar nga tiparet e shtetit, të cilat, të përbindshme apo të nënshtruara ndryshimeve për mirë, janë përherë të përkohshme.

        Filozofia e shtetit, etika e tij, pa folur më për estetikën – janë përherë “dje”-ja.  Gjuha dhe letërsia janë gjithmonë “sot”-i dhe shpesh – sidomos aty ku sistemi politik është ortodoks – ato madje mund të përbëjnë edhe “nesër”-in. Një prej meritave të letërsisë qëndron në faktin se ajo i ndihmon njeriut të përsaktësojë kohën e ekzistencës së tij, ta dallojë veten si në turmën e paraardhësve, si të njerëzve të ngjashëm me të, t’u shmanget tautologjive, domethënë shortit, të njohur ndryshe me emërtimin e nderuar “viktima të historisë”. Arti në përgjithësi dhe letërsia në veçanti, prandaj janë të mrekullueshëm, prandaj dallojnë nga jeta e përditshme, ngase i shmangen përsëritjes. Në jetën e zakonshme, ju mund të tregoni të njëjtën histori tre herë dhe të shkaktoni në të tre herët të qeshura, të jeni shpirti i shoqërisë. Në art, një formë e tillë sjelljeje quhet “klishe”. Arti nuk është vegël endëse dhe zhvillimi i tij përcaktohet jo nga individualiteti i artistit, por nga dinamika dhe logjika e vetë materialit, nga historia e mëparshme e veglave që kërkojnë gjejnë (apo të nënkuptojnë) çdo herë zgjidhje cilësisht të reja. Duke qenë se zotëron gjenealogjinë vetjake, dinamikën, logjikën dhe ardhmërinë, arti nuk është sinonimik, por në rastin më të mirë, shkon paralel me historinë, dhe mundësia e ekzistencës së tij rezulton krijimi për çdo herë i realitetit të ri estetik. Ja pse arti gjendet shpesh “në ballë të progresit”, në ballë të historisë, instrument bazë i të cilës është – si të mos e saktësojmë Marksin? – pikërisht klisheja.

Në ditët e sotme është jashtëzakonisht e përhapur bindja se gjoja shkrimtari, poeti në veçanti, duhet të përdorë në veprat e tij gjuhën e rrugës, gjuhën e turmës. Me gjithë aparencën demoratike dhe volitë e prekshme praktike për shkrimtarin, një pohim i tillë është veçse një pallavër, ngase paraqet në vetvete gjakimin t’ia nënshtrojë artin, në rastin konkret letërsinë, historisë. Vetëm në rast se kemi vendosur që “sapiensit” i ka ardhë koha të ndalet në statin e zhvillimit të tij, vetëm atëherë letërsia mund të flasë në gjuhën e popullit. Në të kundërt, popullit i takon të flasë me gjuhën e letëërsisë. Çdofarë realiteti i ri estetik përsaktëson për njeriun realitetin etik. Sepse estetika është nëna e etikës;  nocionet “mirë” dhe “keq”- janë nocione, para së gjithash, estetike, që parakuptojnë kategoritë e “të mirës” dhe “së keqes”. Në etikë jo “gjithçka është e lejueshme”, sepse në estetikë  jo “gjithçka është e lejueshme”, ngase sasia e ngjyrave në spektër është e kufizuar. Një foshnje pa arsye që me të qara refuzon një të panjohur ose, përkundrazi, joshet drejt tij, instinktivisht ka bërë një zgjedhje estetike dhe jo morale.

Zgjedhja estetike është gjithëherë individuale. Çfarëdo realiteti i ri estetik e bën njeriun përjetues, personi është më privat dhe kjo privatësi që përfton nganjëherë formën e shijes letrare (ose ndofarë forme tjetër), mundet tashmë vetë të jetë garanci, të paktën formë mbrojtëse mga skllavërimi. Sepse njeriu me shije, në veçanti me shije letrare, është më pak i rrezikuar ndaj përsëritjeve dhe anatemave ritmike, karakteristikë kjo e çdo politike demagogjike. Puna nuk ka të bëjë dhe aq me faktin se ndershmëria s’dalka garante për kryeveprat, por me një të vërtetë tjetër që, e keqja, sidomos ajo politike, është gjithnjë një stiliste e neveritshme. Sa më e pasur të jetë përvoja estetike e individit, aq më e konsoliduar është shija e tij, aq më sqimatare është zgjedhja e tij morale, sikundërse aq më i lirë është ky individ, edhe në ndodhtë të mos jetë aq i lumtur.

Pikërisht në këtë kontekst, para së gjithash në kuptimin aplikativ sesa në atë platonik, duhet ta përjetojmë thënien e Dostojevskit se bukuria e shpëton botën, apo shprehjen e Metju Arnoldit se “ne na shpëton poezia”. Botën poezia ka gjasa të mos e shpëtojë, por njeriun si individ të veçantë, është krejt e mundur ta shpëtojë. Ndjeshmëria e hollë estetike shtjellohet uritshëm tek njeriu, sepse, duke mos i dhënë madje llogari vetes për atë çka përfaqëson në vetvete dhe se çfarë i duhet atij me domosdo, njeriu, si rregull, e di instinktivisht çfarë nuk i pëlqen dhe çfarë e sëkëlldis. Në një kuptim antropologjik, e përsëris, njeriu është krijesë estetike para se të jetë etike. Arti, në veçanti letërsia, prandaj nuk është produkt i efekteve anësore të zhvillimit të species, por krejtësisht e kundërta. Nëse ai çka na dallon ne prej përfaqësuesve të mbretërisë së kafshëve është ligjërimi, atëherë letërsia, dhe në veçanti, poezia, duke qenë se është forma më e epërme e artit të fjalës, paraqet në vetvete, trashë ta themi, qëllimin e species tonë.

Unë jam shumë larg prej idesë së mësimit pedant të metrikës dhe kompozicionit; aq më pak, klasifikimit të njerëzve në inteligjecie dhe gjithë të tjerët – masë, kjo më duket e papranueshme. Në marrëdhëniet morale, ky klasifikim është i ngjashëm me ndarjen e shoqërisë në të pasur dhe të varfër; por nëse për ekzistencën e pabarazisë sociale kanë vend ende dofarë arsyesh thjesht fizike, materiale, për pabarazinë intelektuale këto janë të papërfytyrueshme. Diku më shumë e diku më pak, por në këtë kuptim, barazia na është garatuar prej natyrës. Fjala nuk është për arsimimin, por për ngjizjen e ligjërimit, përafërsia më e vogël e së cilës është shterruar e përtharë me futjen e zgjedhjes së rreme në jetën e njeriut. Ekzistenca e letërsisë nënkupton ekzistencën në nivelin e letërsisë – dhe jo vetëm moralisht, por edhe leksikisht. Nëse një vepër muzikore ia lë ende njeriut mundësinë e zgjedhjes ndërmjet rolit pasiv të dëgjuesit dhe rolit aktiv të ekzekutuesit, vepra letrare – sipas shprehjes së Euxhenio Montales, është një art dëshpërimisht semantik –e dënon njeriun vetëm me rolin e ekzekutuesit.

Në këtë rol mendoj se njeriu duhet të hyjë shumë me shpesh sesa në rolet e tjera.  Përveç kësaj, më duket se ky rol, si rezultat i bumit populacionist dhe lidhur me të, automatizimi gjithnjë në rritje i shoqërisë, d.m.th., në kushtet gjithnjë në rritje të izolimit të inddividit, bëhet gjithnjë e më i pashmangshëm. Nuk mendoj se di për jetën më shumë nga ç’di çdo bashkëmoshatar i imi, por më duket se në cilësinë e bashkëbiseduesit, libri është më i sigurtë se sa një mik apo e dashura. Ramani apo poezia – nuk janë monolog, por kuvendim i shkrimatarit me lexuesin – kuvendim, e përsëris, skajshmërisht privat, që përjashton të gjithë të tjerët, nëse lypet nevoja – mizantropikisht i ndërsjelltë. Dhe në çastin e këtij kuvendimi, shkrimtari është i barabartë me lexuesin, sikundërse dhe e anasjellta, pavarësisht faktit në është shkrimtar i madh ai apo jo. Kjo barazi është barazia e vetëdijes dhe kjo mbetet me njeriun përgjatë gjithë jetës në trajtën e kujtesës, të turbullt apo të qartë, dhe herëdokur, me vend apo pa vend, përcakton sjelljen e individit. Pikërisht këtë kam parasysh kur flas për rolin e ekzekutuesit, e aq më natyrshëm kur romani ose poezia është produkt i vetmisë së ndërsjelltë të shkrimtarit dhe lexuesit.

Në historinë e species sonë, në historinë e “sapiensit”, libri është fenomen antropologjik, analogjik në thelb me shpikjen e rrotës. I lindur me qëllimin që të na japë përfytyrimin jo aq mbi origjinat, sesa për atë që ky “sapiens” është i aftë, libri është një mjet zhvendosjeje në hapësirën e përvojës sonë me shpejtësinë e kthimit të fletës. Ky kthim i fletës, si çdo kthim tjetër, shndërrohet në arrati prej emëruesit të përbashkët, prej përpjekjes për t’i mveshur këtij emëruesi një tipar që nuk ngrihet sipër brezit, gjer tek zemra jonë, vetëdija jonë, imagjinata jonë. Kjo arrati është arrati drejt “fytyrës me tipare jo të përgjithshme”, drejt numëruesit, drejt të pavarurës, drejt privatësisë. Pavarësisht mbi shëmbëlltyrën e kujt jemi krijuar, ka pothuaj pesë miliardë si ne dhe për një qenie njerëzore nuk ka të ardhme tjetër përveç asaj të nënvizuarës nga arti. Në të kundërt, na pret e shkuara, para së gjithash, politike me të gjitha stërhollimet masive policeske.

Sidoqoftë, gjendja në të cilën arti në përgjithësi dhe letërsia në veçanti është trashëgimi (në kuptimin pezhorativ) e pakicës, më duket si një gjë anormale dhe kanosëse. Nuk po bëj apel që shteti të zëvendësohet me biblioteka – megjithëse ky mendim jo rrallë më ka shkuar ndërmend – porse nuk dyshoj që nëse sundimtarët tanë do t’i kishim zgjedhur në bazë të përvojës leximore dhe jo në bazë të programeve politike, në këtë tokë do të kishte patur më pak hidhërim. Kam përshtypjen se sundimtarin potencial të fateve tona duhet ta pyesnim para së gjithash jo si e përfytyron ai drejtimin e politikës së jashtme, por ç’mendon ai për Stendalin, Dikensin, Dostojevskin. Kjo ka vlerë të paktën për faktin se gjëja më e shtrenjtë për letërsinë është forca e saj kundërhelmuese prej çfarëdo përpjekjesh totale – të njohura dhe të panjohura – për t’ia qasur zgjidhjes së problemeve të ekzistencës njerëzore. Si një sistem moral, së paku, sigurimi, letërsia është ku e ku më efektive se sa çfarëdo sistemi besimi apo doktrine filozofike.

Sepse nuk mund të ketë ligje që të na mbrojnë nga vetvetja, asnjë kod ndëshkimor nuk parashikon krimet ndaj letërsisë. Dhe ndërmjet këtyre krimeve, krimi më i rëndë është jo kufizimi i cenzurës, por djegia e librave. Por ka edhe një krim edhe më të rëndë – përbuzja e librave, mosleximi i tyre. Këtë krim njeriu e paguan me jetën e vet: nëse këtë krim e kryen kombi – ai e paguan me historinë e tij. Duke jetuar në atë vend ku jetoj sot, do të isha i pari i gatshëm të besoja se ekziston një farë përpjesëtimi midis të mirave materiale të njeriut dhe injorancës së tij letrare; prej një hipoteze të tillë më shpëton historia e atij vendi ku u linda dhe u rrita. Sepse, e reduktuar në minimumin shkak-pasojë, në një formulë të trashë, tragjedia ruse është pikërisht tragjedia e shoqërisë, letërsia e së cilës qe letërsi e pakicës pezhorative: e inteligjencies së famshme ruse.

Nuk ma ka ënda të hapem në këtë temë, nuk dua ta zymtoj këtë mbrëmje me meditimet për dhjetëra miliona jetësh njerëzore të marra më qafë prej miliona të tjerësh – sepse ajo çka ka bërë vaki në Rusinë e gjysmës së parë të shekullit XX, ka ngjarë para se të ngulitej arama automatike – në emër të ngashënjimit të doktrinës politike, dështimi i së cilës ka prore të njëjtën natyrë – pangopshmërinë për viktima njerëzore që të mund të funksionojë. Po them veç një gjë – se jo me anë të përvojës, ajme, por vetëm teorikisht, ai që ka lexuar Dikensin, ndryshe nga ai që nuk e ka lexuar, nuk mund të shtjerë mbi të ngjashmin e vet, sado shtrënguese qoftë ideja. Po flas pikërisht për leximin e Dikensit, Stendalit, Dostojevskit, Floberit, Melvilit etj., domethënë letërsisë dhe jo për njerëzit e shkolluar, të arsimuar. Njeriu i shkolluar, i formuar, ka shumë gjasa që, me të lexuar një traktat politik, ta vrasë të ngjashmin e vet e të provojë madje dehjen nga bindjet e veta. Lenini qe i shkolluar, Stalini qe i shkolluar, Hitleri gjithashtu; Mao Ce Duni shkruante edhe poezi; lista e viktimave të tyre, përkundrazi, i tejkalo ku e ku autorët e lexuar.

Megjithatë, para se të kaloj tek poezia, do të desha të shtoj se përvojën ruse do të ishte me vend ta kundronim si rast të veçantë, për shkak se struktura sociale e Perëndimit, të paktën gjer më tash, është e ngjashme me atë që ka ekzistuar në Rusi deri në vitin 1917. (Pikërisht falë kësaj, shpjegohet popullariteti i romanit psikologjik rus të shekullit XIX në Perëndim dhe relativisht, dështimi prozës bashkëkohore ruse. Marrëdhëniet shoqërore që u formuan në Rusi në shekullin XX, i duken me gjasë lexuesit jo më pak primitivë, se sa emrat e personazhëve që e pengojnë të indentifikohet me të.) Të marrim vetëm partitë, për shembull, në vigjilje të revolucionit të tetorit të vitit 1917 në Rusi, ku ekziston jo më pak nga sa ekzistojnë sot në SHBA ose në Britaninë e Madhe. Me fjalë të tjera, një njeri pa pasion do mund ta kishte vënë re që, në njëfarë kuptimi, shekulli XIX ende vazhdon në Perëndim. Në Rusi ai ka mbaruar; dhe nëse them që ai ka mbaruar me tragjedi, kjo para së gjithash, vjen për shkak të sasisë së viktimave, të cilat i mori më qafë ndryshimi social e kronologjik që pasoi. Në tragjedinë e vërtetë, nuk është heroi ai që vdes; është kori.

 

 

III

 

Megjithëse për njeriun, gjuha amtare e të cilit është rusishtja, bisedat për mënxyrën politike janë po aq të natyrshme sa ç’është sistemi tretës, unë do të doja ta ndërroja temën. Pamjaftueshmëria e bisedave për realitetin e dukshëm kanë të bëjnë me faktin se ato e përdhosin vetëdijen me lehtësinë e tyre, me përftimin e lehtë të ndjenjës së të vërtetës. Këtu qëndron dhe tundimi i tyre, i ngjashëm për nga natyra me tundimin e një sociologu reformator që e lind këtë mënxyrë. Vetëdijësimi për këtë tundim dhe shkapërcimi prej tij në një shkallë të ckatuar, janë përgjegjës për fatet e bashkëkohësve të mi, pa folur më për vëllezërit e mi të penës që janë përgjegjës për letërsinë që shkruajnë. Kjo letërsi nuk ka qenë arrati nga historia, as topitje kujtese, sikundër mund të na duket në pamje të parë. “Si mund të shkruash më muzikë pas Aushvicit? – pyet Adorno, dhe njeriu që e njeh historinë e Rusisë, mund të përsërisë të njëjtën pyetje, duke këmbyer emrin e kampit, – dhe mund ta përsërisë me një të drejtë të madhe, ngase sasia e njerëzve të skartuar në kampet staliniste e kapërcen ku e ku sasinë e njerëzve të vdekur në kampet naziste. “E si mund të hash sillë pas Aushvicit?” – pyet gjithësesi poeti amerikan Mark Strend. Gjenerata së cilës i përkas unë, sidoqoftë, u tregua e aftë ta krijojë një muzikë të tillë pas Aushvicit.

Kjo gjeneratë është gjenerata që ka lindur pikërisht atëherë, kur krematoriumet e Aushvicit vlonin në pikun e punës, kur Stalini ngjitej në zenitin e njehsimit me perëndinë absolute, me pushtetin kinse të sanksionuar nga vetë natyra, kur u shfaq në botë, sipas të gjitha gjasave, të vazhdojë atë çka teorikisht duhej t’i ndërpriste këto krematoriume –me varret e përbashkëta anonime të arkipelagëve stalinistë. Fakti që jo gjithçka u ndërpre – të paktën në Rusi – është në një masë jo të vogël merita e brezit tim dhe jam po aq krenar që i përkas këtij brezi, sa ç’jam krenar që gjendem sot këtu. Dhe fakti që sot gjendem këtu, është njohja e meritave që ka ky brez para kulturës; duke ndërmendur Mandelshtamin, do të shtoja – para kulturës botërore. Teksa kthej kokën prapa, mund të them se ne ia kemi nisur nga një pikë e zbrazët, më saktë – e llahtarshme dhe se më së shumti intuitivisht se sa vetëdijshëm, kemi gjakuar për rikrijimin e efektit të koherencës së kulturës, për ripërtëritjen e formave të saj dhe tropeve, për përmbushjen e jo pak formave të saj të kompromentuara me përmbajtje, siç na duket neve, të re e bashkëkohore.

Ka ekzistuar, me gjasë, edhe një rrugë tjetër – rruga e deformimit të mëtejshëm, poetika e ciflave dhe e rrënojave, e minimalizmit që të merr frymën. Nëse prej kësaj rruge hoqëm dorë, këtë nuk e bëmë aspak pse na u duk rruga e vetëdramatizimit apo pse qemë jashtëzakonisht të shpirtëzuar me idenë e ruajtjes së mirënjohjes së trashëguar për format e njohura të kulturës, të njëvlerëshme me format e dinjitetit njerëzor në vetëdijet tona. Ne hoqëm dorë prej tyre sepse zgjedhja në fakt nuk ishte e jona, zgjedhjen e bëri kultura  – dhe kjo zgjedhje, edhe një herë, ishte më shumë estetike se morale.

Dhe sigurisht, njeriu e ka më të natyrshme të arsyetojë mbi vetveten jo si për mjetin e kulturës, po përkundrazi, si për krijuesin dhe ruajtësin e saj. Por nëse sot ju pohoj të kundërtën, kjo ndodh jo nga që ka një magjepsje të caktuar për të perifrazuar në të dalë të këtij shekulli Plotinin, Lord Shefstberin, Shelingun apo Novalisin, por sepse dikush, dhe poeti e di gjithëherë se në gjuhën e folur quhet zëri i Muzës, është menjëmend diktati i gjuhës; që jo gjuha është instrumenti i tij, por ai është instrument i gjuhës në funksion të zgjatjes së ekzistencës personale. Gjuha pra – madje edhe kur e mendojmë në trajtën e një krijese të gjallë (çka do të kishte qenë krejt e drejtë) – nuk është e aftë për një zgjedhje etike.

Njeriu merr të krijojë një krijim poetik për shkaqe të ndryshme: që t’i rrëmbejë zemrën të adhuruarës, që të shprehë marrëdhëniet e tij me realitetin qarkues, qoftë ky peisazh apo shtet, që të fiksojë gjendjen shpirtërore në një çast të dhënë, që të mund të lërë gjurmë në këtë tokë, në një minutë të caktuar, ashtu siç e mendon ai. Ai rend tek kjo formë – tek poezia – nisur nga shtysa, më së pari, të pavetëdijshme-mimetike: pllangat e zeza vertikale të fjalëve përmidis fletës së bardhë, i kujtojnë njeriut, me sa duket, pozicionin e tij në këtë botë, proporcionin e hapësirës së trupit të tij. Por pavarësisht shtysave që e detyrojnë të shkruajë, pavarësisht nga efekti i produktit të tij shkrimor, pasojë e menjëhershme e kësaj ndërmarrjeje është ndjesia e hyrjes në kontakt të drejtpërdrejtë me gjuhën, më sak, ndjesia e rënies së shpejtë në varësi prej gjithçakje që tashmë është thënë, shkruar, realizuar.

Kjo varësi është absolute, despotike, por ajo është edhe çlironjëse.

Sepse, meqë është gjithnjë më e vjetër se sa shkrimtari, gjuha zotëron edhe një energji centrifugale që ia komunikon potencialiсiali i saj kohor – domethënë gjithçka që gjendet përpara kohës. Dhe ky potencial përcaktohet jo aq me përbërjen sasiore të kombit që e flet këtë gjuhë, megjithëse edhe me të po, se sa me cilësinë e poezisë së krijuar në këtë gjuhë. Mjafton të kujtojmë autorët e antikitetit grek ose romak, mjafton të kujtojmë Danten. Gjithçka e krijuar sot rusisht apo anglisht, e garanton për shembull, ekzistencën e këtyre gjuhëve përgjatë mijëvjeçarit tjetër. Poeti, e përsëris, është instrumenti i ekzistencës së gjuhës. Apo siç ka thënë i madhi Oden, poeti është ai në të cilin mbahet gjallë gjuha.

Një ditë, unë që i shkruaj këto radhë nuk do të jem më, nuk do do të jeni as ju që i lexoni ato, por gjuha në të cilën janë shkruar dhe në të cilën i lexoni, do të mbetet, jo vetëm sepse gjuha është më jetëgjatë se njeriu, por edhe pse ajo është më e përshtatur ndaj mutacionit.

Ai që shkruan poezi, gjithësesi, shkruan jo se shpreson të lërë nam pas vdekjes, anipse shpesh shpreson se poezia e tij do të mbijetojë, qoftë dhe për pak kohë. Ai që shkruan poezi shkruan sepse gjuha i dikton apo thjesht dikton vargun vijues. Duke nisur një poezi, poeti, si rregull, nuk e di se si do të përfundojë dhe nganjëherë është shumë i habitur me atë çka del, ngase shpeshherë del më mirë nga sa e ka parashikuar, shpesh mendimi i tij shkon shumë më larg nga sa e ka menduar ai. Ky pra është çast kur e ardhmja e gjuhës përzihet me të tashmen e saj. Ekzistojnë, siç e dimë, tre metoda të njohjes: analitike, intuitive dhe metoda të cilën përdornin profetët biblikë – me ndërmjetësinë e zbulesës. Dallimi i poezisë nga format e tjera të letërsisë qëndron në faktin se ajo shfrytëzon njëheri të tre metodat (duke u prirur kryesisht tek metoda e dytë dhe e tretë), ngase që të treja janë të dhëna në gjuhë; nganjëherë, me ndihmën e një fjale, e një rime, shkruesit të poezisë i jepet të gjendet atje ku para tij akush nuk ka shkelur, – dhe më tej, ka gjasa, edhe më shumë nga sa ka dëshiruar vetë ai. Ai që shkruan poezi e shkruan atë, para së gjithash, sepse poezia është një përshpejtues kolosal i vetëdijes, mendimit, botëperceptimit. Pasi e provon këtë përshpejtim një herë, njeriu s’është më në gjendje të mos e përsërisë këtë përvojë, ai bie në varësi të këtij procesi, sikundërse bien në varësi prej narkotikëve apo alkoolit. Njeriu që gjendet në një varësi të tillë nga gjuha, mendoj, quhet poet.

© Fondacioni Nobel, 1987.