Home Poezi Strofa vjeneze

Strofa vjeneze

Strofa vjeneze 1

Qielli vjenez pështjell kambanoret
me plagë që kullojnë jasht’ fashe.
Koka të bronxta baroke! Ju morët
veten më qafë, me “gashe” e “shtrashe”!

Fasada klasike perandorake.
Banka ose filiale banke:
Mjaft kartën të fusësh në bankomat
dhe saora – “Danke!”

Edhe takëmi kur ndeshet në pjatë,
tingullin e breshërt e bën
të tingëllojë finesë, edukatë:
“Bitteshën! Bitteshën!”

Java kaloi. Pushoi dhe shiu.
Brishtësia vjeneze u mbrojt.
Instinkte inçestesh shqiptojnë vetvetiu:
“Boll, Zigmund Frojd!”

Instinktet degdisen në abstraksion,
ku arti i madh si shnicel i pjek.
Ngjëron si të dojë, kush nuk përton:
Pjatë me Muzil? Me Jelinek?

Dikush ushqimin e do në pëlhurë
dhe druhet mos i bëjnë hile:
“Pa shikoje pak këtë pikturë…
Këtë Klimt… Këtë Shile…”

Të riprodhuar! Dhe pa aurë!
Ajme, pa çast Kohë-krijimi!
Kësi acarimi s’do të ndjente kurrë
as vetë Walter Benjamini.

………………………………….

…ekstazë harmonie. Prej frike
kisha gotike si vetulla mrrol
të gjitha harqet e rrepta konike –
apel për vetëkontroll

mbi Frymën, trajtat, proporcionet
që mund t’i humbasë ky qytet;
ja, gishtat e shtizave tundin kambanoret,
tek lypin qortueshëm vullnet.

Vullnet që më tej e përsosin
vajzat vjeneze në linja:
si kuartete harqesh shpalosin
kurmet bel-violina.

Dhe qielli rish pështjell kambanoret
që skuqin si plagë jasht’ fashe.
O koka baroke, si nuk e borët
memorien në “gashe” e “shtrashe”?

 

 

Strofa vjeneze 2

Gështenjat qindvjeçe, si monedha antike
qeset e boçeve i zbrazin në rrugë.
Fasadat me krem, si torta nazike
të vjen t’i hash me lugë.

Por dhëmbë të ujshëm rrebeshi rrëmbim
ja, ngulen epshorë në tortën e butë.
Shtrin mëngët gështenja për ngushëllim:
“Alles gut… Alles gut!”

Rrebeshi pushon. Kupolat vetëtijnë
si togëza ushtarësh fërkuar inoksi.
Rrezet si damat vjeneze shkëndrijnë
kristale Svarovski.

Pallate moderne. Terraca. Ballkone.
Thua pylli aty ka vërshuar
krahëhapur me njerëz, mace e kone
në përqafim t’amëshuar.

Zhurma s’dëgjohen. Si në film pa zë
vërtiten idile ngjyrë okër.
Ndjenjat i binden arsyes gjithnjë,
që bluan si mokër

me nofulla të heshtura dhe sa më imët
drithin e zi që mbjell Demoni.
Dhe shpirti mbuluar me pahun e grymët
ha bukë depresioni –

gjerkur si digë e fryrë të pëlcasë,
gjerkur ta përmbytë interierin.
Psikanalist, as prift s’e nxjerrin, me gjasë,
sado të këmbejnë njëri-tjetrin.

 

 

Strofa vjeneze 3

Strofat e Kohës rrjedhin të qeta,
me cezura të vogla, cezura të mëdha…
Ritmi vjenez që nga Mesjeta
këtë diafragmë frymimi ka.

Zgjatet metrika e Kohës me masë:
çdo çerek ore, një goditje fraksion;
tre goditje gjys-ora, parzmi me gjasë
i ngop mushkëritë… Ligjërata vazhdon

deri në mbylljen e plotë të fjalisë.
Tetë goditje dyfishe në bjerrje:
cezurë-oktavë me jeh hapësisë –
frymëmarrje – frymënxjerrje…

Strofa e Kohës, pas pushimesh të vogla
si nxënësi në pushim të gjatë,
fshik jone tingujsh – lodrime të plogëta
dhe kthen strofën tjetër të kapë.

Këtë prozodi pedante, skolastike
s’mund ta ndryshojë asnjë tekst.
Kambanoret hibride baroko-gotike
Strofat e Kohës lexojnë me theks.

Vjenë, gusht 2005